Përleshje e rëndë para klubit “Rinora4” në Zvicër: Sigurimi godet mysafirët, më pas ndodh sulmi me thikë

Zvicra

Përleshje e rëndë para klubit “Rinora4” në Zvicër: Sigurimi godet mysafirët, më pas ndodh sulmi me thikë

Më: 7 nëntor 2025 Në ora: 21:48
Momentet para sulmit me thikë: sigurimsë të “Rinora4” shihen duke goditur mysafirë para klubit në Rümlang.

Një natë e zakonshme argëtimi në klubin e njohur Rinora4 në Rümlang (Zyrih) është shndërruar në një skenë dhune. Një punonjës sigurie 34-vjeçar, me prejardhje nga Kosova, është sulmuar me thikë jashtë klubit dhe është dërguar në spital me plagë në shpinë.
Autori i dyshuar, një 26-vjeçar kosovar që jeton në kantonin Aargau, është arrestuar nga policia në banesën e tij.

Megjithatë, para incidentit me thikë, një video e publikuar nga “20 Minuten” tregon se të paktën pesë sigurimsë të klubit kanë ushtruar dhunë ndaj disa mysafirëve. Në pamje shihet sesi ata godasin me grushta e shkelma, ndërsa dy persona rrëzohen në tokë – njëri përplaset me kokë në trotuar dhe mbetet i shtrirë pa ndjenja.

Image
Pamje nga momenti i përleshjes: disa persona goditen rëndë me grushta para klubit “Rinora4” në Rümlang.

Një dëshmitar, i cili pohon se është mik i personit të arrestuar, ka rrëfyer për median zvicerane se grupi i tyre, rreth 15 persona nga Aargau, kishte rezervuar një tavolinë dhe po festonte:

“Kur njëri nga ne pati vështirësi të qëndronte në këmbë, sigurimi e kapi dhe e nxori jashtë në mënyrë të ashpër. Ne dolëm për të protestuar, por ata përdorën menjëherë sprej piperi dhe filluan të na godasin.”

Sipas tij, disa nga mysafirët kanë marrë lëndime fizike, ndërsa njëri është qepur me shtatë fije në kokë. Ata paralajmërojnë se do të padisin sigurimin për lëndim trupor.

Menaxheri i klubit, Shaban Konxheli, ka deklaruar se nuk ka qenë i pranishëm atë natë dhe se incidenti ka ndodhur jashtë klubit, duke theksuar se sigurimin e siguron një kompani e jashtme – SN Security GmbH. Kjo kompani nuk ka dhënë ende ndonjë koment publik.

Image
Në pamjet filmike shihet sesi sigurimsat ndalojnë së godituri vetëm pasi një prej mysafirëve mbetet i shtrirë në tokë, pa lëvizur.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat