Një ngjarje dramatike ka ndodhur në Rothrist të kantonit Aargau në Zvicër, ku një shqiptare 60-vjeçare ka arritur të ndërhyjë për të shuar zjarrin që kishte përfshirë ballkonin e një ndërtese. Gjatë përpjekjeve për të ndalur flakët, ajo ka pësuar lëndime, ndërsa në ndihmë i ka ardhur edhe një kosovar.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën, më 7 tetor, rreth mesditës, në një ndërtesë banimi dhe biznesi në rrugën Rubernstrasse në Rothrist.
Sipas gazetës zvicerane Blick, flakët dhe tymi ishin të dukshme nga larg, ndërsa policia dhe zjarrfikësit ishin njoftuar menjëherë për incidentin.
Megjithatë, para mbërritjes së ekipeve të emergjencës, 60-vjeçarja Shadije A. kishte ndërhyrë vetë për të luftuar flakët.
"Mora kovat me ujë dhe fillova të shuaj zjarrin*
Shadija kishte qenë për vizitë te djali i saj. Pak minuta pasi kishte pirë dhe fikur një cigare në ballkon, kishte shpërthyer zjarri.
Në një rrëfim për gazetën Blick, shqiptarja ka treguar momentet kur ka vërejtur flakët dhe ka vendosur të ndërhyjë.
„Kur u ktheva brenda në banesë dhe e pashë zjarrin, mora menjëherë kova dhe enë, i mbusha me ujë dhe u përpoqa ta shuaja. Gjatë kësaj u lëndova në pjesën e sipërme të krahut të djathtë dhe në këmbë“, ka treguar ajo, ndërsa deklaratat e saj janë përkthyer nga djali.
Për shkak të lëndimeve, 60-vjeçarja është dërguar në spital për kontroll mjekësor. Fatmirësisht, lëndimet nuk kanë qenë të rënda dhe ajo është liruar nga spitali.
Në ndihmë i erdhi një kosovar
Gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarrit, Shadija nuk kishte mbetur e vetme.
Disa punëtorë që ndodheshin jashtë ndërtesës kishin vërejtur flakët dhe kishin nxituar për ta ndihmuar.
Sipas rrëfimit të saj, një kosovar kishte ndërhyrë duke përdorur jastëkët e ballkonit për të luftuar flakët, derisa zjarri ishte shuar plotësisht.
„Një kosovar filloi t'i godiste flakët me jastëkët e ballkonit dhe në fund e shoi zjarrin“, ka treguar ajo.
Pavarësisht ndërhyrjes së guximshme, 60-vjeçarja nuk dëshiron të konsiderohet heroinë.
„Unë thjesht veprova. Faleminderit atij që më ndihmoi“, është shprehur ajo.
Shadija thotë se ndihet e lumtur që ngjarja nuk përfundoi me pasoja më të rënda dhe se askush nuk humbi jetën.
Policia dyshon se zjarri u shkaktua nga një cigare
Sipas Policisë Kantonale të Aargaut, të gjithë personat që ndodheshin në ndërtesë kanë arritur të largohen vetë.
Përveç Shadijes, askush tjetër nuk është lënduar.
Hetimet fillestare sugjerojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga mbetjet e duhanit që nuk ishin hedhur ose fikur në mënyrë të përshtatshme.
Megjithatë, shkaku përfundimtar ende nuk është konfirmuar. Specialistët e Policisë Kantonale të Aargaut po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e incidentit.