Zvicër: Për një palë atlete plagosen dhe më pas dënohen katër shqiptarë, tre me heqje lirie

Zvicra

Zvicër: Për një palë atlete plagosen dhe më pas dënohen katër shqiptarë, tre me heqje lirie

Nga: Fitim Dika Më: 14 korrik 2016 Në ora: 07:03
Ilustrim

Për shkak të një konflikti banal në një ndërtesë në Rickenbach, shumë persona familjarë janë pjesë e shqyrtimeve ligjore nga Gjykata e Münchwilen, Zvicër, shkruan tagblatt.ch.

Ngjarja banale për një palë atlete kishte ndodhur në 3 nëntor 2015, ku një shqiptar (39) me pasaportë zvicerane mbeti i plagosur rëndë për shkak të sulmit me thikë piceje nga agresori.  Tre nga katër të akuzuarit përgjigjen për veprën penale, “vrasje të mbetur ne tentativë,” përcjell botasot.info.

Shqiptari 39-vjeçar i plagosur me thikë në bark, ka qenë për vizitë tek mikja e tij, e cila ka jetuar në një dhomë në Rickenbach. Në dhomën fqinje kanë jetuar, një grua tjetër dhe dy shtetas nga Maqedonia, të moshës 28-, dhe 36-vjeçare, të cilët në Zvicër kanë qëndruar ilegalisht dhe kanë punuar pa leje pune në të zezë. Për vizitë tek ata ka qenë një shqiptar nga Kosova, 37-vjeçar, qiradhënës i banesës dhe njëherit, sipërmarrës i punëtorëve „në të zezë“.

Konflikti është shkaktuar, kur mikja e viktimës kishte dyshuar se fqinja e saj ia kishte vjedhur atletet. Përnjëherë ajo shkon tek banesa e saj, ndërsa viktima e mëvonshme, duke dëgjuar zënkën gjithnjë e më të zhurmshme, ishte afruar në vendngjarje. Sipas pohimeve të tij, ai e kishte parë shqiptarin më të moshuar nga Maqedonia se si e kishte shtyrë miken e tij me të duart, duke e ofenduar me fjalët „lavire serbe“. Për shqiptarin 39-vjeçar, i cili ka punuar si sigurim, kjo ka qenë e tepërt, prandaj ai ka pranuar se e ka goditur shqiptarin nga Maqedonia me një grusht në fytyrë, ndërsa ky i fundit e kishte therë me thikë në stomak. Edhe shqiptari më i ri nga Maqedonia kishte dashur ta prejë në fyt, por duke i falënderuar reflekseve të tij mbrojtëse, ishte goditur vetëm në krah. Edhe një goditje tjetër me thikë, atij ia kishte shkaktuar më i moshuari, duke e qëlluar në sup.

I sulmuari kishte arritur të largohej nga vendi i ngjarjes, duke iu nënshtruar një operacioni në spital. Ai është akuzuar për rrahje, pasi Prokuroria vlerëson se goditja e tij me grusht, nuk ka qenë e nevojshme. Nga ana tjetër, shqiptari 36-vjeçar nga Maqedonia, ka mohuar akuzën se ka sulmuar apo ofenduar miken e tij. Sipas tij, ai ka qenë i shtrirë në shtrat, ndërsa viktima e kishte sulmuar pa ndonjë shkak duke e goditur me grusht në fytyrë. Me këtë rast, ai e kishte marrë një thikë që ishte gjendur në afërsi, vetëm sa për tu mbrojtur. Ai nuk ka dashur ta lëndojë apo ta vrasë ndokënd, ndërsa akuzën e punës „në të zezë“ e ka pranuar.


Gjithashtu edhe 28 vjeçari nga Maqedonia dhe 37 vjeçari nga Kosova mohuan akuzat për sulm me thikë.  Megjithatë atyre më së paku mund t’ju ulet akuza për “plagosje”, nga “vrasje të mbetur në tentativë.” Sipas ligjeve ata mund të dënohen 44 deri në 48 muaj heqje lirie dhe gjobë në të holla. Viktima është dënuar gjithashtu, por vetëm me gjobë 3000 frangëshe për shkak të goditjes me grusht. Dy nga të akuzuarit ndodhen nr burg, i treti pas 78 ditësh është liruar dhe mbrohet me kusht./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat