Shoqata Humanitare „ Lugina e Preshevës“, ndau ndihma në Luginë të Preshevës

Zvicra

Shoqata Humanitare „ Lugina e Preshevës“, ndau ndihma në Luginë të Preshevës

Nga: Dashnim Hebibi Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 00:07
Pamje nga takimi që ka zhvilluar z.Musliu në Luginë të Preshevës

„Jemi munduar që të jemi të sinqertë dhe jemi shumë të bindur, se çdo frang që e kemi grumbulluar, ka shkuar në vend të duhur. Monografia do të jetë me disa nga punët tona që i kemi pasur, kryesisht me materiale që janë pasqyruar edhe në media, por edhe përmes fotove e fjalëve të mira që na kanë thënë shumë personalitete, që e njohin veprimtarinë tonë bëmirëse“, na tha ndër të tjera, z.Musliu.

Preshevë, dhjetor - Ashtu edhe siç jemi mësuar të lexojmë dhe të shohim në teren punën e madhe, që ka bërë dhe që po bënë Shoqata Humanitare „Lugina e Preshevës“, me qendrën e saj në Gossau të St.Gallenit, ndodhi edhe ditë më parë, ku ndanë ndihmat për këtë stinë të ftoftë të dimrit. Për dhjetë vjetë me radhë, nuk u ndalën asnjëherë veprimtarët rreth kësaj shoqate, pa e rrahur gjoksin, pa pasur apetite të tjera, por vetëm ti ndihmojnë atyre që kanë nevojë, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Dhjetë vjetë punë, dhjetë vjet sakrificë e pamohueshme, duke ndihmuar ata që kishin nevojë, duke i qenë afër familjeve të dëshmorëve, por edhe duke i përkujtuar dëshmorët shumë larg atdheut, për çdo vjet me Akademi përkujtimore, pa marur asnjë frang nga konto e shoqatës, por me mënyra të tjera bëmirësie, janë mbajtur ato Akademi dhe do të mbahen edhe në të ardhmen. Veprimtarët e bashkuar rreth sofrës së kësaj shoqate, ishin e janë të përkushtuar, se nuk do të ndalen, pavarësisht se mërgata jonë është lodhur me ndihma të ndryshme, por është puna serioze që ka bërë shoqata, që dyert i kanë të lira kudo që hyjnë e dalin dhe ndihmohet konto e shoqatës dhe më pastaj ndihmat shkojnë atje ku ka nevojë më së shumti. Ditë më parë, konkretisht me 28 nëntor, kryetari i Shoqatës Humanitare „Lugina e Preshevës“, z.Fazli Musliu, u gjend në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, për të mos i harruar dëshmorët, familjet e dëshmorëve dhe disa ata që kanë nevojë për ndihma. Arka e shoqatës modeste, që kishin vrapuar për muaj të tërë anëtarët e kryesisë e kryesisht kryetari, derë më derë, e qytet në qytet të Zvicrës, për të mbledhur ndihma, nuk është edhe e lehtë, vërtet e ndieshme dhe shumë e rëndë. Nuk kërkohet për veti, por për ata që kanë nevojë, megjithate e vështirë, shpesh na thonte z.Fazli Musliu, kryetar i shoqatës, por siç na thotë ai ndër të tjera, kudo që shkon, diçka i japin, sepse dihet, që shkojnë ndihmat në vend të merituar. Te vendi ku ishte lapidari u vendosën lule dhe flamuri kombëtar për 28 nëntor dhe më pastaj u vizituan varret e dëshmorëve, duke i nderuar ata përjetësisht. Shoqata Humanitare „Lugina e Preshevës“, bashkëpunon me dy shoqatat tjera edhe në vendlindje me OVL dhe Shoqatën Human Center në Preshevë. Ndihmat mblidhen kryesisht nga anëtarësia e shoqatës, që është 30 franga për një vit. Natyrisht, se kryesia e shoqatës, ka gjetur metoda, që të mblidhen ndihma edhe në forma të tjera, nga afaristë, e kështu me radhë.

Image

Por nga këto ndihma modeste janë ndihmuar gjatë vitit 2016, hiq më pak se 113 familje.

Kryetari i Shoqatës, z.Fazli Musliu, sot është kthyer nga atdheu dhe ai për median tonë ndër të tjera na tha: „Falënderoj juve dhe gjithë ata që na kanë ndihmuar. Padyshim, falënderoj kryesinë dhe anëtarët dhe të gjithë zemërgjerët që kanë dhënë ndihma për ti ndihmuar ata që kanë nevojë. Nuk mundem emër e mbiemër ti përmendi, por vetëm perendia ua shpërbleftë. Vërtet nuk është e lehtë të kërkohet ndihma, por nuk mundemi të ndalemi, se ka shumë nga ata që kanë nevojë, më besoni, ka nga ata, që nuk kanë edhe bukën e gojës dhe gjërat elementare. Dimri është i rëndë për secilin e të mos flas për ata që janë në skamje. Me këtë rast, ashtu si viteve të tjera edhe sivjet në këtë stinë dimri, ndihmuam disa familje. Në komunën e Preshevës dhe të Bujanocit, janë ndihmuar familjet e dëshmorëve, me mjete, gjithsesj 12 familje. Pastaj, në komunën e Preshevës, Bujanocit dhe të Kumanovë, veteranët, invalidët, pra gjithsej 46 familje me nga një pako me gjëra të nevojshme për një familje.

Kemi punuar edhe varrezat e disa dëshmorëve

Kemi ndarë ndihma për skamnorë në komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, gjithsej 52 familje, gjithashtu me nga  një pako me gjëra elementare. Kemi ndimuar edhe tre studentë në komunën e Preshevës dhe të komunës së Bujanocit. Me këtë rast, në asnjë mënyrë nuk mundem pa i përmendur dhe falënderuar edhe Bashkësitë fetare islame e në veçanti xhamin e Rebshtajnit, Rorschait, Buksit, Flumsit, St.Gallenit, Dietikon, e shumë e shumë të tjera, njiherit sponzorët dhe mediat lokale dhe ato kombëtare. Ju njoftojmë, se së shpejti, do të del në dritë edhe libri monografikë i Shoqatës Humanitare „Lugina e Preshevës“, me bashkëautorët e nderuar, me veprimtarët e pandalshëm, Dr.sc.Llukman Halili dhe Mr.sc.Dashnim Hebibi. Të dy autorët, kanë pranuar, që libri të punohet pa asnjë mëditje, poashtu edhe lektori nga Medvegja, Prof.Jonuz Fetahu, do ta bëjë lekturën pa asnjë mëditje. Libri do ta sheh dritën së shpejti. Ne u jemi falënderues shumë. Është një punë dhjetëvjeçare dhe mirë do të ishte të mbetet në këtë monografi, si një dokument, se mërgata ka punuar e nuk është ndalur dhe në shenjë falënderimi për të gjithë ata që kanë kontribuar.

Image

Jemi munduar që të jemi të sinqertë dhe jemi shumë të bindur, se çdo frang që e kemi grumbulluar, ka shkuar në vend të duhur. Monografia do të jetë me disa nga punët tona që i kemi pasur, kryesisht me materiale që janë pasqyruar edhe në media, por edhe përmes fotove e fjalëve të mira që na kanë thënë shumë personalitete, që e njohin veprimtarinë tonë bëmirëse. Edhe njëherë, falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar dhe ne u ndamë ndihmat ashtu siç është dashur, në vendin e duhur dhe padyshim, të gjitha familjet që kanë pranuar ndihma, u janë falënderuar atyre që kanë dhënë me uratat më të mira shpirtërore. Me që jemi në fund të vitit, ju uroj të gjithë mërgimtarëve kudo që janë, me urimin më të mirë, që viti 2017, të na gjej me shëndet mirë neve dhe familjet tona, miqtë tanë, dhe gjithë kombin shqiptarë kudo që gjendet. Të mos i harrojmë dëshmorët, familjet e tyre, invalidët e luftës dhe të jemi më të bashkuar në mes veti, për të mirën kombëtare, e në fund, mos ti harrojmë ata që kanë nevojë, skamnorët. Zoti na bekoftë, zoti ua shpërbleftë secilit me aq sa ka ndihmuar dhe e di shumë mirë, se bëmirësit, nuk do të ndalen, ata do të ndihmojnë edhe në të ardhmen. Kushdo që të jetë në shoqatë, besoj shumë, se do të kontribuoj drejt, sepse kemi të bëjmë me të varfër, me familje dëshmorësh, invalidë e kështu me radhë. I lumi ai i lumi, që kontribuon drejt, e pa rrah gjokse, e pa pasur ndoj ambicie tjetër, përveç, që ti ndihmohet atyreve që kanë nevoj.“ Kryetari i Shoqatës Humanitare „Lugina e Preshevës“, z.Fazli Musliu, pasi na njoftoi me ndihmat që i kanë shpërnda këto ditë në Luginë të Preshevës dhe disa ndihma edhe në Maqedoni, kryesisht në Kumanovë,  beson shumë, se viti 2017 do të jetë edhe më i mirë edhe në aspektin bëmirës, por një është e sigurt siç na tha ai: „Diaspora ka pasur e do të ketë zemërbardhë“. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat