Fushatë e begatë e një instituti poliedrik

Zvicra

Fushatë e begatë e një instituti poliedrik

Nga: K. SH. Më: 31 maj 2017 Në ora: 12:31
ISEAL (Instituti Zvicran i Studimeve Shqiptare)

ISEAL nuk është akronimi i ndonjë partie politike. Këto germa shënjojnë Institutin Zviceran të Studimeve Shqiptare. Në frëngjisht. Ai as që dëshiron t’u bëjë konkurrencë partive politike në Kosovë, të cilat këto ditë zyrtarisht janë në fushatë politike dhe emrat e tyre shpërfaqen gjithandej. Këto janë dy modele të ndryshme.

Instituti, që ka kurajën ‘t’i vjedhë’, qoftë për disa çaste, spektaklin politikës, është shqiptar, është zviceran. Gjeografia e tij është Zvicra, historia e tij është vendlindja e shqiptarëve. Ai funksionon sipas mënyrës transnacionale të të jetuarit dhe të të vepruarit, sipas së cilës njeriu në disa vende është në shtëpinë e tij. Instituti prezanton shqiptarët, përpara shqiptarëve dhe të tjerëve, përmes shqiptarëve dhe të tjerëve... Ai tërheq një orbitë specialistësh nga fusha të ndryshme, në Zvicër dhe në vendlindjet e shqiptarëve në këtë vend.

Logu i paraqitjeve të ISEAL-it njëherë ishte Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani“. Të enjten e 25 majit 2017, në këto ambiente u promovua botimi në shqip i një studimi për imazhin e shqiptarëve në opinionin publik zviceran, me theks të veçantë në medie. Në nëntor dolën edicionet përkatëse të këtij botimi në gjermanisht dhe në frëngjisht, me autorë Alain Maillard dhe Kujtim Shabani.

Njëlloj erdhi në gjuhën shqipe edhe eseja për përkthimin “Dallime identike” me autor vetë drejtorin e ISEAL-it, Driton Kajtazi. Edhe ky tekst në nëntor të vitit të kaluar qe promovuar në Bibliotekën Kombëtare në frëngjisht. Me botimin e tij në shqip, përmbushet një premtim për opinionin, i dhënë në studiot e kanaleve të televizioneve kombëtare të Kosovës.

Risia më e madhe qe promovimi i një libri tjetër shkencor, “Ringritja nga skizofrenia“ me bashkautorë profesor Jérôme Favrod dhe Shyhrete Rexhaj. Libri ka dalë në frëngjisht, këto ditë ai pa rrezet e dritës në gjuhën shqipe dhe do të gjendet në qendrat kryesore të qarkullimit të librit në Kosovë dhe më gjerë në viset shqiptare.

Kulmi i aktiviteteve të ISEAL-it në këtë periudhë jozyrtare të fushatës elektorale në Kosovë ishte simpoziumi shkencor “Shëndeti mendor, sfidë e shëndetit publik”, bashkëpunëtor lokal i të cilit ishte Instituti i Shëndetit Publik. Ngjarja u zhvillua në ambientet e këtij instituti, ku kureshtjes së një auditori të gjerë të interesuarish dhe specialistësh i janë përgjigjur me ligjëratat e tyre: Dr. Régis Marion Veyron; drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Prof. dr. Naser Ramadani; drejtori i Institutit Zviceran të Studimeve Shqiptare, Driton Kajtazi; kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj; Prof. dr. Jérôme Favrod, specialist në infermierinë psikiatrike, Haute École de la Santé (HES) La Source; Dr. Gëzim Dushi, specialist në kirurgjinë pediatrike në Lozanë; Shyhrete Rexhaj, docente në Shkollën e Infermierisë La Source në Lozanë; Visar Qusaj, specialist në Infermierinë Psikiatrike, drejtor i kurimeve dhe menaxher i institucioneve mjekësore në Gjenevë etj.

Në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, pjesëmarrësve të shumtë të këtij simpozium iu dhanë certifikata të pjesëmarrjes, të cilat profesionistëve u mundësojnë njohjen e pikëve të kredive, ECTS, sipas sistemit të Bolonjës.

Manifestimi qe një festë për adhuruesit e shkencës dhe për të interesuarit e këtyre problematikave, të cilat prekin si shtetet e zhvilluara ashtu edhe ato në zhvillim. Sihariq tjetër, jo vetëm për ata të cilët nuk kishin rastin që organizimin ta ndiqnin nga afër, është se ai do të dokumentohet, duke i përmbledhur ligjëratat e simpoziumit dhe duke i botuar ato në gjuhën shqipe, frënge dhe angleze.

Për më tepër, kuadro të ISEAL-it dhe aktorë të këtyre organizimeve këto ditë u paraqitën në televizionet kryesore të Kosovës, ku shpalosën punën e tyre krijuese dhe organizative, duke iu përgjigjur interesimit të publikut për aktivitetin e dendur që po zhvillojnë.

Regjistri i gjatë i aktiviteteve nga fusha të ndryshme shoqërore i Institutit Zviceran të Studime Shqiptare është vetëm maja e Eisbergut e një pune të paepur. ISEAL-in Konfederata Helvetike në vitin 2008 e ka njohur si institucion me vlerë publike. Ai është i vetmi institut i të huajve në rrafsh federal me këtë njohje.?Për të shqiptarët nuk janë më vetëm objekt i studimeve, por edhe studiues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat