Morina: “Flisni shqip me fëmijët tuaj, se gjermanishten, do ta mësojnë domosdo në shkollë”

Zvicra

Morina: “Flisni shqip me fëmijët tuaj, se gjermanishten, do ta mësojnë domosdo në shkollë”

Nga: Dashnim Hebibi Më: 11 prill 2017 Në ora: 11:06
Hamzë Morina, ish kryetar i LAPSH-it, një jetë të tërë shkollës shqipe

“Përshëndes të gjithë, në veçanti pjesën më të madhe të mërgatës që mbajti gjallë Kosovën gjatë tërë qëndresës së saj dhe po e ndihmon sërish padiktueshëm zhvillimin e saj. Falënderoj të gjithë kolegët dhe koleget që më ndihmuan të sendërtoj një pjesë të synimit tim, arsimimin e gjeneratave të reja në Zvicër, pa ta do të ishte e pamundur të përhapej fryma e gjuhës hyjnore në Zvicër. Uroj ish nxënësit e mi që të ruajnë si sytë e ballit gjuhën e tyre amtare dhe të krenohen me të. Përgëzoj të gjithë idealistët që u radhitën në përkrahje të dijes dhe gjuhës shqipe edhe në Zvicër”, na tha ndër të tjera, z.Morina.

Hamzë Morina, ish kryetar i LAPSH-it, një jetë të tërë shkollës shqipe.Veteran i shkollës shqipe. Pata nderin dhe kënaqësinë, që për një kohë të gjatë, ta përcjell me veprimtarinë e tij në kuadër të LAPSH-it. I palodhur, shumë i respektuar nga të gjithë. Gjithashtu, do të ruaj për jetë, një mirënjohje nga LAPSH-it, që mu dhurua, sa ishte kryetar z.Hamzë Morina. Kam pasur edhe disa herë intervista, por kjo edhe për mua ishte paksa më emocionuese, duke e ditur, se ky veprimtarë i madh, po i afrohet pensionit, e në anën tjetër jam krenarë, se do ta marrim shembull për jetë, punën e madhe e fisnike që e ka bërë me vite e vite, ky veprimtarë i dalluar i çështjes kombëtare. Për më shumë, do ta lexoni në këtë intervistë, i cili na flet si gjithmonë me sinqeritet për shumë gjëra interesante. Por, padyshim, i uroj gjitha të mirat e ja festofsha 101 vjetorin e datëlindjes, duke cakërruar gotën e gëzimit.

Z.Morina, fillimisht ju falënderoj për kohën tuaj që keni ndarë për këtë intervistë. Po afrohet koha e pensionit. Na thoni drejt, si po e pret pensionimin?

Ju përshëndes dhe ju përgëzoj edhe ju i nderuar për gatishmërinë për të përcjellë në vazhdimësi punën e LAPSH "N. Frashëri" në Zvicër dhe në veçanti rrjedhën e mësimit plotësues në gjuhën shqipe që po zhvillojmë ne mësimdhënësit në mënyrë vullnetare qe një çerekshekulli. Përkushtimi ynë për ruajtjen e identitetit dhe gjuhës te gjeneratat që patën fatin të jetojnë jashtë atdheut dhe interesimi juaj i vazhdueshëm për ta sensibilizuar këtë ka qenë një ndihmesë e madhe në këtë drejtim. Unë pa diktueshëm po e shof se kam arritur vitet e pensionit, më ndajnë edhe disa muaj dhe do t`i bashkohem gjeneratës që pas një pune të lodhshme, por të suksesshme në profesion, e kalojnë pjesën tjetër të mbetur të jetës pranë mbesave e nipërve shumë të dashur, duke mbetur gjithmonë aktiv me kolegët që na lidh afër një gjysëm shekulli përpjekje për arsimim dhe dije. Jam krenar për atë që kam bërë, por po e shof se natyrshëm më duhet të kaloj këto vite në qetësi, duke u premtuar kolegëve që po vazhdojnë këtë mision se do të jem pranë  gjithmonë me përvojën time të akumuluar me vite.

Të kujtohet dita e parë si mësues në Kosovë?

Po, ndihesha me krahë dhe më dukej se po fluturoja ato vite. Të jesh mësues në fillimvitet e 70-ta në Kosovë ka qenë një mrekulli. Më kujtohet si sot kur ra Rankoviqi unë isha në klasën e 7- të, flamurin shqiptar për herë të parë e pashë me 1968 si fillestar në normalen e Prizrenit kur Çun Lajçi luante në dramën "Bajram Curri" dhe në gjimnazin e normalen e Prizrenit paralelet në gjuhën shqipe u shumëfishuan në krahasim me vitet paraprake. I përmenda këto dhe aktivitetet tjera e sidomos hapjen e Universitetit në Prishtinë për të dëshmuar se ato vite kur mbarova unë normalen kishte një frymë rilindëse në ish Jugosllavi, koha kur filluan të liroheshin energji pozitive dhe po krijohej një klasë intelektuale me vetëdije kombëtare pas një tragjedie të rëndë dhe okupimi të thellë.

Ka qenë 1 shtatori i vitit 1973 kur për herë të parë fillova punën me 52 nxënës të klasës së 5 - të në shkollën fillore në Polluzhë të Rahovecit, përndryshe vendlindja ime. Ky numër kaq i madh dikujt do t i bëj përshtypje, po ishin edhe dy gjenerata tjera në 3 fshatra që më parë nuk kishin pasë mundësi të vijonin dhe unë i përmblodha për t`ua mundësuar shkollimin. Ishte e mundimshme, por ishte kënaqësi dhe s` dija se ç` është lodhja. Kam një nostalgji të veçantë për ato ditë, edhepse e di që është e pamundshme them sikur të filloja edhe njëherë nga e para. Kisha një pasion të veçantë për profesionin si shumica e gjeneratës sime, një vullnet të çeliktë.

Po në diasporë?

Fati është mbret i botës. Edhe pse kisha ardhur 10 vite resht gjatë pushimeve shkollore në Zvicër për dy muaj, kurrë se kisha ëndërruar të jetoj dhe punoj këtu. Më dukej një vend i mrekullueshëm, por i huaj. Planet e mia ishin që pensionin ta gëzoj në Kosovë dhe ti qëndroj përballë zotimit tim, arsimimit të mëtejmë të këtij populli të vonuar historikisht. Po ja që fati më përplasi ndryshe. Pas persekutimit të gjatë nga vitet e 80- ta me diferencime, burgosje e maltretime të natyrave të ndryshme ndodh në fund edhe përjashtimi nga puna me 1990 nga elementë të "Bozhurit"  nga shkolla e Fushë Kosovës kur këmbngulëm t`u themi jo ligjeve të Serbisë për arsim në Kosovë dhe jo planprogrameve të sjella me dhunë. Pas aktivitetit në organizimin e arsimit paralel në Komunën e Rahovecit deri më 1994 fati më solli në Shqipëri, ku sërish qëndrova 3 vite e që në vitin e mbrapshtë 1997 mu desht përfundimisht të kërkoj azil në Zvicër, e cila pas 3 muajsh më siguroj strehim, mu desht që edhe përkundër zgjidhjes dhe dëshirës të qëndroj deri më sot.

Po, ç` të bëja këtu, në një vend të huaj, me një diplomë që s` kish se si të njihej?!  LAPSH  

"N. Frashëri"  si organizatore e mësimit plotësues në Zvicër ishte dera e parë që trokita dhe gjeta mbështetjen. Në fakt kisha një bashkëpunim të mëhershëm me kolegët që nga Tirana kur bashkë me bashkëpunëtorë  atje kishim përgatitur librat e parë  për këtë mësim dhe u kishim ndihmuar me planprograme mësimore në fillimvitet e 90- ta,  kur në bashkëpunim shkëputem këtë mësim nga ish -ambasda e Jugosllavisë.

Sërish nga fillimi. Shkolla shqipe në Ëindish të Aargaut në shtatorin e vitit 1998, tash bëhet destinacioni im i parë ku fillova mësimin dhe po zëvendësoja kolegun tim të nderuar profesorin Fetah Sheholli, i cili kishte pasur të njëjtin fat si timin, ai ma ofroj këtë paralele. Përkundër një mërzie të papërshkruar, me fëmijë të shkapërderdhur një vajzë në studime në Tiranë, të tjerët me bashkëshorten të bllokuar në Dukagjin e një vajzë tjetër në spitalin fushor si aktiviste ndihmësmjeke e shoqates "N. Terezë" diku në Mramor, në prag lufte i vetëm dhe i dëshpëruar, këta fëmijë dhe kjo shkollë shqipe më kthyen besimin dhe ndjenjën se kam me çka merrem edhe këtu në diasporë për të thyer monotoninë. E mora me vullnet edhe këtë punë dhe kjo më ndihmoj të kapëcejë një krizë shpirtërore që më kishte kapluar ato vite. Sërish me të njëjtin pasion. Po bëhen tashmë afër 20 vite e po më duket se dje kam filluar.

Cili është momenti gjatë punës suaj si mësues që nuk do ta harroni?

Po ka momente të shumta, të paharrueshme. Të jesh përditë me fëmijë dhe të ndash me ta çaste gëzimi është mrekulli. U mëson gjuhën dhe të mësojnë kënaqësinë e jetës. Askush nuk mund të të dhurojë kënaqësi më tepër se suksesi i tyre. Nuk mund ta harroj gjeneratën e parë në fshatin e lindjes që e përcolla nga viti i parë deri në të 8-tën. Kisha një nxënës me zhvillim të vonuar, por të urtë e shumë të ndjeshëm. Nuk kishim shkolla speciale dhe vendosa një kujdes të veçantë për të. Ai përparonte ngadalë dhe deri në klasën e fundit nuk e lashë të përsëriste klasën. Më mori shumë kohë sepse edhe prindërit i kishte me ngecje në zhvillim. Sot në fshat ai është bujku më i mirë dhe mburrem me të edhepse nga kjo gjeneratë kanë dalë ekspertë që kanë bërë emër edhe në Gjermani, më duket ai ka qenë suksesi im më i madh.

Kurse, në diasporë e kujtoj edhe sot e kësaj dite falënderimin që më bëri një vajzë të cilën gjatë bisedës me prindin iu sigurua perspektiva e shkollimit në Zvicër. Vajza kishte notat solide në klasën e 9- të në drejtimin e avancuar dhe kishte talent të veçantë, por meqë në familje ishin shumë fëmijë dhe vetëm babai punonte ajo ishte detyruar të zgjidhte zanatin e thjeshtë për frizere për ti ardhë në ndihmë familjes me gjendje të rënduar sociale. Vazhdonte shkollën shqipe dhe posa kishte filluar praktikën dyjavore,  e shof tepër të mërzitur dhe gjatë bisedës kuptoj shqetësimin. Thërras prindin dhe e bind se duhet të sakrifikoj edhe disa vite për t` i krijuar së bijës hapësirë për të vazhduar tutje në rrugën e nisur për shkollën kantonale nga ku i sigurohej rruga e studimit. Prindi për çudinë time bindet dhe  vajza vazhdon rrugën e studimeve. Kur shpëtohet një fëmi i talentuar nga një fatkeqësi sociale njeriu veten e ndjen mirë.

Janë këto dy fate kontradiktore të këtyre dy fëmijëve për të cilët ndikova që jeta e tyre të ecë në binarë normal. Përndryshe ka shumë peripeti gjatë dyzet viteve të punës si mësimdhënës.

“Thirrni arsyen po kurrë pa pyetur zemrën çka doni ju për të zgjedhur, çka u flen në shpirt”

I thua vetes, sikur të kem mundësi edhe njëherë të punoj si mësues, këtë do ta kisha bërë?

Ka njerëz që pretendojnë tituj të ndryshëm në profesion e karrierë. Unë kisha një jetë të bujshme dhe kam patur shumë peripeti dhe zgjedhje. Në rininë time isha drejtor i një shkolle. Në vitet e 90-ta udhëhoqa arsimin në një komunë për katër vite, kurse në Zvicër kam udhëhequr me LAPSH  "N. Frashëri" në kanton e pastaj edhe në Zvicër, po titullin mësues e mbaj me krenari dhe punën si mësimdhënës nuk e ndërroj me asgjë. Kam dashur të bëhem mjek, atëbotë për nxënësit e shkëlqyeshëm dyert e Fakultetit të Mjekësisë ishin të hapura, po pata fatin dhe studiova për letërsi. Isha me fat, kisha zgjedhur atë që doja unë dhe më përshtatej më së miri, e jo atë që pretendonin dhe më sugjeronin të tjerët. Sot, kur u jap këshilla të rinjve për zgjedhje shkollimi u them më dëgjoni mua, thirrni arsyen po kurrë pa pyetur zemrën çka doni ju për të zgjedhur, çka u flen në shpirt. Ndoshta ky ishte çelësi i suksesit.

Kemi pasur edhe më herët intervista me Ty i nderuar, keni drejtuar edhe LAPSH-in në Zvicër. Si është gjendja e shkollës plotësuese shqipe këtu në Zvicër?

Po, për punën e LAPSH "N. Frashëri" në Zvicër jam deklaruar edhe herë tjera. Të them të drejtën ishte dhe mbetet shoqata më stabile në Zvicër që përqoi mesazhe të duhura pasi merrej me një veprimtari (punë të përditshme) arsimore dhe falë vullnetit të arsimdashësve ishte një shembull veprimi në kushte ekzistuese. Qindra e mijëra veprimtarë dhe mësimdhënës për dekada u dolën përballë vështirësive me përpjekje të vullnetshme që të ndihmojnë gjeneratat e reja të mos harrojnë gjuhën e tyre të dashur dhe të njohin kulturën dhe historinë e të parëve të tyre.  LAPSH "N. Frashëri" ka kaluar nëpër sfida të ndryshme, duke u ballafaquar në fillim me strukturën organizative, përmes njohjes nga institucionet zvicerane e deri te masovizimi i lakmueshëm. Domosdo pati ngitjet dhe rëniet, po gjithmonë shembull për aktivitetin gjithkombëtar, pasi ishte gjuha ajo që i bashkonte gjithë shqiptarët, pavarësisht trevave se ku jetonin. Derisa të tjerët flisnin dhe vazhdojnë ende të trumbetojnë për bashkimin kombëtar, LAPSH kishte realizuar ate në praktikë, pa zhurmë po me modesti dhe me lehtësi, pasi të gjithë i faleshin asaj gjuhës hyjnore shqipe që është shtylla e kombit.

Po si duket, po na ndodhin edhe gjëra të paparashikura. Atëherë kur menduam se arsimi shqip po zhbëhej në Kosovë nga aparati serbosllav, atje lindi arsimi kombëtar që përballoi këtë sfidë. Ishte një mrekulli. Dhe në vend që shqiptarëve t`u ndodhte mrekullia e radhës që këtë arsimim ta ofrojnë më pranë standardeve evropiane, pas shpalljes së pavarësisë, forcat fillojnë të shterrojnë. Më mbante shpresa se arsimimi shqip do të këndellej gjithandej, po ashtu dhe në Zvicër e diasporë në përgjithësi, por ai po merr tatpjetën. Prandaj, jam shumë i shqetësuar me trendet në Zvicër. Jo vetëm që ka rënë numri i nxënësve që frekuentojnë këtë shkollë kur është shtuar shumëfish numri i fëmijëve shqiptarë në shkollën zvicerane në krahasim para lufte, por po ngec edhe organizimi i përgjithshëm dhe nuk është më ai mobilizimi i hershëm. Aksentin e mossuksesit e shof edhe në mosinstitucionalizimin e tij. Shqiptarët me dy tri ambasada, me shumë konsullata...,  kurse organizimi i këtij mësimi ende mbetet në nivel vullnetar nga LAPSH "N. Frashëri" është një absurd. Pra, ky organizim ka ngelur në nivelin e paraluftës dhe në Zvicër ka ende status si popujt që s` kanë shtetet e tyre(kurdët, tamilet...) që mësimin e organizojnë përmes shoqatave në mënyrë vullnetare. Pra,  për mendimin tim gjendja momentale jo që nuk është e kënaqshme, por alarmuese. Me më pak se 2000 nxënës në tërë Zvicrën, kur pretendohet se ka disa dhjetra mijëra nxënës shqiptarë është tejet shqetësuese.

Sa vjet punove si mësues në Zvicër?

Në Zvicër punoj që nga viti 1998. Dmth. i bie 20 vite të plota. Jam shumë i lumtur që mu dha mundësia që  t` ua mësoj vogëlushëve shqiptarë gjuhën e bukur shqipe, por edhe të mësoj vetë nga ta. Jam gjithashtu i lumtur që pata mundësinë të jem në kontakt të vazhdueshëm dhe bashkëpunova me shkollën dhe autoritetet zvicerane, ku përfitova nga praktika arsimore, vend ku arsimi zë vend prioritar në sistem. Kur është në pyetje shkollimi i gjeneratave këta nuk lëshojnë pe në asnjë segment. Shkollë ku mungesa e fëmiut ështe e denueshme në mënyrë drastike dhe ku prindi  bart konsekuenca të rënda ligjore, ku puna e mësuesit përcillet dhe mossuksesi në mësim apo sjelljet jo normative denohen rreptë me largim të menjëhershëm nga puna. Jam shumë i lumtur që njoha sistemin e tillë shkollor dhe kreva dhjetra seminare e praktika shkollore këtu dhe shumë do të kisha dashur që ky të jetë model i një sistemi të reformuar arsimor në Kosovë.

Cila do të ishte fjala më e mirë falënderuese shtetit mik zviceran për mundësitë që na kanë dhënë që të mësojmë dhe ruajmë gjuhën tonë amtare nëpër ambientet e shkollave zvicerane?

Unë erdha në Zvicër, pasi kisha kaluar një kohë në organizimin e mësimit paralel në Kosovë, kur aparatura serbe ua mbylli dyert e shkollës fëmijëve të qytetarëve të saj që ishte absurd kohe. Këtu në Zvicër, e cila është e njohur për shanse të barabarta për të gjithë, pashë mrekullinë në të drejtën që u jepet qytetarëve tjerë atyre, që fati i ka përplasur të jenë këtu. Më dukej si në ëndërr kur fëmijët shqiptarë, por jo vetëm ata, por të të gjitha komunitetetve tjera të ardhura në Zvicër ndiqnin mësimin plotësues në gjuhën e tyre. Kjo mu duk në fillim një privilegj, por për shtetin ishte një nevojë njerëzore dhe humane. Këta qytetarë që kanë humbur atdheun e tyre, jo vetëm që nuk privoheshin nga gjuha dhe kultura e tyre, në të kundërtën ata ndihmoheshin në forma të ndryshme duke dhënë falas klasët dhe duke siguruar materialin bazë didaktik për këta fëmijë. Për mua që kisha ardhur me përvojën e një sistemi antihuman ishte mrekulli. Fjalia falënderuese që do ti shkonte më mirë kësaj pune është¨: " Shumë falemnderit Zvicër për mundësinë që na dhe për ta mësuar dhe kultivuar gjuhën shqipe! Ju nuk po na ndihmoni vetëm ne, ju po tregoni vlerat tuaja demokratike dhe civilizuese dhe me te po dëshmoni përparsinë në zhvillimin tuaj në tërë botën! Do të doja që populli im shqiptar t` i afrohet më afër këtij modeli ".

Sigurisht se të ka ndodh që ti takosh nxënësit tuaj këtu në Zvicër, tashmë ata janë bërë edhe burra. Si ndjehesh kur bashkëbisedon me ta?

Fëmijët janë si lulet, sa më shumë që kujdesesh për to më të bukura do t` i kesh. Unë jam rritur me dashurinë për fëmijet dhe librat. Ka qenë një dashuri pasionante dhe me këto dashuri kam begatuar edhe jetën time. Sot kur kujtoj në këtë moshë, mendoj sa e varfër dhe e pakuptimtë do të kishte qenë jeta ime pa këto dy segmente që gjenerojnë jetën. Fëmijët e ardhmja jonë dhe librat bazamenti i dijes që na mungoi gjithmonë dhe na la kështu si jemi. Shpesh takoj ish- nxënësit e mi dhe mbushem jetë kur i shof se janë bërë prindër, disa syresh i sjellin tashmë fëmijët e tyre me vete. Ka të atillë që më shkruajnë dhe falenderojnë që shkolla shqipe u ka mundësuar tashmë të jenë krenarë kur shkojnë në atdhe dhe bashkëbisedojnë pa brengë në gjuhën e tyre me bashkatdhetarë.

Të tjerë që  kanë siguruar perspektivë në Zvicër, që ua kam lakmi edhe unë dhe janë krenar që e flasin mirë gjuhën e tyre. Kur mërzitem i thërras dhe më përgjigjen.

Dua të bisedoj me ta si me kolegë dhe më habisin për respektin që kanë. I falënderoj, këtë respekt ata ja dedikojnë gjuhës së tyre, unë isha vetëm një mekanizëm që ua drejtoja te ta. Kështu mbushem gëzim dhe krenari. Jam krenar që frytet që mbollëm nuk janë shterpë. Krenaria për gjuhën shqipe po rritet edhe këtu në Zvicër.

Notat e mira më lehtë i ke dhënë apo ato të dobtat?

Kam dhënë nota për suksesin që kanë treguar, ato s` kanë qenë as të dobta as të mira. Vlerësimi im në këtë drejtim ka qenë synimi im. Mësoni gjuhën shqipe që ta dini, jo që të keni një notë të mirë. Nota shkruhet dhe fshihet, po gjuha mbetet gjithmonë në kokë, ky ishte synimi. Domosdo në bazë normash edhe nota ime ka qenë gjithmonë stimuluese për momentin, jam përpjekur të jap vlerësim të duhur në moment të duhur dhe jam kujdesur që ajo notë të stimulojë ata dhe prindërit e tyre. Kam vërejtur një gëzim të madh kur në dëftesën shkollore ka figuruar edhe nota për gjuhën dhe kulturën e origjinës, e cila për fëmijët që kanë përcjellë mësimin plotësues ka pas domethënie në krahasim me ata që nuk e kanë vazhduar ate. Kjo krenari ka pasë te këta fëmijë gjithmonë dy dimensione. Kanë mësuar gjuhën e tyre dhe kanë ditur një gjuhë më tepër nga të tjerët. Dimensioni i dytë ka qenë po ashtu me rëndësi. Në civilizimet demokratike ai që di një gjuhë më tepër ka një pasuri më shumë.

Çka duhet ndryshuar në shkollat shqipe në Zvicër?

Shumçka duhet ndryshuar. Kur po udhëheqja LAPSH "N. Frashëri" në Zvicër  nga viti 2010, vetes i vura një synim të qartë. Të përpiqem të ndikoj tek autoritetet në Kosovë e Shqipëri që këtë mësim ta vëmë në binarë institucional, siç e kanë të gjitha shtetet normale në botë. Bisedova në ambasadë  dhe më përkrahën. Kolegët që njihja në Kosovë dhe bashkë me ata që kisha komunikim në shtetet e ndryshme të Evropës e përfillën dhe organizuam Konsultën e Shtutgartit si nismë për këtë punë ku bazament ishte një miniprojekt që bëmë me kolegët e që në konferencën kombëtare në Prishtinë u shëndrrua në platformë për institucionalizim. Mendova se ishim në rrugë të drejtë. Komisionet kryen punën e tyre dhe dolën me një dokument intern i cili ende flen nëpër sirtarët e dokumenteve të institucioneve vendimmarrëse. E vërejta se kishte qenë një iluzion imi dhe bashkëmendimtarëve të mi.  Nuk isha dakord me neglizhencën. Ua thash troç se me shpenzimet që po krijojmë kishim mund të financojmë këtë mësim për disa vite si pilot projekte në dy shtetet me përqëndrim më të madh të nxënësve shqiptarë si në Zvicër dhe Greqi. Toni im bëri që të anashkalohem nga ata që janë mësuar të përfitojnë nga konferenca e punë në komisione pa mbaruar kurrë punë. Ua përmenda shtetet që kishin dalë nga ish- Jugosllavia që s` priten asnjë vit për ta institucionalizuar këtë mësim, por të cilat pa bujë me këmbëgulje sot realizojnë në Zvicër dhe në diasporë një mësim modest. I njoftova me këto modele të qarta, por tanët si përfillën. Unë jam pragmatik, shteti organizon arsimimin kudo, puna e deritashme e LAPSH  si shoqatë do tu kishte shërbyer me përvojën e saj, por jo të vazhdojë kështu. Shoqatat shqiptare këtu në Zvicër janë të mirseardhura për aktivitete kulturore, politike sindikale .... por mësimi duhet të menaxhohet se është punë e përditshme. Vazhdimi kështu s` ka kurrfarë kuptimi.

A është vonuar shteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë për të mirën e shkollës shqipe në Zvicër?

Jo që janë vonuar, por kanë kaluar çdo limit. Ky limit po kalohet sidomos në projektet kombëtare siç është arsimi dhe një ditë pasojat në këtë drejtim do të jenë të pa parashikuara. Nëse arsimimi i një populli mëton të sigurojë perspektivën e tij, unë e shof në këtë drejtim një kahje të errët. Pasojat e kësaj amullie që nga paslufta po vërehen për ata që kanë sy.

Shtetet shqiptare, plus edhe ai i Maqedonisë që në fillim dha shenja se do të jetë në një projekt të përbashkët, nuk bënë atë që duhej bërë, që me forca të përbashkëta të marrin hapin e duhur, marrëveshjen me autoritetet përkatëse zvicerane për këtë mësim, siç e kanë të gjitha shtetet të cilat mbrojnë qytetarët e vet dhe fëmijët e tyre në rend të parë duke u mbrojtur gjuhën dhe kulturën e tyre.

Nuk dukesh i lodhur, edhe sot e kësaj dite po merr pjesë nëpër mbledhje e takime të LAPSH-it. A do të thotë kjo, se edhe gjatë pensionit, përsëri do të japësh kontribut?

 Prindërit e mi jetuan gjatë dhe më edukuan me frymën e punës. Ata u munduan shumë në bujqësi dhe më drejtuan në këtë frymë. Ata më thanë se ata që punojnë shumë nuk kanë kohë të plaken, ata e ruajnë energjinë. Dhe kështu ndodhi. Me punën e rëndë në bujqësi, na ushqyen dhe shkolluan tetë fëmijë. Punën e mësuesisë e mora si prioritet në jetë. Nuk ndjeja lodhje. Tash e ndjej pak, mosha e ka bërë të veten, por nuk dorëzohem lehtë. Një vit vendosa të pushoj, por mu duk se kam vdekur, vitin tjetër përsëri fillova. Koleget dhe kolegët filluan të tallen dhe u erdhi mirë që u riktheva. Më thanë se e kishin llogaritur që nuk do të mund të qëndroja pa nxënësit, kështu dhe ndodhi. Tash e shof se pa punën me fëmijët nuk jetohet. Besoj se do të jem pranë kolegëve në çdo kohë, por kam një mision për 5 nipat e mbesat e mia të cilave tashmë u kam dhënë prioritet. Për çudinë e madhe timen ata e kanë vërejtur dhe nuk ma lëshojnë udhën të shkoj në punët dhe detyrat e ditës. Më duan të jem pranë tyre. Droj se dashuria për ta do të më pengojë të jap kontributin në drejtim tjetër. Të shofim. Kolegët dhe koleget nuk duan t`u ndahem. Një respekt i ndërsjellë. Ti vet e ke parë disponimin e tyre gjatë takimeve ku ishe prezent.

Cili është sekreti i mosplakjes, na tregoni ju lutem?

Puna pa nda shemb një kala. Puna me mend ruan shëndetin. Ti zgjohesh në mëngjes dhe ke një plan, dita mbushet me gëzim e dashuri kur në mbrëmje ti ke bërë diç për veten, familjen, miqtë. Paramendo të kundërtën, ti zgjohesh dhe nuk ke kurrfarë plani,e ndez një cigare, pastaj pi një kafe, si zakonisht fjalosesh me gruan, apo me ndonjë fëmijë që ta ka zënë rrugën, ikën nga shtëpia dhe shkon në klub. Në atë zhurmë,  ti futeshh në bisedë të kotë me të pa punët, shahesh e del sërish në rrugë dhe jeta për një ditë shndërrohet në kaos. Fryti në mbrëmje, kokëdhembje, sërish një cigare duhan apo e dhe një gotë ku ta dish e nesmërja të gjen të lodhur në gjumë. Dhjetë ditë më afër pleqërisë brenda një dite. Këto që elaborova "pa lidhje" sepse s` jam mjek, më ka ndodhur edhe mua për ato pak ditë sa kam qenë i papunë.

Një mikut tim një ditë tek po shikoja organizimin gjysmëditor në punë, që u bëhej të hendikepuarve i thash: - E shef këtë mrekulli, këtu edhe njerëzit me të meta kanë strukturë organizative ditore. Ky vend kujdeset për gjithçka dhe ka arrit synimet që edhe të hendikepuarit t i ndihmoj dhe ti bëj të lumtur përmes angazhimit në punë. Më habiste perfeksioni që bënin në punë e që në fakt ishte fryt i atyre që kishin organizuar.

Prandaj, çelësi për një jetë më të gjatë  është puna me vullnet, e organizuar dhe e shpërblyer dhe mbi të gjitha dashuria për te të mban gjallë në jetë. Domosdo ka edhe faktorë të tjerë.

Me çka nuk je pajtuar dhe nuk pajtohesh edhe sot e kësaj dite gjatë tërë karrierës tënde?

Në rend të parë nuk jam pajtuar me njerëzit që i dinë të gjitha dhe mburren me te. Të tillë kishte tek ne shumë. Në Zvicër kam takuar pak për të mos thënë fare. Kur i kam pyetur për gjërat që nuk janë në fahun e tyre, jo që s` më janë përgjigjur por janë habitur, ka qenë absurd vetëm pyetja. Injoranca(padija) ves që se kam përfillur kurrë. Mendoni sa keq kur në arsim ballafaqohesh me këtë fenomen. Më kanë trishtuar. Kam hasur edhe në gjysmë analfabetë që kanë rrokë ditarin dhe kanë filluar të mësojnë të tjerët, edhepse s` kanë qenë shumë kanë bërë shumë keq. Fatkeqësisht vazhdojnë të bëjnë keq. Lexova një artikull në gazetë që diku në një komunë në Kosovë,  82 mësimdhënës me diploma false të shkollimit të lartë janë dënuar me nga 600 euro nga gjykata komunale dhe u është lejuar mësimdhënia mëtutje, jam tmerruar dhe kam bërtitur, si është e mundur. Dikur për një qerre dru denohej qytetari që dëmtonte pyllin me 600 DM dhe qerrja konfiskoj e sot. Hata... Nuk doja të besoja, po fatkeqësisht një fatkeqësi që shqiptarët po mësohen.

Gjëja më e keqe kur njerëzit mësohen me të keqen dhe ajo u duket normale.

Edhe në mësimin plotësues në Zvicër kishim anomali të rralla, anipse unë gjatë udhëheqjes jam kujdesur që asnjë mësues nuk ka mund të punojë pa dëshmi për shkollimin e kryer adekuat. Por ka ndodh që mësuesit të lëshojnë mësimin në gjysmë të vitit ,i kam qortuar shoqërisht dhe kam ndjerë keqardhje për këta njerëz me diploma që nuk zbatojnë asnjë rregull në shtetin ku jetohet me rregulla strikte. Ka dhe shumë anomali me të cilat jo që nuk mund të pajtohem por reagoj shpesh në mënyrë të vendosur.

Sigurisht se kjo jetë është e shkurtër. Gjatë gjithë kohës suaj si mësues, më shumë keni përjetuar gëzime apo edhe ditë jo të mira?

Jeta në këtë botë nuk është e shtruar vetëm me lule, ka edhe ferra. Fatbardhësisht kam menduar gjithmonë se jeta ka kuptim vetëm nëse punon e mendon drejt, flet dhe vepron drejt dhe lufton të ligën që të del përpara. Në procesin mësimor jam përpjekur të krijoj atmosferë gëzimi dhe disponim. Kur kam qenë i përgatitur dhe vet në formë gjithçka ka shkuar mirë edhe me fëmijët, kjo s`do të thotë se nuk kam pasur edhe momente që ja kam huqur dhe e kam ndier veten shumë keq.

Asnjëherë kur vetë kam qenë fajtor nuk kam ikur pa kërkuar falje tri herë. Më fal dhe të faleminderit kanë qenë pjesë e tepërt e fjalorit tim. Fjalë të cilat shumë nuk i posedojnë në fjalorin e tyre për hir të sedrës e mendjemadhësisë. Kam qenë tepër i dëshpëruar kur është përndjekur ajka intelektuale në Kosovë, si pjesë e saj shpesh jam ndier keq i fyer. Ndoshta kam qenë shumë krenar me at vend dhe fyerjen e kam ndier më thellë, ato kanë qenë ditë të vështira. Jam përpjekur t i përballoj me mençuri. Po ishte sfidë e papërballueshme të luftosh me mend kundrejt një armiku që ta fut thikën në fyt. Po i gjithë ky mund ka një satisfaksion, lirinë që kemi nëse dijmë ta menaxhojmë dhe nuk na kthehet në bumerang. Edhe kur jam ndier tejet i dëshpëruar, jam futur mes fëmijëve të cilët me sinqeritetin e tyre, me dashurinë dhe respektin më kanë këndellur dhe ma kanë shlyer atë dëshprim si me dorë.

Kur e sheh një fëmijë shqiptarë duke folur gjuhën e huaj në mes veti. Si ndjehesh?

Ndjehem keq, shumë keq! Vërej popujt e civilizuar që në familje flasin gjuhën e vet, pavarësisht ku jetojnë, sepse ata e duan ate dhe e ruajnë më tepër se çdo vlerë tjeter. Në këte drejtim, ndihem keq dhe më keq kur bashkatdhetarët e mi shtiren dhe flasin gjuhë tjetër për t`u hatruar me vendësit.  Kjo s` është civilizim. Edhe zviceranët e ditur e dinë se ti je i vlershëm kur ke unin tënd. Një zyrtare e dëgjoja shpesh të na thoshte mësoni "ëer bin Ich - kush jam unë", do të jeni më të vlefshëm edhe për ne.

Flisni shqip me fëmijët tuaj se gjermanishten do ta mësojnë domosdo në shkollë.

Vështroj me keqardhje disponimin e një pjese që kanë përvetësuar kulturën e ikjes nga identiteti, kjo është një tmerr. Shpresoj të jenë pak.

Image

Ka rreziqe që rinia shqiptare në diasporë, dita ditës, po e harron gjuhën e të parëve?

S` ka koment. Gjuha shqipe dalngadalë po zbehet. Unë e hetova këto vite këtë trend. Fëmijët e paraluftës, shumica kishin kryer disa vite shkollë në vendlindje dhe me ta mësimi i gjuhës ishte më i lehtë. Më vonë vjen gjenerata që kishte lindur atje po s` kishte kryer shkollë në vendlindje. Përsëri gjuha e familjes i hynte në punë dhe mësimi bëhej më lehtë por gjeneratat që po lindin këtu, me ta edhe vështirësitë po shtohen. Po kur kihet parasysh se me këtë mësim kontakt ka vetëm më pak se 5% shi, çka ndodh me të tjerët?! Ndoshta do të ketë një shpëtim sado të vogël që gjuha mos të braktiset krejt. Bisedat përmes mjeteve të informimit dhe rrjetet sociale për fëmijët që kanë të afërmit e tyre në atdhe dhe komunikojnë dendur e shkojnë në pushime shpesh atje. Por, kjo kurreshtje s` di sa do ta ndihmojë këtë. Përsëri i kthehem asaj më të rëndësishmes. Shteti dhe sistemet i shpëtojnë pasardhësit e tyre nga asimilimet, e jo rastësitë. Unë shikoj me ëndje disa emisione të Marin Memes në kërkim të rrënjëve të humbura dhe me kolegët diskutojmë se duhet të ketë Marin Mema të tjerë në dy shtetet shqiptare që të përpiqen të shpëtojë  40% shin e popullatës së shkapërderdhur nëpër botë që ti mbrojë sot nga humbja e gjuhës, kur edhe rrënjët edhe degët janë ende të gjalla më mirë se sa ti qajmë dikur kur këto gjurmë veç  janë zhdukur. Humbja e identitetit është e dhimbshme.

Image

 

Ku është faji i mossuksesit sa duhet i shkollës shqipe?

Unë jam i lumtur që mësimi plotësues i gjuhës shqipe është organizuar edhe në Zvicër. Por, për mossuksesin në këtë drejtim kanë ndikuar shumë faktorë. Ndër ta edhe shkolla e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Në rend të parë prindërit e paangazhuar sa duhet dhe në anën tjetër arsimtarët jo të kujdesshëm. Gjithmonë më ka munduar kur prindi i fëmiut në klasën e III apo të katërt është ankuar se nuk po e dëgjon me ardhë në shkollë shqipe. Jam habitur dhe e kam pyetur, çka do të ndodhte nëse ai se dëgjon edhe për shkollën zvicerane. Apo pse ata e kanë ate detyrim? përgjigjet gjithmonë më kanë brengosur dhe kam konstatuar se këtyre u kanë dalë fëmija doresh dhe kjo është mozomakeq. Kur u kam treguar se para ligjit ata detyrohen të jenë përgjegjës për të gjitha bëmat deri në moshën 16 vjeçare janë stepur.  Me kolegët e mi shpesh kam humbur kohë duke i bindur se të jesh mësimdhënës i këtij mësimi specifik dhe shumë kompleks duke ua spikatur  vështirësitë  për të arritur sukses dhe jam habituar nga përgjigjet e lehta të tyre. Mendimi i disave më ka shokuar se nuk duhet shumë mend për 2-3  orë në javë dhe kjo ka qenë një vetmashtrim në aspektin profesional. Këtu ne shpesh kemi dështuar. Fëmijët nuk i kemi motivuar dhe me metodat, format dhe mënyrat jo adapte të mësimdhënies, i kemi larguar vet nga shkolla. Pos tyre organizimi vullnetar, shpërblimin tallës dhe shumë kapriço tjera që e kanë përcjellë këtë mësim, kanë bërë që një faj ta ketë edhe shkolla e mësimit plotësues, mësuesi edhe unë. Pra asesi unë, ne nuk duhet të amnestohemi për mossuksesin që po e përcjell këtë shkollë. Ka edhe shumçka të thuhet, por ky është faji ynë i pafalshëm dhe ky mësim edhe për këtë duhet të jetë në nivel institucional dhe të menaxhohet. Asnjë punë në Zvicër nuk i shtrohet vetëm vullnetit të mirë. U shtrohet rregullave dhe ligjit. Për këtë mësim edhe Zvicra ka ligj në kodin civil që duhet strikt repektuar.

Si mësues veteran, cila do të ishte porosia juaj për mësuesit e rinj?

Eshtë një brengë, pak ka mësues të rinj. Në këtë mësim ka vetëm gjeneratë që po i afrohet pensionit si kjo puna ime. Dikur kishim një ide, po që mbeti sërish iluzion. Të kërkojmë mësues nga gjenerata të reja, bile me theks të posaçëm kërkuam të rinj shqiptarë që kishin filluar apo kryer studimet për mësuesi në Zvicër. Po kjo nuk eci, në rend të parë ishte shpërblimi që shtë qesharak, organizimi joinstitucional dhe pasiguria se do të kesh klasë  vitin tjetër. Sidoqoftë në kantonin Aargau nuk jemi aq keq, kohët e fundit janë mësimdhënëset që dominojnë në këtë mësim me një moshë relativisht të re, kryesisht gra të martuara me zanat të mësuesisë që kanë ardhur rishtas në Zvicër, që janë më adapt për mësim.

Porosia për ta është e thjeshtë:  Ta duan punën që bëjnë dhe ta marrin ate me përgjegjësi me dëshirën që ta bëjnë më së miri. Të mos u mjaftojnë njohuritë nga diplomat e fituara, po të eksplorojnë detin e gjerë të formave dhe metodave të shkollës zvicerane me një përvojë të gjatë dhe të ndjekin të rejat në seminaret e shumta që mbahen anekënd institucioneve prestigjioze  arsimore në Zvicër. Ti kompletojnë dijet për nevojat e ditëve që po vijnë dhe po i ndryshojnë trendet arsimore në botë. Eshtë thënë kaherë se nuk është më analfabet ai që nuk di të shkruajë e të lexojë, por ai që nuk di të eksplorojë teknologjitë e reja(internetin ...)

E ke menduar, se shpejt vjen pensionimi?

Më ka ardhur papritmas, kam qenë shumë i zënë, shumë i ngarkuar për të menduar te pensioni. Tani që po e shof, s` kam fuqi ta pengojë. Natyra po e bën të veten paçka se nuk po na pëlqen. Disa gjëra vendosen kundër dëshirës sonë!?

Na thoni drejt, më shumë ke fituar apo humbur se je në diasporë?

Jam skeptik, se kam dashur kurrë largimin nga vendi. Ka qenë një imponim. Fillimisht ikje politike në Shqipëri e më vonë në Zvicër. Më vonë detyrim familjar.  Dua të apostrofoj një mikun tim i cili pas lufte më lutet që të jem në frontin e parë, siç isha në vitet e 90, për ta ndihmuar Kosovën e pas uftës, të cilin e refuzova. Si rast social me shumë fëmijë do të bëhem barrë e rëndë në Kosovë, Zvicra do të më përballojë më lehtë. I tregova se vajzën me të njejtën shkallë shkollimi si timen e kisha të papunë në Kosovë.

Kam fituar në aspektin social. Në Shqipëri do thoshin kam fituar lekë, por kam humbur një pjesë të fëmijëve dhe nipave e mbesave, sepse një pjesë gjendet në Kosovë, që është shumë e dhimbshme. Kur e kujtoj qaj, por ishte e paevitueshme. Ishte një fat në fatkeqësinë tonë të madhe.

Në barazimet që bëj sipas metodave të mia jam humbës.

Pleqërinë, do ta kalosh në Zvicër, apo në atdhe?

Një mikun tim në pension, që kishte familjen në Kosovë dhe në Zvicër si puna ime, kur e pyetën se ku po gjindesh ai u përgjigj: "Në bisht të ballanës (të aeroplanit)". Nuk kam çfarë ti shtoj tjetër. E di që malli për nipat dhe mbesat do të më përplasë sa andej këndej. Po varrin mund të ma kërkoni dikur vetëm në Kosovë.

Keni një përvojë të madhe si mësues edhe në atdhe por edhe në Zvicër, ku e sheh shkollën shqipe pas pesë vjetëve, gjithmonë, nëse ecë me këtë ritëm?

Me trendet që shof deri tash, jam shumë i shqetësuar. Çfarë dëgjoj nga politikanët dhe përgjegjësit e arsimit atje e këtu them i lumi  unë, çka shof them i mjeri unë. Do të isha më i lumturi në botë sikur të isha gabim. Ka shumë raste për t`u shqetësuar. Rastësitë në këtë drejtim të keq, sikurse të ishin vetëm raste. Këto janë tashmë fenomene.

Përditë e shof ëndërr një matrapaz nga vendbanimi im në Zvicër që s` kishte kryer kurrë as gjimnazin dhe sot si Prof Dr. jep në një universitet publik Kulturen e Gjuhës, e nuk di të flasë e të shkruaj shqip. Për çudi nuk ja zë për të madhe as shtetit as universitetit që ka punësuar, por studentëve që e dëgjojnë dhe nuk e kundërshtojnë dhe më kujtohet vetja si student kur kundërshtonim, kur nuk duronim të na dhunojnë intelektin. Çuditem. Pra, nëse vazhdohet ky trend në Kosovë punët do të vejnë për vaj halli, kurse në Zvicër pas disa viteve nëse nuk ndërmirret diçka s` kemi kë të mësojmë më. Një shoqëri që investon kaq pak për të mos thënë hiq në arsim dhe në kujdesin për gjuhën në diasporë, perspektivën e ka të mjegulluar.

Cilën ligjëratë do ta kishe ligjëruar si fund të karrierës tënde?

"Kultivimi i gjuhës shqipe dhe mbrojtja e identitetit të mbi 40 % të popullatës shqiptare të shpërndarë nëpër botë prioritet i të gjithëve". Pos tjerash kam dëshirë të realizojë një Monografi të shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër, pasi kam material të bollshëm për këtë. Do të mbetej një borxh i pashlyer nga dhjetra e qindra idealistë e mësues që u përpoqën që gjuha shqipe të ndihet gjallë edhe në Zvicër. Nuk e di, por është një borxh i madh, sa do ta realizoj me kolegët e mi do të jetë punë kohe. 

Ku e kishe bërë këtë ligjëratë në atdhe apo në Zvicër?

Temën do të doja ta ligjëroja gjithandej ku ka shqiptarë. Kurse hartimin e Monografisë do t`u kisha lënë si pasqyrë shqiptarëve kudo që janë. Të krenohen për ate që kanë bërë dhe të turpërohen për ate që se kanë bërë si shqiptarë.  Jam ithtar i asaj që meritat të njihen,  po dështimet të gjykohen. Dëshiroj t` i nënshtrohem gjykimit të pasardhësve të mi.

Më shumë do të kujtojmë si Hamzë Morina i mërgatës apo i atdheut?

Është e dhimshme, por është e vërtetë. Në atdhe më njohin si të huaj që ka ardhur për pushime, kurse në mërgatë si i huaj që nuk po natyralizohet.

Në të dyja vendet me hipotekë. Po ky është realiteti, një gur që lëkundet nga vendi do të rrokulliset ku ta detyrojnë të tjerët, jo ku do ai vet.

Fatkeqësia qëndron se u rrokullisëm keq dhe po na duket se jemi mirë. S` ka fund fatkeqësia të dukesh mirë edhe kur je keq. Por, për të mos u dukur krejt zi, në Kosovë  të njohurit më çmojnë si mësues i mirë për kohën kur isha, e në diasporë si mësues e veprimtar i mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Sigurisht, se do të kemi mundësi përsëri të takohemi e të bashkëbisedojmë edhe për tema të tjera, sepse ishit edhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare nëpër situata të ndryshme që ka kaluar atdheu ynë. 

Po jam përpjekur që ta ndihmoj at vend dhe ata njerëz që u gjenden në udhëkryq të botës dhe po përplaseshin herë nga lindja e herë nga përendimi.

Dilema është ende e hapur. Në vitet e 90 e lexova një shkrim sa isha në Tiranë dhe u tendosa: Vetëm titulli kishte domethënie: "Vija e Teodosit po rishfaqet, nga do t` ja mbajnë shqiptarët?. Kjo dilemë është ende aktuale. Në rend të parë isha mësues, dhe këtij misioni ju përkushtova me të gjitha sukseset dhe dështimet që askuj s ja fali dhe më vjen keq që sot në Kosovë ka më shumë universitete, shumë grada e tituj akademikë e shumë pak dije. 

Kisha një gradë ushtaraku në rezervë, me dije solide ushtarake, po që grada mu mor pas tri viteve, më 1980, po s`mu mor dija, edhepse s`u bëra asnjëherë gjeneral, sepse Kosova nuk kishte ushtri. Jam i shokuar kur sot dëgjoj për të gjithë ata tituj ushtarakë, më të shumtë gjeneralë, kur Kosova ende nuk ka ushtri. Kisha simpati për lëvizjen politike intelektuale të viteve të 90 - ta që u shëndrru në parti politike, që me lideshipin e sotëm ta gërditë edhe politikën. Po edhe për to kemi çfarë bisedojmë, pasi kam artikuj të tërë kushtuar këtyre çështjeve.

Për fund të këtij bashkëbisedimi, cila do të jetë përshëndetja e juaj mërgatës sonë, kolegëve tuaj, ish- nxënësve dhe gjithë veprimtarëve, që keni bashkëpunuar.

Përshëndes të gjithë, në veçanti pjesën më të madhe të mërgatës që mbajti gjallë Kosovën gjatë tërë qëndresës së saj dhe po e ndihmon sërish padiktueshëm zhvillimin e saj. Falënderoj të gjithë kolegët dhe koleget që më ndihmuan të sendërtoj një pjesë të synimit tim, arsimimin e gjeneratave të reja në Zvicër, pa ta do të ishte e pamundur të përhapej fryma e gjuhës hyjnore në Zvicër. Uroj ish nxënësit e mi që të ruajnë si sytë e ballit gjuhën e tyre amtare dhe të krenohen me të. Përgëzoj të gjithë idealistët që u radhitën në përkrahje të dijes dhe gjuhës shqipe edhe në Zvicër.

Përshëndetjen më të mirë do t`u drejtoja përmes vargjeve të Gj. Fishtës:

Pra, shqyptarë çdo fès qi t'jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t'uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t'jetë jeta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat