Lumturia zvicerane dhe shqiptarët

Zvicra

Lumturia zvicerane dhe shqiptarët

Nga: Alfred Papuçiu Më: 7 mars 2020 Në ora: 10:25
Alfred Papuçiu

18 gusht. Së shpejti po vjen koha që do të ikim nga Crans-Montana për në Gjenevë. Do të na mungojë mjedisi fantastik i Klinikës Gjeneveze të Montanës, Montana, Kampingu Mubra, Tregu i së Premtes i Montanës, dyqanet me sende për kujtim të Valesë, shtëpitë dhe ndërtesat e zbukuruara me lule shumëngjyrëshe… Gjithashtu do të na mungojnë, infermieret e katit të dytë: Cathy, Denise, Isabelle, Mercedes, Marie-Thérèse, Christèle, Christine, Virginie, Sara, Eveline, Caroline. Gjithashtu, Bianka dhe Veronika që zakonisht punojnë natën dhe më thonë me buzëqeshje, se duhet të shkoj në dhomë për të fjetur, që të jem mirë për të nesërmen. Bianka duket sikur është e ashpër, por në fakt ajo është shumë e urtë dhee kuptoj se e zotëron shumë mirë profesionin e saj, si edhe Veronika me kapuçin e saj karakteristik që i jep një bukuri të veçantë. Kolokiumet mbi tensionin e gjakut, si edhe mbi Diabetin, Art terapia, fizioterapia kanë dhënë frytet e tyre. Mjekët, Simona, Lia, Olivier dhe infermieret, na bëjnë një përmbledhje të përvojës që fituam këtu. Shpjegime të thjeshta, nisur nga pyetjet e pjesëmarrësve, sipas përvojave tona.

19 gusht . Këtu jemi si një familje, nga kombet e ndryshme, të Europës së 27-të, por gjithashtu edhe të Europës tjetër. Jam duke lexuar punën kërkimore të zonjushes Shqipe Mehmeti, nga Kosova, me titull: „Si të arrijmë integrimin tonë në Zvicër, duke ruajtur në të njëjtën kohë identitetin kulturor?“ Ajo e fillon punën e saj kërkimore me fjalët e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare : « Historia e Njerëzimit është ajo e përkthimit. Të gjithë ne jemi përkthyes, edhe gjatë një bisede të zakonëshme. Të përkthyerit është kushti ynë; ne përkthejmë mendimet tona, përkthejmë fjalët e bashkëbiseduesve tanë; vazhdimisht interpretojmë dhe kjo është e përditëshmja jonë…“

Shqipja që është një vajzë e re e zgjuar dhe që ka në arkivin e saj personal qindra poezi dhe refleksione, më dha studimin e saj, për t’i dhënë një mendim. Por personalisht, nuk shoh asnjë „shkarje“ në mendimet e saj, si edhe frëngjishtja e saj është e përkryer, si e Zonjës Kartier, nëse guxoj të shprehem kështu, e cila ka punuar gjatë gjithë jetës së saj në seksionin e frëngjishtes në organizatat ndërkombëtare, dhe sidomos në OKB, në Nju Jork dhe Gjenevë. „Qysh kur isha e vogël, thotë Shqipja, i bëja pyetje vehtes mbi prejardhjen time, kulturën dhe edukimin tim. Më vonë, doli një pyetje tjetër: „integrimi“, një fjalë që u ngulit gabueshëm në kokën time, gjatë shumë viteve dhe tani më në fund arrij ta simbolizoj. Integrimi, një fjalë pak a shumë abstrakte për mua, do të desha ta përcaktoj gjatë punës time kërkimore. Imigrantët kosovarë, si shumë imigrantë të tjerë, gjenden me një mospajtim përballë shoqërisë së tyre nga kanë ardhur dhe ndaj shoqërisë zvicerane. Të vetmit shqiptarë që marrin pjesë në jetën shoqërore, janë fëmijët gjatë periudhës së shkollimit, ata krijojnë lidhjen, „urën“ midis dy shoqërive, duke komunikuar informacionet e tyre që marrin jashtë shtëpisë tek prindërit e tyre, sepse në shumicën e rasteve, babai punon gjithë ditën dhe nëna nuk ushtron asnjë veprimtari, gjë që nuk e lehtëson mësimin e frëngjishtes. Niveli i gjuhës të babait, shpesh nuk është shumë i lartë, meqënëse ai punon me të huaj të tjerë. Fëmija, qysh në moshë të re, ka si përgjegjëshi të komunikojë me administratën dhe zë rolin e prindërve. Në ato çaste, lindin probleme midis prindërve dhe fëmijës; ky i fundit luan rolin e një të rrituri përgjegjës, por në të njëjtën kohë, duhet t’i bindet autoritetit prindëror“

Kjo që shpreh Shqipja është e vërtetë. Por fatmirësisht, në krahasim me vende të tjerë europianë, Zvicra është pararendëse, lidhur me integrimin e të huajve. Le të marrim vetëm shembullin e shqiptarëve që kanë një Universitet Popullor Shqiptar (UPSH), në Gjenevë. Ai është krijuar në 1996, me qëllim që të lehtësonte integrimin e banorëve shqiptarë, sidomos të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. UPSH dhe drejtoresha e tij Albana Krasniqi-Malaj, propozojnë veprimtari të ndryshme, si mësimin e gjuhës frënge, angleze, gjermane dhe shqiptare. Ka kurse informatike, pianoje dhe valle folklorike shqiptare. Në të vërtetë, kjo qendër kulturore është e hapur edhe për shoqërinë gjeneveze në përgjithësi. Gjithashtu, është edhe Departamenti i Arsimit Publik që është në favor të integrimit të imigrantëve.

Le t’i kthehemi çështjes së Shqipes që është ngritur edhe nga intelektualë shqiptarë, si i ndjeri Hevzi Kryeziu, që u varros në vendlindje, në Kosovë.

Si mund të integrohesh në Zvicër, duke ruajtur identitetin kulturor tëndin? Shqipe Mehmeti nxjerr këtë përfundim : « Në rast se dëshiron të integrohesh në shoqërinë zvicerane, duhet që të heqësh dorë nga disa tradita në shoqërisë sonë nga kemi ardhur. Identiteti kulturor i të rinjve kosovarë do të ndryshojë, ai do të bëhet dy kulturësh, domethënë do të ketë vlera kulturore zvicerane dhe shqiptare. Sapo kjo situatë dy kulturëshe do të pranohet, i riu madhor do të mundë të ndërtojë identitetin e tij, si edhe integrimi i tij do të vijë natyrshëm ». Për sot, po mbetemi tek fjalët e Shqipe Mehmetit, që ju mund t’i miratoni apo jo, sipas pikpamjes tuaj të lirë, por meditimet e saj duhet të na zgjojnë, për të kuptuar më mirë se cila është rruga më e mirë për të vazhduar së qëni Shqiptarë, por gjithashtu, për t’u integruar në vendin mikpritës.

Në këtë drejtim, desha të theksoj, siç e kam ngritur edhe herë tjetër, punën që duhet bërë me Diasporën shqiptare disa milionëshe jashtë shtetit. Zviceranët jashtë janë sot 700 mijë vetë, nga të cilët tre të katërtët kanë dyshtetësinë. Për të mbrojtur interesat e tyre, Organizata e Zviceranëve Jashtë shtetit, mban çdo vit Kongresin e saj vjetor, në Lucernë të Zvicrës. Ajo egziston qysh nga viti 1916 dhe njihet nga autoritetet si zëdhënëse e zviceranëve jashtë qysh nga viti 1966. Zakonisht e quajtur si « Zvicra e Pestë », ajo përfaqëson pothuajse një të dhjetën e popullsisë të të gjithë vendit. Zviceranët jashtë votojnë me korrespondencë qysh nga viti 1992. Sipas Organizatës së Zviceranëve Jashtë shtetit, zviceranët që jetojnë jashtë vendit të tyre, janë si ndërmjetës midis Zvicrës dhe kombit ku janë vendosur. Me rrjetet që ata disponojnë, janë në pozicion të mire për të bërë që të tjerët të kuptojnë Zvicrën, politikën dhe vlerat e saj. A do të arrijë dhe Kombi ynë ndonjëherë që t’i tërheqë rreth vetes nëpërmjet përfaqësive diplomatike jashtë, shtetasit e vet? Dhe jo vetëm, në Festën Kombëtare, ku shumë prej tyre mbeten jashtë liste, pasi në to prioriteti u jepet diplomatëve të huaj…

Si rastësisht, lidhur me këtë temë, mora nga mësuesja Nexhmije Mehmetaj e Courgenay në Zhyra (Jura) letrën e përshëndetjes të gazetarit Peggy Frey, i cili realizoi artikullin tek gazeta « Le Nouvelliste » « Ne kemi dy vende, dy histori ». Dhe ai vazhdon : « Në tavolinën e një familje shqiptare nga Kosova ngërthejnë kujtimet. Një mënyrë për të zbuluar traditat e këtyre të larguarve nga vendi i tyre dhe të vendosur në Zhyra. Në Zvicër, ata janë 200 mijë, bashkësia e dytë e huaj e vendit…E apasionuar për letërsi dhe gjuhësi, Nexhmija, nëna, jep mësim gjuhën shqipe fëmijëve të bashkësisë. Neziri, babai, ka punuar në ndërtimin e tuneleve të Transzhyrasë. Liburni, djali, fillon studimet për drejtësi në Universitetin e Friburgut”.

Gruaja që shërben në kafeterinë e PMU më thotë se do kërkojë të futet në asistencë. Dhe pse? Pasi miku im Gilles që iku javën e kaluar pinte aty 5 gota me ujë “Henniez” dhe linte gjithmonë 15 franga për to. Unë bëja shaka dhe i thosha të merrte ujë nga Klinika dhe të blinte aty një gotë. Por ai ishte skrupuloz në mendimet e tij. Unë vetë kënaqesha me një kafe ekspress dhe pamjen e bukur të maleve të Valesë, përballë dhe të Sierre poshtë.

21 gusht. Po lexoj librin e Philip Mansel me titull : « Charles-Joseph de Ligne » (1735-1814). Midis të tjerash në të thuhet : »Charles-Joseph, princ i Linjës (Ligne), qe Europian i shekullit të XVIII-të, për të cilin nuk egzistonin kufijtë. I bindur se « humbet konsideratën e vet në një vend ku jeton », duke folur frëngjisht, gjuhën ndërkombëtare të epokës, ai udhëtoi kudo, midis Parisit dhe Sen Petërsburgut, dhe kërkoi shtatë atdhe : gjë që përbën sot Belgjikën ku ai lindi, Perandorinë e Shenjtë romane gjermanike, Austrinë, Francën, Poloninë, Rusinë dhe Hungarinë…Kujtimet dhe letrat e tij përbëjnë dëshminë më të pasur që kemi mbi kohën kur Vjena ishte në fakt kryeqyteti i Europës. Ai jetoi atje 20 vite, në të njëjtën rrugë me Betovenin, dhe vdiq atje nga një të ftohtë që mori gjatë kongresit të Vjenës…Në Europë, kujtimi i Ligne, nuk është errësuar asnjëherë. Në Belgjikë, ai është hero kombëtar, dhe tema e vete e një botimi shkencor: „Analet e princit të Ligne“. Paul Valéry qe një fanatik i « princit hyjnor të Linjës ». Paul Morand përshëndeti tek ai « mishërimin e shekullit të XVIII-të ». Liria e tij e të shprehurit, europianizmi i tij i natyrshëm kanë ngjallur një interesim të ri. Cdo vit veprat e tij rishtypen. Në një kohë që Europa është duke rilindur, thotë Philip Mansel, qysh në 1992, dhe se Europa qëndrore, atdheu i dytë i Linjë, rijeton, ky kurtizan i shekullit të XVIII-të është një njeri i kohës sonë ».

Princi i Linjës mbante korrespondencë me Volterin, darkonte me Frederikun e Madh, përshkroi tej e përtej Krimenë me Katerinën e Madhe, korrigjoi dorëshkrimet e Kazanovës, shkëmbeu poema me Gëten. Ai jetoi dhe tregoi për vitet e arta të « Lumières », për rivalitetin midis Austrise dhe Prusisë për sundimin e Gjermanisë, premisat e rënies së Perandorisë osmane, lindjen e nacionalizmit gjerman dhe luftën e Europës për t’u çliruar nga hegjemonizmi napoleonian. Në Kongresin e Vjeneës të 1814, siç dëshmon zonja Eynard, anëtare e delegacionit zviceran, me të shoqin, që figurojnë midis kronikuesve më të mirë të Kongresit : « Fola pothuajse gjithë kohën me princin e Linjës, i cili është një admirator i madh i Zvicrës »

Princi Linjë e donte « Europën pa kufi » qysh në shekullin e kaluar. Dhe sot nga postulatat e tij dhe të shumë baballarëve të kësaj Europe, prekursori i së cilës ishte dhe mbetet Shumani, hendeku midis “Europës tjetër” dhe Europës së 27-ve nuk duhet të thellohet më. Ka ikur koha kur vende europiane apo edhe jashtë saj, pse jo, mbanin regjimin komunist të E.Hoxhës në pushtet, pasi kështu u interesonte në kuadrin e ekulibreve të tyre, me SHBA, apo edhe me Serbinë dhe regjimin e Titos dhe pastaj të Milosheviçit. Epoka e E.H. e kishte hequr Shqipërinë nga historia e përgjithshme e civilizimeve europiane, pasi ishte cilësuar një “vend i mbyllur”, “hermetik”. Por tani Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë më si portugezët kur “flakën” diktaturën në 1964, apo spanjollët që fshinë frankizmin dhe hynë në Europën e Brukselit, megjithë mangësitë që kishin në ato kohë. Shqiptarët nuk janë më si italianët, grekët dhe popuj të tjerë që u detyruan në fillim të shekullit të 20-të, apo edhe më vonë të merrnin rrugën e kurbetit, atje në Amerikën e largët.
Shqipëria është tanimë në NATO dhe ndoshta së shpejti në Bashkimin Europian, si dhe lëvizjen lirisht edhe të shqiptarëve në Europë, e në botë nuk do mundin ta ndalin më llobi serb apo edhe krahu i llobit grek, « armiq » të Shqipërisë apo edhe ndonjë tjetër që për interesa të ngushta nacionaliste hedh gurë nën rrogoz. E rëndësishme është që ne vetë shqiptarët të jemi solidarë dhe në unison për çështjet e kombit, parlamentarë, pozitarë dhe opozitarë, si gjithë kombet e tjera të qytetëruara : si Zvicra që e mendonin Shqipërinë rilindësit tanë, që brezat e ardhshëm të mos na mallkojnë dhe të na fusin në kallëpet e atij “qoftëlargut” që shkon nga e majta apo e djathta, ky fryn era e ngrohtë për të dhe familjen e tij të ngushtë. Jemi në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë dhe kur nuk ka kufij midis shtetesh si Zvicra, Franca, Austria, Lisenshteini, por vetëm fusha me grurë apo lule. Shqipëria dhe Kosova janë tepër të afërta me kulturat europiane. Me gjuhën tonë, ne kemi të përbashkëta kulturat e mbi 300 million europianëve. Ne jetojmë në një realitet multikulturor dhe multifetar që ka futur në gjirin e kontinentit një refuzim të centralizmit apo uniformitetit. Edhe Skënderbeu, Nënë Tereza, Isa Boletini, Adem Jashari, apo Guillaume Tell i Zvicrës bëjnë pjesë në pasurinë e përbashkët të Europës. Njeriu me shtizë gjendet në legjendat nordike, ashtu siç rrëfehen historira për heronjtë e Kombit tonë kudo.

23 gusht. Shkoj në Montana në kishën katolike Sacre - Coeur. Mbi dyqind vetë marrin pjesë në ritin e së djelës “Le t’I falemi Zotit”. Cdonjeri nga ne harron hallet dhe fal edhe atë që na ka bërë keq, në një mënyrë apo një tjetër. “Duheni çdonjerin, si trupin tuaj”, thotë prifti.

Alen ka shkuar tek kisha protestante që zbret për tek Kampingu „Mubra“ dhe më thotë se atje një vajze me emrin “Camilla” bëri pagëzimin. Diçka hyjnore dhe e paharrueshme, nga fotografitë që marrin të gjithë.

S’ka gjë më të mire se kur e respekton njeri tjetrin dhe fenë e tjetrit dhe të gjithë janë vëllezër, solidarë dhe mendojnë vetëm mirësinë dhe jo arrogance…

Takimi suprizë me ministren e jashtme të Zvicrës, të nderuarën Micheline Calmy-Rey

23 gusht, ora 10.30. Si zakonisht po dilja nga Kioska e zotit A.Moréira, tek Avenue de la Gare 10, Montana. Sapo kisha marrë gazetën shqip « Bota Sot », ku ishte botuar një shkrim i imi për përshtypjet nga Crans-Montana. Para meje shoh zonjën Micheline Calmy-Rey, presidente e Zvicrës dhe ministre e jashtme, shoqëruar nga një grua dhe një burrë, të afërmit e saj. Asnjë bodigard pranë saj. Ashtu e thjeshtë, e qeshur, me cullufin e saj karakteristik të përhimtë, ndalon. Me shtatin e saj të lartë, të një gruaje shteti, njësoj si Hilari Klinton apo edhe Angela Merkel. S’kam kohë të mendohem. Prezantohem duke i thënë emrin dhe duke e falenderuar edhe njëherë për letrën që më ka dërguar disa kohë më parë. Edhe për ndihmesën që ajo ka dhënë për shqiptarët dhe për politikën e jashtme zvicerane, të drejtuar nga ajo prej vitesh, për njohjen e Shtetit të Kosovës. Ajo më buzëqesh, dhe mollëzat e saj karakteristike shprehin kënaqësi. I shpreh dëshirën të dalin në fotografi dhe ajo pranon me kënaqësi. Pas një bisede të shkurtër dhe unë tepër i emocionuar, largohemi sikur të ishim miq prej kohësh. Ajo futet në kioskën ku unë shkoj çdo ditë, ashtu e thjeshtë, e përshëndetuar nga gjithë kalimtarët, për të blerë diçka. Unë kthehem tek kujtimet e mija menjëherë, pak i hutuar. Rastësia solli që unë të kem sot një takim të paharrueshëm me Micheline Calmy-Rey e cila kohën e ka shumë të kufizuar. Sapo është kthyer nga takimi me Hilari Klinton. Më mbeten në mendje të ngulitura fjalët e saj në letrën që më ka dërguar lidhur me angazhimin e Zvicrës për pavarësinë dhe ecurinë e demokracisë në Kosovë. Ndër të tjera ajo më shkruante në letrën e saj : « Lidhur me politikën e Zvicrës ndaj Kosovës, unë isha e ndjeshme ndaj dashamirësisë së fjalëve tuaja. Për Zvicrën, pavarësia e Kosovës është një faktor i rëndësishëm për garancitë institucionale të mbrojtjes së minoriteteve dhe të të drejtave humane, që përbën një nga preokupimet e saj të mëdha…Si nesër ashtu edhe sot, respektimi i standarteve është me një rëndësi themelore në një Kosovë të pavarur, « standartet beyond status », duke qënë parimi që duhet të jetë kryesor. Gjithashtu, një prani e fortë ndërkombëtare në Kosovë është e domosdoshme, dhe ajo do të qëndrojë akoma për shumë kohë ».

Në fund ministrja e jashtme zvicerane thekson « ju falenderoj për interesin që tregoni ndaj politikës së jashtme të Zvicrës, dhe pranoni sigurimin e konsideratës time të shquar ».

Lumturia në malet e Valesë të Zvicrës po mbaron dhe unë do të largohem, me kujtimet më të mira që do të vazhdojnë në treva të tjera, të kësaj toke me njerëz të pastër, punëtorë, që vetëm me mundin e tyre e kanë kthyer këtë tokë, vetëm 48 mijë metra katrorë në një oaz paqeje, mirëqënie dhe mirësie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat