Çdo kanton zviceran nuk e ka ligjin e vet për të huaj! 

Zvicra

Çdo kanton zviceran nuk e ka ligjin e vet për të huaj! 

Nga: Lirim Begzati Më: 24 dhjetor 2019 Në ora: 15:37
Lirim Begzati

Shteti zviceran ka vetëm një ligj federal për të huaj, i cili aplikohet në gjithë territorin e këtij shteti. Edhe disa rregullore që e shoqërojnë këtë ligj janë të nivelit qendror federal. 

Ndërsa rregulloret e brendshme të kantoneve që shërbejnë për lehtësimin e aplikimit të ligjit të përmendur nuk duhet assesi me i kuptuar si "ligje" kantonale për të huaj. 

Pra, kantonet zvicerane, në kuadër të shqyrtimit të dosjeve apo rasteve, duhet të veprojnë vetëm në përputhje me rregullat e ligjit federal. 

Ndryshe me thënë, kantonet nuk i kanë ligjet e tyre për të huaj, por kanë vetëm një fushë deri diku të lirë veprimi për me e interpretuar lirshëm një dispozitë të ligjit federal. 

Kjo nënkupton edhe atë se inerpretimet varijojnë nga kantoni në kanton, duke krijuar kështu edhe praktika të ndryshme në vendimmarrje. 

Dallimet janë nganjëherë aq të mëdha në mes tyre, sa që jepet përshtypja se çdo kanton e ka ligjin e vet për të huaj. Është pikërisht ky fakt ai i cili shkakton disa herë konfuzion tek publiku i gjerë, duke çuar deri në krijimin e bindjeve të gabuara. 

Jo pra, është në pyetje vetëm një dallim që ekziston në nivel të praktikave të autoriteteve vendimmarrëse, përfshirë këtu edhe dallimet në politikat kantonale për pranimin e të huajve. 

Sipas një rregulle të përgjithshme, asnjë kanton nuk ka të drejt të marrë ndonjë vendim që është në kundërshtim me dispozitat e ligjit federal. 

Qoftë kjo vështirë dhe shpeshherë e verifikueshme në planin kantonal, pasi që deri në nivel të instancës më të lartë gjyqësore kantonale, vendimet gati se i përngjajnë njëra tjetrës (p. sh. në raste të ankesave). 

Vetëm pas depozimit të një ankese pranë gjykatës federale mund të zbulohet apo verifikohet se a ka pasur vërtetë shkelje. Një rrugë kjo e gjatë për me arritur deri atje ! Është pikërisht roli i gjykatës federale që t'a verifikoj konformitetin e një vendimi kantonal me ligjet federale. 

Në fund, një shembull për ilustrim që dëshmon dallimet ndërkantonale: një program i paradokohshëm humanitar i quajtur "Papyrus" i kantonit të Gjenevës, i cili iu mundësoi një kategorie të të huajve që ta rregullojnë statusin e qëndrimit, u interpretua më tepër si një vendim politik se sa diçka tjetër. 

Në fakt, programi përkatës mundësoi që disa të huaj, që nuk i plotësonin domosdoshmërish kushtet për fitimin e lejes sipas ligjit federal, e rregulluan statusin pikërisht përmes këtij programi. 

Bile disa nga kantonet që aplikojnë një politik të ashpër për pranimin e të huajve që vijnë nga shtetet jashtë BE, e konsideruan programin në fjalë si një vendim që nuk është në përputhje me ligjin federal. 

Ajo që ndodhi në Gjenevë, nuk mund të imagjinohet të ndodh, për shembull, në ndonjë kanton të Zvicrës qendrore. 

E gjithë kjo çka u cek në këtë shkrim ka të bëjë sidomos me rregullat për fitimin dhe humbjen e lejes së qëndrimit, realizimi i të drejtës për bashkim familjar, vendimet për dëbim nga territori zviceran, fitimi i shtetësisë, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat