Të shtunën që vjen, më 20 shtator 2025, me fillim nga ora 17:00, në ambientet e Klubit “DARDANIA” në Zofingen/AG, do të bëhet përurimi i librit të ri dokumentar:
“Dr. IBRAHIM RUGOVA, ARKITEKTI i PAVARËSISË së KOSOVËS”, me autorë Besa Tafilaj Pinchotti dhe Korab F. Kastrati.
Botuar nga shtëpitë botuese “Jalifat Publishing” dhe Ramiz Tafilaj, ky libër i pasur dhe gjithëpërfshirës sjell një mozaik të gjerë të jetës dhe veprës së Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Përmes studimeve, analizave, fjalimeve, deklaratave, kumtesave, kujtimeve, kronikave, dokumenteve autentike, poezive dhe fotografive të rralla, libri hedh dritë mbi figurën komplekse dhe vizionare të Rugovës – njeriut që i dha formë idealit të shtetësisë së Kosovës.
Përurimi organizohet nga LDK - Dega Qendrore në Zvicër, në bashkëpunim me Bashkimin e Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër dhe Shoqatën Bëmirëse Kulturore “Salih Çekaj”.
Në këtë ngjarje kulturore e patriotike pritet pjesëmarrja e autorëve, studiuesve, aktivistëve, përfaqësuesve të komunitetit dhe artdashësve shqiptarë nga mbarë Zvicra.
📍 Adresa e aktivitetit:
Areal Bleiche 16, 4802 Zofingen / AG
Ish-kryetari i LDK-së në Zvicër, z. Haki Latifi, përmes një njoftimi publik, fton të gjithë dashamirët e librit, të historisë dhe të veprës së Presidentit Rugova, që të jenë pjesë e këtij përurimi të veçantë.
“Të mirëseardhur janë si krijuesit ashtu dhe artdashësit!” – thuhet në njoftim.