Sot, Zvicra votoi për vazhdimësinë e marrëveshjeve bilaterale me BE

Zvicra

Sot, Zvicra votoi për vazhdimësinë e marrëveshjeve bilaterale me BE

Nga: Lirim Begzati Më: 27 shtator 2020 Në ora: 17:31
Lirim Begzati

Në votimin e ditës së sotme ku popullata në Zvicër u ftua të shprehet lidhur me një iniciativë të së djathtës ekstreme dhe që e prekte thelbin e marrëveshjeve që e lidhin këtë shtet me Bashkësinë evropiane (BE), zviceranët vendosën qartazi dhe bindshëm (mbi 60% e votuesëve) që mos e përkrahin nismën në fjalë.

Pa ndonjë befasi të madhe, rezultati i zgjedhjeve dëshmoi se Zvicra e konsideroi të dobishme mbetjen e mëtutjeshme në fuqi të marrëveshjes mbi lëvizjen e lirë të personave me BE. 

Po pra, së paku në këndvështrimin e interesave të ekonomisë zvicerane, u kuptua qartë, dhe një herë e përgjithmonë, se ky shtet varet nga “mirëqenia” e marrëveshjeve dhe shkëmbimeve ekonomike me Evropën.

Me gjithë faktin se nismëtaret e iniciativës kultivonin sloganin  “për një imigrim të moderuar”, strategjia e zgjedhur e tyre nuk mjaftoi për me e bindur trupin elektoral zviceran për me i dhënë fund një instrumenti juridik, i cili paraqet një shtyllë të pakontestueshme të funksionimit shumëdimensional të këtij shteti.

Zviceranët e kuptuan mirë se nuk ishte në pyetje vetëm shkëputja eventuale e marrëveshjes së qarkullimit të lirë të personave pasi që ekziston një lidhshmëri juridike dhe një n’varshmëri direke në mes të marrëveshjeve të shumta që e lidhin Zvicrën me BE.

Nëse i jepej fund një marrëveshje, shteti i futej pra një loje vërtetë të rrezikshme, e cila do të shpinte në shkëputjen automatike të marrëveshjeve të tjera bilaterale me BE, të cilat i prekin shumë sektorë ekzistencial të shoqërisë zvicerane. 

Kësisoj, rezultati demokratik i ditës së sotme i shmangu pra pasojat e shumta negative. Mirëpo, klima aktuale politike është një indikator që tregon se nuk do të vonohen të shfaqen edhe sfidat tjera të rradhës të cilat e prekin sidomos fushën e menaxhimit të migrimit. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat