Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Rame Lahaj, po përgatitet të nisë nga Cyrihu turneun e tij të ri “Passion & Origin”, i cili do të sjellë në të njëjtën skenë këngët shqiptare dhe klasikët e njohur botërorë.
Koncerti hapës i turneut do të mbahet më 10 tetor, nga ora 20:00, në sallën Kongresssaal të Kongresshaus Zürich. Lahaj do të shoqërohet nga ARMA Ensemble, ndërsa dyert për publikun do të hapen një orë më herët.
Programi është konceptuar si një udhëtim muzikor ndërmjet karrierës ndërkombëtare të tenorit dhe rrënjëve të tij shqiptare. Në repertor përfshihen këngë italiane dhe franceze, muzikë filmike, klasikë ndërkombëtarë, si dhe melodi tradicionale nga Kosova dhe Shqipëria.
Publiku do të ketë mundësi të dëgjojë interpretime të këngëve të njohura si “Parla più piano”, “Ne me quitte pas”, “Bésame mucho”, “Caruso”, “Fly Me to the Moon” dhe “My Way”. Pjesë e veçantë e mbrëmjes do të jenë këngët shqiptare, përmes të cilave Lahaj rikthehet te prejardhja dhe tingujt që e kanë shoqëruar gjatë rrugëtimit të tij artistik.
Turneu mban titullin “Passion & Origin” – “Pasioni dhe origjina” – dhe bashkon dy dimensionet kryesore të jetës artistike të Lahajt: pasionin për muzikën dhe lidhjen e tij të pandërprerë me vendlindjen.
Pas koncertit në Cyrih, turneu do të vazhdojë më 30 tetor në Robert-Schumann-Saal në Düsseldorf, më 8 nëntor në Wiener Konzerthaus në Vjenë dhe më 13 dhjetor në Bluma Appel Theatre në Toronto.
Këto ndalesa përfshijnë disa prej qyteteve ku jeton një numër i madh shqiptarësh, duke e kthyer turneun edhe në një takim kulturor me diasporën shqiptare në Zvicër, Gjermani, Austri dhe Kanada.
Rame Lahaj ka interpretuar në disa prej skenave më prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë Royal Opera House në Londër, Operën Kombëtare të Parisit, Teatro Real në Madrid, Deutsche Oper Berlin, Arena di Verona dhe Festivalin e Salzburgut.
Me “Passion & Origin”, tenori kosovar synon që krahas muzikës ndërkombëtare, të sjellë në skenat e mëdha edhe meloditë dhe trashëgiminë muzikore shqiptare.