Përkujtohet veprimtari shumëvjeçar i degës së LDK-së në Zvicër, Nazmi Peci

Zvicra

Përkujtohet veprimtari shumëvjeçar i degës së LDK-së në Zvicër, Nazmi Peci

Nga: Shefqet Dibrani Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 18:07
Nazmi Peci

Të dielën më 14. Nëntor 2021, në qytezën Horgen, Kantoni Cyrih, familjarë të shumtë, miq të afërm dhe disa nga bashkëveprimtarët e ing. Nazmi Pecit, nënë emocione përkujtuan veprimtarin dhe nënkryetarin shumëvjeçar në Degën e LDK-së në Zvicër ing. Nazmi Pecin, në njëvjetorin e vdekjes së tij.

Në një sallë e përshtatur sipas rregullave për pandeminë COWID-19, familjarët e Nazmi Pecit kishin ftuar miq dhe veprimtarë të LDK-së, për të përkujtuar kryefamiljarin e tyre ing. Nazmi Pecin. Takimi ishte i ngrohtë dhe mjaftë emocional, sidomos kur për Babain e tyre rrëfenin kujtimet katër fëmijet e tij: Fisniku, Kreshniku, Arianiti dhe Lindita, vajza e Nazmiut, të cilët në mënyrë spontane dhe tejet origjinale rrëfenin kujtimet e tyre që nga fëmijëria, dhe secili në mënyrën e vet zbardhte karakteristika të prindit, babait dhe idolit të tyre. Por, ishte Arianiti, i cili me rrëfimin e tij emocional, i bëri të gjithë të pranishmit me lot në sy. Në rrëfimet familjare u dallua edhe dhëndrri i Nazmiut, dr. Astrit Neziraj, i cili me pietet evokoi momente mbresëlënëse me të.

Po me kaq emocione ishte edhe paraqitja e mr. Shaip Latifit, njëri nga themeluesit dhe kryetari i parë i Degës së LDK-së, i cili me pietet evokoi kujtime për ing. Nazmi Pecin, për kolegun e tij të punës në Kosovë, e pastaj edhe në Zvicër si bashkëveprimtar shumëvjeçar, mik dhe shok i dalluar, prër këtë arsye mr. Shaip Latifi, kishte ardhur nga Kosova, për të nderuar mikun dhe bashkëveprimtarin që e deshi aq shumë.

Në këtë tubim përkujtimor pos të tjerash u tha se ing. Nazmi Peci, ishte veprimtar me virtyte të larta njerëzore. Ai u cilësua si emblematik dhe karizmatik në Degën e LDK-së në Zvicër, dhe ishte nënkryetar i kësaj Dege, pastaj Kryetar i Fondit Humanitar Gjithëkombëtar, por edhe Kryetar i Fondit të Trepërqindëshit, nga i cili post në vitin 1993 u shkarkua nga Isa Mustafa, i cili bashkë me dr. Bujar Bukoshin, atë vit kishin nisur një luftë të shtrigave kundër Degës së LDK-së në Zvicër, që përfundoi me epilogun e njohur, pasi detyruan të tërhiqej mr. Shaip Latifin, nga posti i kryetarit në Degën e LDK-së në Zvicër.

Nëpër rrëfime të shumta u theksua se ing. Nazmi Peci, ishte shkarkuar nga detyra e drejtorit në Kombinatin Trepça në Mitrovicë, pastaj është bërë burgosja dhe izolimi i tij bashkë me 215 intelektualë shqiptarë nga Kosova, e deri tek dhuna fizike kundër tij në vitin 2016, këtë të fundit e shkaktuan grupe militantësh të Isa Mustafës, atëherë kryetar i LDK-së.

Secili nga të pranishmit, kishte se çfarë të rrëfente nga takimet dhe njohja me ing. Nazmi Pecin, si dhe u falënderua familja e tij për këtë organizim i cili ishte më shumë se sa emocional. Në vazhdim të pranishmit shprehen dhembje për vuajtjet e tij në dy vjetët e fundit të jetës së tij, pasi siç dihet Nazmi Peci, ka lënguar nga një sulm virusal i cili i pat shkaktuar çrregullime serioze, duke ia pamundësuar jetën aktive, prandaj ai detyrimisht këtë kohë e kaloi pranë familjes dhe fëmijëve të vet.

Pos mr. Shaip Latifit, për personalitetin e ing. Nazmi Pecit, kujtime evokuan edhe: Shefqet Dibrani, Xhelal Molliqaj, Isa Maliqi, Jusuf Demaj, Hysen Shehu, Shaqir Shala, Qamil Çekaj dhe Skënder Tolaj, të cilët arritën t’i permendnin mjaftë veti e karakteristika të bashëkëveprimtarit të tyre, me të cilin kishin bashkëpunuar për dekada me radhë. Në këtë përvjetor u shtrua ideja për botimin e shkrimeve të shumta që i ka lënë pas vete ky veprmtar shumëvjeçar. Po ashtu u diskutua edhe mundësia e hartimit dhe të botimit të një monografie, në të cilën do të përfshiheshin kujtimet e familjarëve, shokëve dhe të bashkëveprimtarëve të ing. Nazmi Pecit.

Për të pranishmit, familja e Nazmi Pecit, shtroi një koktej rasti!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat