Lajmi i fundit: Pensione më të larta në Zvicër që nga 1 janari 2021

Zvicra

Lajmi i fundit: Pensione më të larta në Zvicër që nga 1 janari 2021

 Lirim Begzati Nga Lirim Begzati Më 14 tetor 2020 Në ora: 20:19
Ilustrim

Sipas një vendimi të Qeverisë zvicerane dhe një komunikate të ditës së sotme, pensioni aktual minimal mujor prej 1’185 franga zmadhohet për 10 franga duke kaluar kështu në 1'195 franga, kurse ai maksimal zmadhohet për 20 franga, që nënkupton se do të jetë 2’390 franga (në vend të 2'370 franga). Këto llogari vlejnë për një person dhe një ngritje do të ketë natyrisht edhe për personat e martuar (të cilët mund të realizojnë 3'585 franga maksimum).

Vendimi i tillë, i cili natyrisht duket simbolik, duhet me e vënë në kontekstin e çmimit të përgjithshëm që shkakton ai, marrë parasysh faktin se numri i të pensionuarave shtohet gradualisht në Zvicër, kurse, nga ana tjetër, kuotizimet e paguara duket, tepër e më tepër, se i mbulojnë me ca vështirësi nevojat aktuale!

Kuptohet se shumat e sipërpërmendura duken jashtëzakonisht të ulta, dhe nuk përputhen assesi me atë që mendohet nganjëherë ! Bile as të mjaftueshme për me siguruar minimumin jetësor, marrë parasysh koston e jetesës në këtë shtet.

Këtu bëhet fjalë vetëm për pensionin bazë, sipas rregullave të Shtyllës së parë - Sigurimi i pleqërisë dhe për të mbijetuarit (« Assurance-vieillesse et survivants – AVS » (fr.), « Alters-und hinterlassenenversicherung – AHV » (gj.)).

Për me shpresuar një pension më të lartë, duhet analizuar se çfarë kontributesh tjera kemi paguar apo çfarë kapitali posedojmë në dy shtyllat tjera zvicerane të pensionimit, siç janë

Ø Shtylla e dytë - Arka e pensionimit (« Caisse de pension - Prévoyance Professionnelle - 2ème pilier » (fr.), « Pensionskasse » (gj.)) ;

Ø Shtylla e tretë - Sigurimet private të pensionimit (« Prévoyance Privée - 3ème pilier » (fr.), « Dritte Säule » (gj.)).

Pagesa e kontributeve në shtyllën e dytë, e cila në shumicën dërmuese të rasteve është e obligueshme, natyrisht se mundëson që të realizohet një pension më i lartë.

Mirëpo, tepër e më tepër, është shtuar sot numri i personave që i tërheqin para kohe paratë e tyre nga kjo arkë, sidomos për me investuar, për shembull, në blerjen e një banese apo për hapjen e një biznesi. Kjo ka si pasojë që niveli i shumës së parave të mbetura në arkën përkatëse të zvogëlohet nganjëherë në mënyrë drastike.

Është konstatuar se pagesa e kontributeve në shtyllën e tretë është e një vlere të padiskutueshme, por të paktë janë ato persona që e shfrytëzojnë këtë mundësi! Ajo s’është e obligueshme, por përparësitë e saj janë tejet të mëdha; përveçse shtohen të ardhurat në moshën e pensionimit, bëhen ndërkohë edhe kursime të konsiderueshme në pagesën e tatimeve.

Kuptohet se nëse një individë duhet të jetojë vetëm me një pension bazik i cili nuk do t’i kishte mjaftuar, shteti parashikon ndihma shtesë për këto raste, kurse rregullat që aplikohen përputhen deri diku me ato të ndihmave sociale që kanë të bëjnë me minimumin jetësor.

Po pra, është krejtësisht e mundshme që edhe pse dikush ka punuar tërë jetën e tij në Zvicër, prapëseprapë mund t’i ndodhë që në moshën e pensionimit të jetë i detyruar t'iu drejtohet shërbimeve të shtetit për me kërkuar ndihmë! Ndryshe me thënë, të konsiderohet si një rast social!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat