Nën shi, me zemër plot krenari – diaspora shqiptare i dhuron emocione Presidentes Osmani në Zvicër

Zvicra

Nën shi, me zemër plot krenari – diaspora shqiptare i dhuron emocione Presidentes Osmani në Zvicër

Nga: Dashnim Hebibi Më: 22 maj 2025 Në ora: 08:58
Vjosa Osmani

Emocione, krenari dhe mirënjohje në Zvicër: Presidentja Osmani pritet me nderime nga bashkatdhetarët dhe autoritetet zvicerane. Me rastin e vizitës shtetërore që Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S.Znj. Vjosa Osmani, nisi dje në Konfederatën Helvetike, një detaj prekës preku zemrat e mediave dhe qytetarëve të shumtë të pranishëm. Një mërgimtar, ende në orar pune, shfrytëzoi pauzën e drekës për të ndjekur ceremoninë zyrtare të pritjes që iu bë Presidentes së Kosovës para Parlamentit të Zvicrës.

Ai, mes reshjeve të shiut, në një dorë mbante telefonin për të fotografuar momentet historike, ndërsa në tjetrën vazhdonte punën e tij — një pamje që përfaqëson përkushtimin, dashurinë dhe krenarinë e mërgatës shqiptare për vendlindjen.Pavarësisht kushteve atmosferike dhe faktit që ishte ditë pune, një numër i madh bashkatdhetarësh ishin mbledhur për të nderuar Presidenten Osmani, por gjithashtu për të shprehur mirënjohje ndaj shtetit mik të Zvicrës, i cili tradicionalisht ka qëndruar pranë Kosovës dhe popullit të saj. Në duart e të pranishmëve ne nga sam24.info i pamë due valuar krenarisht flamujt e Kosovës, Shqipërisë, Dardanisë dhe Zvicrës. Edhe fëmijët mbanin në duar po ato flamuj, ndërsa emocionet përshkonin fytyrat e të gjithëve. Disa bashkatdhetarë kishin përgatitur dhurata modeste për Presidenten, të cilat nuk arritën t’i dorëzonin për shkak të masave të rrepta të sigurisë — masë plotësisht e kuptueshme në vizita të tilla zyrtare.

E megjithatë, Presidentja Osmani u ndal disa herë për të përshëndetur qytetarët, për të bërë fotografi me ta dhe veçanërisht me fëmijët që e pritën me entuziazëm dhe dashuri. Ky gjest i ngrohtë i Presidentes, qëndroi si simbol i afërsisë dhe respektit ndaj diasporës, e cila ka qenë dhe mbetet një shtyllë e rëndësishme në ndërtimin e miqësisë me Zvicrën.

Sipas burimeve tona, sot Presidentja Osmani do të zhvillojë disa takime të rëndësishme me Presidenten e Zvicrës në kantonin St. Gallen, për të vazhduar më pas vizitën në mbrëmje në qytetin e Gjenevës.

Kjo vizitë po konsiderohet si një moment historik në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe është për t’u vlerësuar vëmendja dhe respekti që autoritetet zvicerane i kanë kushtuar deri në detaj — përfshirë edhe përgatitjen e buqetave me ngjyrat e flamurit të Kosovës.

Respekt për Zvicrën dhe për gjeneratën e parë të mërgatës shqiptare — të cilët ishin, janë dhe do të mbesin themeli i fuqishëm i kësaj miqësie të sinqertë me një ndër shtetet më të sigurta dhe më të dashura për shqiptarët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat