Mërgimtarët tanë në Zvicër, ende mbajnë të ndezur vatrën e gjuhës dhe kulturës sonë në Medvegjë - Bota Sot
Mërgimtarët tanë në Zvicër, ende mbajnë të ndezur vatrën e gjuhës dhe kulturës sonë në Medvegjë

Zvicra

Mërgimtarët tanë në Zvicër, ende mbajnë të ndezur vatrën e gjuhës dhe kulturës sonë në Medvegjë

Nga: Arif Ejupi Më: 28 qershor 2020 Në ora: 10:38
Pamje nga takimi

Edhepse të ballafaquar me frikën e ndonjë infektimi të mundshëm me virusin Covid 19 ,shoqata Atdhetare “Medvegja “ me seli në qytezën Fully të kantonit Valais, të Zvicrës,  sot në orët e mbrëmjes ka mbajtur një takim pune me mërgimtarët tanë, në Gjenevë të Zvicrës dhe Annemasse të Francës.

Në mënyrë që të kursehen nga rrugëtimi i gjatë dhe shpenzimet e panevojshme mërgimtarët e këtyre dy qyteteve, Kryesia e kësaj shoqate takimin e organizoi në një nga sallat e restorantit “Savane " në Gaillard të Francës,qytezë kufitare me Gjenevën.

Informacione të detajuara mbi punën mbi 30 vjeçare të Shoqatës “ Medvegja" ka shpalosur z.Zenullah Namani,kryetar.

Prezantimi i aktiviteteve të kësaj shoqate në një shkrim gazete është i pamundshëm, sepse numri i aktiviteteve bamirëse është aq i madh saqë nuk mund të përmblidhet edhe në dy- tri Monografi.

Medvegjasët edhe pse në kushte tepër të rënda veprimi kanë ndihmuar në të gjitha trevat e banuara me shqiptarë.  

Kurse,gjendjen aktuale në Medvegjë e Sijarinë,para të pranishmëve e ka pasqyruar realisht e pa hiperbolizime z. Fadil Selmani,sekretar ekzekutiv i Shoqatës “Medvegja".

Selmani, thotë edhepse ka pasur  çdoherë në këtë rajon kapacitete intelektuale organizimi ka qenë i pamundshëm. Gjithmonë  pushteti serb ka ngritur barriera duke shpikur arsyetime të pakapshme për mendjen e njeriut normal. Sipas, z.Selmani,deri në vitin 2014 edhe ekspozimi  i simboleve kombëtare ka qenë i ndaluar.

Mohimi i kësaj të drejte elementare  do të kishte vazhduar edhe më tutje, sikur  të mos  ishte reagimi ynë, dhe i mekanizmave ndërkombëtarë.

Shumë banorëve autokton u janë shlyer adresat edhe pse ata disponojnë me dokumente të rregullta.

Me ligjet e Serbisë është  paraparë shënimi  vendbanimeve dhe rrugëve në gjuhën serbe dhe në  atë  shqipe.

Kjo lëre që s'është zbatuar asnjëherë,por ka shkaktuar provokim dhe revoltë, sepse të gjitha emërtimet e  banimeve dhe të rrugëve janë vetëm më atë ciriliken serbe,të lexueshme për ta dhe rusët.

Problem tjetër që duhet të tërheq vëmendjen e të gjithë ne është mosfinancimi nga ana e Serbisë, në ndërtim apo rinovim të objekteve  të Arsimit dhe të kulturës, në  vendbanimet me shqiptarë.

Edhe nëse ka gatishmëri për zhvillimin e blegtorisë apo kultivimin e plantacioneve me mollë,dardhë, kumbullë, qershi e lloje tjera pemësh shqiptarët asnjëherë s' vijnë në shprehje për përfitime grantesh.

Në këtë Krahinë, ekzistojnë edhe kushte të jashtëzakonshme për shtimin e bletarisë, por edhe në këtë rast që kërkon pak investim shqipëtarët janë të privuar,sepse pushteti qendror dhe ai lokal udhëhiqet nga serbët, të cilët para kërkesave të shqiptarëve bëhen sikur nuk shohin e sikur s'dëgjojnë.

Në këtë takim  ishte i pranishëm  edhe zoti Xhafer Shatri,aktivist  i hershëm i çështjes shqiptare dhe Ministër  i Informatave të Republikës së Kosovës, gjatë viteve të 90- ta.

Ai më përvojën e tij të gjatë tha" Nëse  tregohemi indiferent ndaj atyre njerëzve atje  që në pasiguri të vazhdueshme ruajnë tokë e varre të stërgjyshërve të tyre, do të jemi mëkatarë nga më të mëdhenjtë, dhe gjatë gjithë jetës do të  rëndojë mbi kurrizin tonë  guri i pendimit ”.

Ai, thirri edhe për vigjilencë më të madhe të dy shteteve tona Kosovës dhe Shqipërisë, karshi Kosovës Lindore, e cila edhepse me lakun  nën fyt dha kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha periudhat  si në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri.

Shatri në fjalën e tij përmbyllse tha duhet të skuqemi nëse vazhdojmë me avazin e vjetër që këta njerëz me njëmijë halle dhe pa status të definuar t'i përdorim ende vetëm si kartelë bankare".

Diskutuesi i radhës Arif Ejupi,tha që është borxh i Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut,që të nisin procedurat  e menjëhershme për ndërtimin e një memoriali,dhe shtëpie muze në kujtim të Akademik,Idriz Ajetit në Medvegjë apo Sijarinë,nga edhe ishte vendlindja e tij.

Ideja u përkrah unanimisht.Sidomos  Ali Sh. Mehmeti,me origjinë nga Kapiti  i Medvegjës,propozimin e vlerësoj si të qëlluar, duke thënë që një gjë të tillë do ta bënte çdo popull i botës.

Kontributi i Akademik Idriz Ajeti ,për Gjuhën dhe Kulturën shqiptare, i kalon edhe kufijtë kombëtar.

Falë punës së tij të palodhshme u  ngritën edhe katerdat e Gjuhës Shqipe,në vendet e Evropës Perëndimore,dhe u organizua Seminari i përvjetshëm Ndërkombëtar mbi Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë.

Meqenëse, poentë e këtij tubimi ishte realizimi i mjeteve të nevojshme për ndërtimin e dy shtëpive në Medvegjë,pjesa kryesore e punës u përqendrua rreth kësaj çështje.

Këto shtëpi u dedikohen dy kryefamiljarëve me fëmijë të vegjël, e me pamundësi materiale për t'u siguruar familjeve të tyre kulm mbi kokë.

Edhe kësaj radhe me kontributin e tij në këtë tubim u dallua zoti  Xhafer Shatri. Mirëpo,ai për shkaqe  mondestie nuk pranoi ta bëjë publike ndihmën e tij.

Secili nga donatorët për kontributin mori  fletëdëshmi.  Të gjithë ata njerëz të vullnetit të mirë që duan ta plotësojnë pjesën e munguar të mjeteve mund të marrin kontakt të drejtpërdrejtë në numër celulari 0041/795026688, me zotin Fadil Selmani,sekretar ekzekutiv  i Shoqatës “Medvegja “.

Image
Pamje nga takimi
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat