Shoqëria Kulturore dhe Artistike “Dardania”, me seli në Winterthur, vazhdon të jetë një nga bartëset kryesore të trashëgimisë kulturore shqiptare në Zvicër. Me përkushtim dhe pasion, ajo jo vetëm që kultivon dhe ruan identitetin shqiptar te fëmijët e komunitetit tonë, por edhe ndërton ura miqësie dhe bashkëpunimi mes kulturave përmes aktiviteteve multikulturore. Në bashkëpunim me shkollat zvicerane, SH.K.A “Dardania” ka qenë pjesë e një sërë festash në të gjithë kantonin e Cyrihut – një përpjekje që po vazhdon me sukses.
Një nga ngjarjet më të fundit që dëshmoi këtë përkushtim ishte pjesëmarrja e grupit të fëmijëve të “Dardanisë” në festën e organizuar nga shkolla “Auserdorf Schule” në Winterthur. Në këtë festë ku morën pjesë fëmijë nga kombe të ndryshme dhe shumë prindër, atmosfera u ngroh edhe më shumë nga prezenca dhe energjia e fëmijëve shqiptarë nën udhëheqjen e SH.K.A “Dardania”.
Pika kulmore e mbrëmjes ishte vallja e përbashkët, ku të gjithë fëmijët – pavarësisht prejardhjes etnike – u bashkuan në valle nën tingujt e muzikës shqiptare, duke krijuar një moment të rrallë bashkimi dhe harmonie. Prindërit që ishin të pranishëm u shprehën të emocionuar dhe të kënaqur, ndërsa shumë prej tyre falënderuan organizatorët dhe udhëheqësit e grupit me fjalët: “Ju lumtë për punën që po bëni, po na bëni të ndjehemi krenarë!”
Një rol të veçantë në këtë aktivitet pati edhe mësuesja Dhurata Cakolli, e cila jo vetëm që udhëheq grupin e fëmijëve në “Dardani”, por edhe ka një lidhje të veçantë me shkollën pritëse, pasi ka qenë dikur vetë nxënëse në këtë institucion. Kthimi i saj në këtë shkollë, tashmë si edukatore dhe bartëse e vlerave kulturore, është një dëshmi se rrënjët nuk harrohen dhe se brezat e rinj mund të frymëzohen përmes shembujve pozitivë.
Presidenti i SH.K.A “Dardania”, z. Shefqet Cakolli, theksoi se kjo shoqëri ka qenë dhe mbetet një flamurtare e kulturës shqiptare në Zvicër për dekada me radhë:
“Ne japim gjithçka nga shpirti, sepse besojmë në forcën e kulturës për të bashkuar njerëzit. Sa të kemi fëmijë shqiptarë në Zvicër, Dardania do të jetë aty – me valle, me këngë dhe me dashuri për kombin e kulturën tonë.”
Kjo s’është as ngjarja e fundit. SH.K.A “Dardania” tashmë është duke u përgatitur për një tjetër program festiv, që do të mbahet më 5 korrik në Adliswil, në një shtëpi të të moshuarve, ku fëmijët do të sjellin gëzim dhe ngjyra për banorët e asaj qendre, me program të pasur artistik dhe me mesazhe solidariteti.