4 masat kryesore të qeverisë zvicerane në dobi të firmave

Zvicra

4 masat kryesore të qeverisë zvicerane në dobi të firmave

Lirim Begzati Nga Lirim Begzati Më 22 mars 2020 Në ora: 11:13
Zvicër

Më 20 mars 2020, për zbutjen e pasojave ekonomike të Coronavirusit, Qeveria zvicerane vendosi për një sërë masash që kapin një vlerë prej 32 miliardë franga. Nëse kësaj i shtojmë edhe shumën e akorduar në kuadër një vendimi të mëhershëm, atëherë arrijmë në mbi 40 miliardë të vëna në dispozicion.

Qëllimi kryesor i këtyre masave është: mbrojtja e vendeve të punës, garantimi i pagave dhe mbështetja e ndërmarrjeve (firmave).

Ndër masat më kryesore të cilat parashikojnë një mbështetje dhe ndihmë ndaj ndërmarrjeve janë këto si vijojnë:

Ndihmë të menjëhershme në formë të kredive: shteti parashikon një program të një volumi prej 20 miliardë franga, për me iu mundësuar ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të marrin kredi bankare. Në kuadër të akordimit të këtyre kredive, sipas një marrëveshje me bankat, shteti do të mbanë rolin e garantuesit. Objektivi kryesor është që të mundësohet lehtësimi i marrjes së kredive, përmes një thjeshtësimi të dukshëm të formaliteteve dhe procedurave. Mos të harrojmë faktin se këtu flitet për kredi (me norma interesi modest), e jo për shuma të parave të ofruara pa detyrim për kthimin e tyre. Shumat që mund të merren varen posaçërisht nga statusi i ndërmarrjeve (për shembull, nga të ardhurat e tyre vjetore dhe nga pasojat financiare që i prekin nga kjo krizë, etj.). Pritet tani që këto masa të miratohen definitivisht brenda kësaj jave nga komisioni kompetent i financave pranë dhomave federale. Paralelisht me miratimin, pritet që të prezantohen gjithashtu të gjitha hollësitë lidhur me kushtet konkrete dhe formalitet e aplikuara;

Pagimi i kontributeve shoqërore (pensionit (AVS/AHV), invaliditetet, etj.): ndërmarrjeve të ballafaquara me këtë krizë iu lejohet që të shtynë afatin e pagesave të kontributeve shoqërore. Është fjala posaçërisht për ndërmarrjet e mbyllura momentalisht apo edhe ata që përballen me zvogëlimin drastik të të ardhurave. Shqyrtimi i kërkesave dhe analizimi i plotësimit të kushteve do të jetë në barrë të shërbimeve kantonale kompetente;

Fiskaliteti dhe pagesa e disa taksave: ndërmarrjet mund të bëjnë kërkesë për shtyrjen e afateve të pagesave të tilla. Do të aplikohet lirimi nga pagesa e normave të interesit. Për shembull, norma e interesit për TVSH do të zbritet në 0%;

Pezullimi i procedurave të përmbarimeve (“Betreibungen”, “Poursuites”): kjo vlen si për personat fizik (individët) ashtu edhe për personat juridik (p.sh. firmat). Afati i suspendimit vlen prej 19 mars deri më 4 prill 2020. Kjo nënkupton se nuk mund të hapen procedura të ndjekjes ndaj një debitori për pagesë borxhi brenda kësaj periudhe kohore. Nuk dihet në moment se a do të vazhdohet ky afat.

Për të gjitha masat e përmendura, mbeten pra ende hollësi me i sqaruar. Kështu që është e këshillueshme që personat të cilët munden potencialisht të përfitojnë nga këto mundësi, të informohen pranë instancave kompetente të kantonit ku jetojnë.

Aktorët e ndryshëm ekonomikë janë në pritje edhe të masave të tjera që nuk do të kufizoheshin vetëm ne akordimin e kredive apo shtyrjen e afateve të pagesave, por edhe në ndihma të formave të tjera siç janë, për shembull, ndihmë në pagesën e qirave të lokaleve afariste, hapjen eventuale të së drejtës për pagë nga sigurimi i papunësisë në dobi të personave që ushtrojnë aktivitet të pavarur (dhe që sipas rregullave aktuale nuk kanë të drejtë), etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat