Nga gazetari deri te deputeti i Kantonit të Fribourg-ut në Zvicër

Zvicra

Nga gazetari deri te deputeti i Kantonit të Fribourg-ut në Zvicër

Nga: Sevdail Hyseni Më: 14 shkurt 2022 Në ora: 09:15
Ismail Ismaili, deputet në Kantonin Fribourg-ut në Zvicrës

Jemi në gjysmën e dytë të shkurtit, muajit më të shkurt, të vitit kalendarik, në të cilin koha bënë me diell e që nuk të lë përshtypjen se jemi në dimër. Në një nga kafiteritë më të bukura të Bujanocit, të nivelit të Vip-it, rrimë ulur ballë për ballë me Ismail Ismailin, deputetin në Kantonin Fribourg-ut në Zvicrës, duke u çmallur si dy gazetarë e miq të vjetër.

Më ka rënë shpesh të bisedoj e të shkruaj për personalitete të kulturës, politikës, sportit, por s’kam rastisur të shkruaj për gazetarët, mision të cilin e ushtroj edhe unë me dekada. Nuk e kisha lehtë të argëtohem me një shkrim për mikun tim gazetar, ngase, ai, herët u largua nga vendlindja e tij, pa dashje të tij, ashtu siç ikën dhe vazhdojnë të ikin edhe shumë bashkëvendës të tij.

Miku im gazetar, hoqi dorë nga gazetaria për t’u bërë kurbetçar, madje ma vonë edhe deputet në Zvicër. Nuk thuhet kot një gazetar i mirë mund të bëhet politikan i mirë, kurse politikani kurrë gazetar i mirë!

Deputeti

Bashkëbiseduesi im Ismail Ismaili, është me origjinë nga Tërnoci, Komuna e Bujanocit, Lugina e Preshevës. Para se të shkëputej nga trungu i vendlindjes, punonte si gazetar në Radio Gjilanin, të vetmin medium për Anamoravë dhe Luginë, korrespodent nga Komuna e Bujanocit. Ishin vitet e 77-ta, kur fjala e lirë e gazetarisë, peshohej me vagën politike dhe dënohej me deliktin verbal.

Image
Babë e bijë Ismaili dhe Valentina nga Tërnoci i Bujanocit deputetë në Kantonin Fribourg-ut në Zvicrës

Këtë profesion e ushtroi jo më pak se gjashtë vjet, për t’u larguar familjarisht si shumë intelektualë të tjerë në Zvicër, pikërisht në Domdidier, ku edhe sot jeton dhe vepron familjarisht. Tani jo si gazetar i dikurshëm, por si deputet në mandatin pesëvjeçar nga radhët e Partisë Socialiste Zvicerane të Kantonit të Fribourg-ut, së bashku vajzën e tij Valentinë (Ismaili) Xheladinini, e cila ishte edhe sot bënë punë të mirë në këtë subjekt politik në kuadër të shtetit helvetik.

Kandidimi

Më 7 mars të këtij viti, bëhen 12 muaj nga zgjedhjet e zhvilluara në Zvicër për deputet kantoni, në të cilat morën pjesë shumë shqiptarë, por për Kuvendin e Belmont-Broye, në Kantonin Fribourg, i siguruan vetëm dy ulëse edhe ata babë e bijë Ismaili dhe Valentina nga Tërnoci i Bujanocit.

Ismail Ismaili dhe Valentinë (Ismaili), garuan së bashku dhe tashmë të dy do të jenë përfaqësues në Kuvend dhe do të angazhohen për përfshirjen e bashkëkombësve në politikë-bërjen e shtetit helvetik. Ismaili u rizgjodh për herë dytë, ndërsa Valentina e ka mandatin e parë pesëvjeçar në këtë organ Legjislativ. Për kontributin e tij të dhënë në PS, Ismailit kësaj here, nga bashkëpartiakët zviceranë ju besua posti në Komisionin (pesëanëtarësh) për Naturalizim (pasaportat zvicerane). Në këtë drejtim ndihmesa e deputetit është pazëvendësueshme e sidomos në sensibilizimin e bashkëkombësve të tij, që të postulojnë sa më parë për pasaportat zvicerane.

Ismaili dhe Valentina ishin kandidatë të Listës së Partisë Socialiste Zvicerane për këtë regjion, duke treguar një kulturë të lartë politike dhe duke grumbulluar jo vetëm e votat e shqiptarëve, por edhe të zviceranëve. Ata gati po i mbushin një vit të mandatit të tyre të deputetit, me një pjesëmarrje solide në seancat e legjislativit në Zvicër.

Ismaili pati rastin edhe që të merret me shumë kandidatë Evropianë dhe jo vetëm, të cilët synonin pasaportën zvicerane.

Image
Kandidatët për deputetë të Listës së Partisë Socialiste Zvicerane, në mesin e tyre edhe Ismaili dhe Valentina

Përkushtimi

Qoftë gjatë fushatës elektorale, qoftë gjatë paraqitjes së tyre në publik, deputetët Ismaili dhe Valentina, tregojnë një përkushtim të zellshëm në misionin e tyre, duke joshur bashkëkombësit e tyre, që jetojnë në Kantonin Fribourg-ut, të kyçen në jetën politike dhe të bëhen pjesë të vendimmarrjes dhe institucioneve zvicerane.

Miku im tani deputet, nuk e ka në natyrën e tij, të lavdërohet për angazhimet e tij në sferën e politikës, kuptohet nga modestie, por të tjerët flasin për punën e tij pragmatike. Ai, nuk është pishman, që nga misioni i gazetarit ka kaluar në atë politik, duke e llogaritur si art i së mundshmes, në një vend me demokraci të dëshmuar e jo si te ne politikën e vejmë në plan të parë e profesionalizmin në të dytën ose askund.

Pavarësisht largimit nga fusha e gazetarisë deputetit Ismaili, i pëlqen të dëgjoj për gjendjen e informimit shqip në Kosovë dhe në krahun e saj lindor, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe i dhemb shpirti, për këtë sferë nga më të ndjeshmet të shoqërisë tonë, e cila po e përjeton periudhën më të vështirë të saj, që nga ekzistimi. Kosova nuk ka gazeta të printuara e në Luginë të Preshevës, situate është alarmante.

Nostalgjia

Deputeti Ismail Ismaili, përkundër angazhimeve të shumta, ai, nuk e ka harruar vendlindjen e tij Tërnocin, të cilin e viziton po thuajse në çdo katër stinët e vitit, sa herë që ka festa nacionale e fetare.

Sa herë në vizitë të vendlindjes, takon shokë e miq të vjetër e të rinj, duke i ndarë me ta gëzimet dhe hidhërimet e jetës. S’ka se si të mos ndiej mall e nostalgji për vendlindjen e tij, kur ishte dikur aktivist i rinisë në gjimnaz, pastaj është shumë krenar që ishte gazetar i redaktorit të së përditshmes kosovare Rilindja, Esat Dujaka, legjendës së gazetarisë shqiptare.

Deputeti Ismail Ismaili, tani nuk ka vetëm miq politikanë, por edhe gazetarë me të cilët mbanë lidhje miqësore si: Omer Karabeg, gazetar i Radio Evropa e Lirë në Pragë, pastaj gazetarët: Lorenc Vangjelin, Alban Dodushin etj.

Ndahemi në këtë fundjavë shkurti, me mikun tim gazetar e tani deputet në Zvicër Ismail Ismaili, për t‘u takuar përsëri me lajme të reja të sukseseve dhe përparimit në fushën e informimit dhe politikës, dy nga shtyllat kryesore të fuqisë botërore. Me të mira…

Image
Atmosfera e kremtimit të fitores të kandidatëve për deputetë të PS te Zvicrës, në mesin e të cilëve është deputeti karizmatik Ismail Ismaili
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat