Thuhet se Zvicra ka nevojë edhe për qindra mijë punëtorë...

Zvicra

Thuhet se Zvicra ka nevojë edhe për qindra mijë punëtorë...

Nga: Lirim Begzati Më: 29 janar 2020 Në ora: 00:39
Lirim Begzati

Më 17 maj 2020, një votim i radhës mbahet në Zvicër, si një pasojë kjo e një vullneti politik tashmë aktual dhe tejet i shfaqur në këtë shtet, që ka të bëj me kufizimin e numrit të të huajve. Siç duket, ky akt është njëkohësisht edhe një vullnet i disa qarqeve që nuk janë aspak të kënaqura me rezultatet e arritura pas iniciativës së para disa viteve mbi kufizimin e të huajve.

Kjo nismë na rikujton disa tjera të ngjashme nga e kaluara. Pa asnjë befasi, iniciuesit e saj kryesor i hasim në radhët e një partie të së djathtës ekstreme. Në Asamblenë e saj të organizuar ditëve të fundit, kjo parti e shpalosi vizionin e saj për kufizimin e numrit të huajve, apo, nëse përdorim një definim sadopak më diplomatik të tyre, programi e mbanë titullin “për një imigrim më të moderuar”.

Një koincidencë interesante: po këto ditët e fundit, Unioni i sipërmarrësve zviceran, një shoqatë e fuqishme ekonomike, që i rigrupon sipërmarrësit e këtij shteti përcjelli një porosi të një domethënie gati se diametralisht tjetër.

Akterët kryesor të kufizimit të numrit të të huajve, përcjellin mesazhe alarmi. “Nuk dëshirojmë assesi të parashikojmë një Zvicër me 10 milionë banorë” ishte njëra ndër thëniet që u dëgjua nga iniciuesit. Ata nuk e anashkaluan as nevojën, sipas tyre, të një pavarësie për një menaxhim më autonomë të politikës së migrimit. Shkohet edhe më larg; nuk ka hezitime edhe për atë që, sipas nevojës, t’iu jepet fund marrëveshjeve bilaterale me Evropën.

Problematika e papunësisë (qoftë ajo tejet e ulët!), rritja e varshmërisë nga ndihmat sociale, i çmimit të qirave të banimit, qëndrojnë gjithashtu në piedestalin e argumenteve të iniciuesve të kufizimeve të migracionit, të cilët, disa nga fajësitë i bartin pra në adresë të Evropës.

Në mesin e shumë argumenteve, po këto protagonistët e kufizimit të qarkullimit të lirë të personave, nuk përqendrohen vetëm në aspekte tashmë tradicionale, por ato e shtojnë gradualisht listën e faktorëve shtytës të nevojës së kufizimeve; ata mundohen të bëjnë edhe një ndërlidhshmëri në mes të pasojave negative, duke u shprehur edhe për aspekte që kanë të bëjnë me mbrojtjen e natyrës dhe pasojat negative në prosperitetin e vendit.......Jo aq të kuptueshme për gjithsecilin!

Nga ana tjetër, siç u cekë mësipërm, mesazhet e alarmit nuk mungojnë as në radhët e Unionit të sipërmarrësve zviceran. Mirëpo, analizat e tyre mbajnë një ngjyrë krejtësisht tjetër, dhe ato iu kundërvihen ashpër logjikës vlerësuese të iniciuesve të sipërpërmendur.

Duke u shprehur ashpër kundër kufizimeve të propozuara nga e djathta ekstreme, ata vlerësojnë, pa asnjë hamendje, se Zvicra ka një nevojë të madhe dhe të padiskutueshme për fuqinë e huaj punëtore. Ata flasin pra edhe për nevojën e ngritjes graduale të numrit të punëtorëve që vijnë nga jashtë.

Ata konsiderojnë se, me pensionimin progresiv të një pjese të konsiderueshme të popullatës së këtij vendi, jo më pakë se qindra mijëra punëtorë (përmendet edhe shifra prej shtatë qind mijë punëtorë) kanë me i munguar Zvicrës deri në vitin 2030.

Edhe pse disa çështje të tjera nuk shprehen aq shprehimisht, mund të nënkuptohet ajo se ligji i tanishëm për të huajt (që aplikohet vetëm për shtetet e “treta”) nuk duket i mjaftueshëm! Ndoshta është ky, ndër faktorët kryesorë, ai që i shtynë iniciuesit që të propozojnë zgjerimin e kufizimeve edhe tek shtetasit që vijnë nga BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat