Në një vizitë shtetërore me nderime të larta në Bernë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u prit zyrtarisht nga autoritetet e larta zvicerane, duke shënuar një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Një nga momentet që tërhoqi vëmendjen e mediave ishte prania e futbollistit të njohur Xherdan Shaqiri në darkën shtetërore të organizuar në nder të Presidentes Osmani. Ylli i FC Basel, i lindur në Gjilan dhe i rritur në Zvicër, konsiderohet simbol i lidhjeve të ngushta mes dy vendeve.
Pranim me nderime të larta në Bernë

Pas konferencës së përbashkët për media, delegacionet morën pjesë në darkën shtetërore në ambientet e “Bernerhof”, selia e Ministrisë Federale të Financave. Përveç Presidenteve Vjosa Osmani dhe Karin Keller-Sutter, të pranishëm ishin edhe bashkëshortët e tyre, Prindon Sadriu dhe Morten Keller, si dhe personalitete të tjera politike, kulturore dhe sportive.
Shaqiri – një ndër të ftuarit specialë
Pjesëmarrja e Shaqirit në këtë ngjarje shtetërore u vlerësua si simbolike dhe domethënëse. Ai është një nga figurat më të njohura të diasporës kosovare në Zvicër dhe një dëshmi e integrimit të suksesshëm të komunitetit shqiptar në shoqërinë zvicerane.
Keller-Sutter: Popullsia kosovare është mirë e integruar
Presidentja zvicerane, Karin Keller-Sutter, theksoi se integrimi i diasporës kosovare ka qenë një proces sfidues në fillim, por sot ajo e konsideron këtë komunitet tërësisht të integruar dhe kontribuues në shoqërinë zvicerane. “Sot, shumë qytetarë me origjinë nga Kosova janë të integruar në mënyrë të shkëlqyer”, tha ajo.
Osmani: Kosova ka nevojë për miq të fortë si Zvicra
Në fjalën e saj, Presidentja Osmani u shpreh se Kosova dhe Zvicra ndajnë vlera të përbashkëta si liria, demokracia dhe solidariteti. “Janë këto vlera që duhet t’i mbrojmë çdo ditë dhe që do të jenë busull për të ardhmen tonë. Kosova ka nevojë për miq të fortë. Kjo vizitë është dëshmi e krijimit të urave të reja të bashkëpunimit”, u shpreh Osmani. Ajo shtoi se mbi këto ura do të ndërtohet një partneritet i qëndrueshëm dhe afatgjatë mes dy vendeve.