Babai i Granit Xhakës zgjedhet Kryetar i degës së PDK-së në Zvicër

Zvicra

Babai i Granit Xhakës zgjedhet Kryetar i degës së PDK-së në Zvicër

Më: 14 maj 2022 Në ora: 19:00
Memli Krasniqi dhe Ragip Xhaka

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me bashkëpunëtorë, ka qëndruar sot në Aargau të Zvicrës, ku u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Degës së PDK-së, pas një pune disa mujore për themelimin e nëndegëve të PDK-së në Zvicër kudo ku jetojnë shqiptarët. 

Pas pjesës së parë ceremoniale, Kuvendi Zgjedhor i PDK-së në Zvicër vijoi me zgjedhjet e strukturave udhëheqëse, kryetar i Degës së PDK-së në Zvicër u zgjodh Ragip Xhaka, një aktivist i kahershëm i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh babai i dy prej sportistëve shqiptarë, Granit e Taulant Xhaka. 

Gjatë fjalimit të tij, Krasniqi falënderoi bashkatdhetarët për pritjen madhështore duke thënë se mërgatën tonë dhe origjinën e Partisë Demokratike, para se t’i lidhë politika, i ka lidhur kauza e shenjtë për liri dhe kontributi e rrugëtimi i përbashkët në ditët e lavdisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Qysh para gati 30 vitesh tashmë, pikërisht këtu në Zvicër, liderët tanë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë me ju e shumë atdhetarë të tjerë si ju, kanë qenë duke punuar ditë e natë, për ta ngritur UÇK-në e përmes saj, lirinë e Kosovës. Prandaj, ne nuk harrojmë të shprehim respektin e thellë dhe mirënjohjen e përjetshme për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në arritjen e lirisë dhe ngritjen e shtetit tonë të pavarur.”, tha ai.

Krasniqi tha se mërgata ndër vite është bërë për shtyllë për shoqërinë duke ndihmuar ekonominë e Kosovës dhe duke ndërtuar fizionominë e saj.

“Por, çka është më e rëndësishmja, ju e keni sjellë edhe Kosovën në Zvicër. Xhaka, Shaqiri, Behrami e shumë sportistë e artistë të tjerë, sot i bëjnë nder secilit kosovar, secilit shqiptar kudo që është, me kontributin e tyre në zhvillimin e sportit, artit e kulturës, e fushave të tjera këtu në Zvicër. Po ashtu, plot ndërmarrës e biznesmenë të suksesshëm që janë bërë shembull i punës e përkushtimit në Zvicër, na nderojnë edhe neve në Kosovë. Na bën krenarë fakti se ju në Zvicër, jeni integruar në këtë shtet më mirë se kushdo tjetër nga jashtë, pa e shkëputur as edhe më të voglin element që ju lidhë me Kosovën, me kombin tonë dhe njerëzit tuaj atje. E po aq shumë krenohemi me të rinjtë e të rejat që janë arsimuar e po arsimohen, e të cilët, përveç që janë bërë kampionë në punë në shumë drejtime, tash kanë filluar me qenë pjesë erëndësishme e drejtimit të shtetit zviceran në shumë nivele.”, u shpreh kryetari i PDK-së.

Krasniqi tha se nëse ka një parti në Kosovë që ka për çfarë të krenohet, ajo është PDK-ja, sepse nuk e ka ndalur asnjëherë punën, përkundër përpjekjeve për ta sabotuar dhe penguar.

“Prandaj, rikthimi ynë në mërgatë nuk është rikthim i as përkohshëm e as sezonal. Është rikthim reformues, sepse ne kemi nevojë për njëri-tjetrin. Sot nuk po përfundon asgjë. Po përmbyllet një punë e jashtëzakonshme për të cilën dua ta falënderoj personalisht dhe individualisht secilin që ka kontribuar që nga dita e parë që ka filluar ky angazhim e deri sot, të gjithë juve që jeni organizuar anë e mbanë Zvicrës, nëpër të gjitha kantonet dhe të gjithë juve që keni ardhur sot si delegatë, për të përfaqësuar vullnetin politik të kolegëve tuaj që ju kanë deleguar këtu. Po e them sot asgjë s’do të përfundojë. Përkundrazi! Sot po nis një fillim i ri i angazhimit tonë të madh në Zvicër. Në çdo kanton e qytet. Bashkërisht. Për vendin tonë, për shtetin tonë dhe për të ardhmen tonë.”, shtoi ai.

Kryetari i PDK-së tha se ky mision i partisë nuk mund të arrihet vetëm, dhe këtu nuk ka dallim mes atyre që jetojnë në Kosovë dhe jashtë saj, sepse dashuria për Kosovën është e njëjtë.

“Ju ftoj që të hapeni e t’i jepni hapësirë PDK-së dhe strukturave të saj që të plotësojmë njëri-tjetrin aty ku mundemi e së bashku të punojmë për Republikën e Kosovës, e cila për të gjithë qytetarët është mundësi dhe për të gjithë të rinjtë e të rejat do të bëhet perspektivë. Dilema rreth të ardhmes tonë nuk ka. Dilemë së kush mund ta prodhojë një të ardhme prosperuese nuk duhet të ketë. Këtë do ta bëjmë së bashku, si bashkëkombës e bashkatdhetarë, nën vlerat, vizionin dhe siglën e Partisë Demokratike të Kosovës.”, theksoi Krasniqi.

Nga shteti mik i Zvicrës, punimet e Kuvendit të Degës i nderoi me praninë e saj deputetja e Parlamentit të Konfederatës së Zvicrës, Marianne Binder-Keller.

Ajo tha se organizimi kaq i madh i Partisë Demokratike të Kosovës në Zvicër i shërben bashkimit të qytetarëve dhe organizimin e tyre në aktivitete të ndryshme shoqërore. 

Deputetja Marianne Binder-Keller tha se shteti i Zvicrës do të vazhdojë ta ndihmojë shtetin e Kosovës dhe do ta thellojë bashkëpunimin në gjitha fushat.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Organizimin e Partisë Demokratike të Kosovës në Mërgatë, deputeti Elmi Reçica,gjatë fjalës së tij tha se mërgata është pjesa më e rëndësishme e të gjitha proceseve, të cilat janë zhvilluar në hapësirën shqiptare.

Sipas Reçicës, pa kontributin, pa angazhimin dhe pa mbështetjen e mërgatës, Kosova nuk do të mund të çlirohej e të zhvillohej. 

“Mërgata ka kontribuar dhe kontribuon në lidhjet mes shteteve tona, mes shtetit të Zvicrës, të cilin e falënderoj shumë dhe jam shumë mirënjohës për mbështetjen dhe për strehimin që ua ka bërë njerëzve tanë. Por, njëkohësisht e falënderoj shumë për mundësitë që ua ka krijuar që sot mërgata jonë të jetë pjesë shumë e rëndësishme e Konfederatës së Zvicrës.”, tha Reçica.

Ai theksoi se asnjë çështje me rëndësi dhe me vlerë për Kosovën, nuk do të kalojë pa u diskutuar me mërgatën dhe se PDK do të përpiqet që të krijojë kushte që afaristët nga mërgata të kontribuojnë në Kosovë.

Kuvendi Zgjedhor i PDK-së në Zvicër sot ka zgjedhur edhe anëtarët e Këshillit Drejtues dhe më pas do të vijojnë edhe zgjedhjet për Kryesinë e Degës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat