SHH “Medvegja“ me mbi 2000 bashkëkombas dhe miq zviceranë mbajti koncertin humanitar

Zvicra

SHH “Medvegja“ me mbi 2000 bashkëkombas dhe miq zviceranë mbajti koncertin humanitar

Më: 22 qershor 2017 Në ora: 15:21
SHH “Medvegja”, në Zvicër, aktivitet kulturor

Kryetari i shoqatës, z. Zenel Neziri edhe një herë bëri thirrje, që Medvegja të ndihmohet edhe më shumë nga të gjithë shqiptarët, duke e ditur, se në çfarë situate është ajo dhe mbylli këtë jubile të 22 të këtij organizimi sa sportiv-kulturorë dhe humanitarë. Ai ndër të tjera tha, se „Sivjet, i mbushi edhe SHKA „Medvegja“, hiq më pak se dhjetë vjet. Shumë faleminderit të gjithë atyreve që kanë kontribuar në këtë shoqëri. Prej themelimit e deri më sot, z.Musa Neziri ka dhënë tërë energjinë e tij dhe gjithçka që ka pasur, që kjo shoqëri të del e sukseshme. E tash, z.Sulejman Musliu me anëtarët e tjerë, do të punojnë që të mbajmë të fortë këtë shoqëri. Falënderojmë edhe prindërit që po i sjellin fëmijët e tyre. Shumë mirënjohje edhe për të gjithë ata që japin kontribut. Ne nuk do të dorëzohemi sepse jemi një shoqatë e fuqishme me veprimtarë besnikë. I kaluam 30 vjet veprimtari me plot organizime me shumë e shumë miqë nga të gjitha trevat etnike shqiptare dhe miqë zviceranë. Deri në momentin e fundit të jetës sime, do të jap kontribut për Medvegjën. Të punojmë edhe më shumë, se vërtet kemi një diasporë të fuqishme dhe presim edhe ndihmë nga shteti shqiptarë dhe ai i Kosovës, që Medvegjës ti kthehet jeta”.

Fully, qershor  

„Shoqata Humanitare „Medvegja“, është dhe do të mbetet njëra ndër shoqatat më të organizuara në europë, ose thënë shkurt, për në europë llogaritet si Pan Vatra e Amerikës. Vërtet punojnë shumë dhe janë unikë mes veti. Është për ti marrur lakmi se si organizohen për çdo vjet. I vetmi organizim që mbahet në natyrë e deri në mesnatë me muzikë shqipe dhe të vijnë edhe miqë zviceranë të argëtohen me muzikë shqipe në mesin e medvegjasëve. E mbi të gjitha edhe personalitete të politikës zvicerane si dhe kryetar komunash e kështu me radhë. Kjo shoqatë ka dhënë hiq më pak se mbi pesë milion franga për atdheun e më së paku për Medvegjën, sepse ishte në pyetje çlirimi i Kosovës, por si duket ka mbetur e harruar nga dy shtetet tona“, kështu na tha, një bashkëkombas nga Dukagjini i Kosovës. E fillova këtë reportazh me këto fjalë të një bashkatdhetari nga rrethina e Pejës, i cili vazhdimisht është në manifestimet e Medvegjës. Edhe Medvegja është shqiptare edhe Medvegja është kuq e zi, fëmijët këndojnë andej e këndej duke ecur dhe duke u përgaditur për të mbajtur programin. SHKA „Medvegja“, një shoqatë e fuqishme, që përfaqësonte komunitetin tonë nëpër shumë manifestime në Zvicër, është zëri më i qartë dhe i bukur i Medvegjës, i gjeneratës së re. Shumë të rinjë e të reja kanë kaluar nëpër këtë shoqëri dhe po përpiqen që të mbajnë edhe në të ardhmen. Është një artëdashës, e mbi të gjitha një patriot i madh, Musa Neziri, ai i cili mori guximin që të themeloj këtë shoqëri dhe me përkrahje të kryesisë dhe miqëve të tjerë medvegjas, ajo edhe sot e kësaj dite po mbahet dhe vërtet po jep kënaqësi artistike me këta të rinjë. Ka shumë prej fëmijëve që u rritën në këtë shoqëri e sot janë edhe nëna dhe prindër. Kjo është kënaqësi. Na patë thënë para disa manifestimeve, z.Musa Neziri, themeluesi i SHKA „Medvegja“, asgjë të mos kontribuoj kjo shoqëri, në dy gjëra dua të jemi të fortë, të ruajmë gjuhën tonë, kulturën dhe traditën si dhe të njihen të rinjtë nëmes veti. Shumë të rinjë e të reja janë njohur në këto manifestime dhe sot janë prindër. Por edhe ana tjetër e medaljes, shumë familjarë, vijnë në këto manifestime që të njihen mes veti, që të mos ndodhe që të dashurohen të rinjtë nëmes veti, sepse nuk njihen a janë të gjakut. Edhe pse deri më sot nuk ka ndodhur na thotë z.Neziri, por këto manifestime shërbejnë edhe në këto drejtime.  

Image

Si zakonisht muaji qershor, tregonë edhe sofrën e vërtë medvegjase, meqë i madh e i vogël drejtohen në Fully, kantoni Valis, që ta shijojnë këtë koncert dhe turnir futbolli tradicional, e që ka karakter humanitar në ndihmë Medvegjës. Fully, ky qytet i bukur në mes të Valisit, një qytet i rrethuar me male të larta e thuajse të gjitha të mbushura me hardhi rrushi, njihet edhe si Medvegja e dytë për të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër e më gjerë. Në këtë qytet me rrethinë, është pjesa dërmuese e mërgimtarëve medvegjas, që jetojnë e veprojnë. E shtuna e 17 qershorit në gjithë Zvicrën ishte me rreze të forta të diellit, jo sikur vjet, që herë pas here dukej se do të bie shi. Gjihmonë që vjenë qershori, menjihere na shkon mendja te spektakli madhështor që e organizon Shoqata Humanitare „Medvegja“, me qendrën e saj në Fully të Valisit-Zvicër, edhe ate tradicionalisht hiç më pak se për 22 vjet me radhë. 

Një mbrëmje e madhe familjare e rinore me plot argëtim, me muzikë të bukur shqipe, valle nga SHKA Medvegja e plot befasi ishte e shtuna e 17 qershorit në këtë qytetzë të bukur të Zvicrës.

Koncert i mbajtur në natyrë, në afërsi të stadiumit të këtij qyteti edhe ate deri në orën 23.55 min të mesnatës. E kishin marrë lejen këshilli organizativ, që në orën 24.00 të mbyllet dhe aty në orën 23.55 min u pa, kryetari i SHH „Medvegja“, z.Zenel Neziri, që doli në skenë dhe i njoftoi të pranishmit, që sipas organizatorëve ishin mbi 2.000 bashkëkombas. Pra të ndërpritet koncerti në natyrë dhe kush ka dëshirë të futet në sallë. Një sofër bashkimi, një takim i papërshkrueshëm medvegjas, të rinjë e pleqë, por edhe fëmijë, që të gjithë së bashku në këtë spektakël të përvjetshëm. Edhe banorët e tjerë që jetojnë në këtë pjesë, janë të pranishëm, si zviceranë, italianë, francezë etj, ju duket sikur të jetë festë e tyre, edhe pse gjithandej, është shqip dhe valon flamuri kuq e zi.Shumë prej medvegjasëve ndër të tjera thonin, se ndoshta gjatë tërë vitit nuk e takojnë njëri tjetrin, e vjen qershori, që takohen me medvegjasit jo vetëm me ata që jetojnë në Zvicër, por edhe më gjerë, nga Gjermania, Austria, Franca, e Italia. Falënderime dhe urata merrnin kryesia e shoqatës dhe anëtarët e saj. Shumica e banorëve të kësaj zone merren me bujqësi, e sidomos me pemëtari. Prej vitesh, një pjesë e mërgatës sonë jeton dhe vepron në këtë pjesë të Zvicrës, e natyrisht puna e tyre më e madhe bëhet në pemëtari. Ata gjetën punë dhe mbetën aty. Në manifestimet e Shoqatës Humanitare “Medvegja”, shoqatë që rreth vetes ka një anëtarësi të madhe, në organizimet e saj marrin pjesë mijëra mërgimtarë, kryesisht medvegjas, por edhe bashkëkombës nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës dhe rrethina e Ulqinit. Me një mikpritje tipike medvegjase, kryesia e shoqatës, anëtarët e saj dhe të gjithë medvegjasit mërgimtarë i pritnin bashkatdhetarët e trevave tjera shqiptare që të jenë pjesë e këtij koncerti humanitar. Në hyrje të stadiumit ku mbahej koncerti shihej flamuri ynë kombëtar, si dhe ai zviceran. Shiheshin edhe tavolina të rezervuara. Pleqë e plaka, fëmijë e të rritur, të gjithë të buzëqeshur, që po takohen të gjithë bashkë. Shkurt e shqip, këto manifestime janë të mirëpritura për bashkatdhetarët medvegjas. Nuk mungon as ushqimi i freskët, pije të ndryshme. 

Image

Mes qershori, e tregonë edhe sofrën medvegjase, meqë i madh e i vogël drejtohen në Fully që ta shijojnë këtë koncert dhe turnir futbolli tradicional, e që ka karakter humanitar në ndihmë Medvegjës. Bashkatdhetarët tanë vinin grumbuj-grumbuj nga e tërë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Presheva e Bujanoci, e ndër ta shiheshin edhe politikanë e intelektualë të ndryshëm zviceranë, kryetari i Komunës së Fully, Eduard Felle, deputet komunal, kantonal si dhe deputetë nacional, me një fjalë, personalitete me shumë ndikim në përditshmërinë zvicerane. Kjo tregon dhe dëshmon, se shoqata Medvegja, gëzon autoritet të jashtëzakonshëm dhe që të gjithë, kur marin fjalët përshëndetëse para të pranishmëve, ata falënderojnë edhe Zenel Nezirin, kryetarin e shoqatës, me stafin e tij, që kurrën e kurrë nuk u ndal për të mirën e përgjithshme. 

Programi filloi prej grupit të të vegjëlve, që e ndjekin edhe Shkollën Plotësuese Shqipe pjesë të SHKA „Medvgja“, me këngë e recitime, si dhe me valle të të gjitha trevave shqiptare. Kështu, edhe një herë u tregua se fëmijët mërgimtarë, edhe pse të rritur dhe të edukuar në Zvicër, ata nuk do ta harrojnë Medvegjën dhe herë do kur do të punojnë për ato treva të të parëve. Kjo shoqëri sivjet mbush edhe 10 vjet veprimtari ku edhe themeluesi i saj, z.Musa Neziri u nderua me një mirënjohje të veçantë për gjithë kontributin që e ka dhënë. Grupi i mesëm i kësaj shoqërie e dha edhe një program vërtet shumë të pasur. Shoqëria artistike, siç dihet, e ka edhe grupin folklorik, të përbërë nga Avni Neziri, Samir Neziri, Shqipe Neziri, Sofie Namani, Mevlan Thaçi, Marigona Neziri, Sadik Baftiu, Sulejman Musliu etj, të cilët i kënduan Medvegjës, Kosovës, Shqipërisë dhe këngë të bukura për unitetin kombëtar. Të gëzon fakti, se medvegjasit, në këto manifestime vijnë me familjet e tyre, e që është një gjest shumë i veçantë dhe me plot kuptim. 

Ka afërsisht, tetë muaj, që këtë shoqëri, po e drejton veprimtari i madh, Sulejman Musliu. Z.Musliu, ashtu sikurse më parë z.Musa Neziri, është zotuar, se do të punojë me shpirt e zemër, që ti motivoj të rinjtë e të rejat, që të mbajmë të gjallë jetën kulturore edhe ne në diasporë. Së bashku me z.Sulejman Musliu është edhe Sadik Baftiu, Mevlan Thaqi, Avni Neziri, Shqipe Neziri, Marigona Neziri dhe Sofije Namani etj.

E Bleona e vogël me veshjet kombëtare, duatrokitke dhe dëshironte ti afrohej gjyshit të saj, kryetarit të shoqatës z.Zenel Neziri, kur fliste në skenë dhe ia bënte me dije përgjegjësve të shoqërisë, se edhe pse e vogël, ajo një ditë do të jetë aty në skenë duke vallëzuar e kënduar, por edhe recituar Medvegjës, e tokës shqiptare. Ajo ka dy vite e ca muaj, por me shpirt është e madhe duke e kuptuar e parë, edhe babain Bashkimin dhe nënën Marigona, që po kontribuojnë në këtë shoqatë, pastaj gjyshin, gjyshen, stërgjyshin, stërgjyshen, dajtë, tezet e kështu me radhë. Trashëgim po i mbetet gjeneratave të reja, që të mos ndalen asnjëherë për të ruajtur traditën tonë, gjuhën e kulturën kombëtare. Kryetari i Shoqatës Humanitare “Medvegja” Zenel Neziri, e hapi këtë jubile të 22 me radhë para të pranishmëve me fjalët më të mira të mundshme të kryesisë së shoqatës, anëtarëve të saj, sponzorëve dhe të gjithë atyre që po kontribuojnë të mbahen këto manifestime. Ai nuk harroi edhe kësaj here, pa falënderuar me gjithë zemër edhe miqtë zviceran, që gjithmonë ishin në këtü manifestime. Ai ndër të tjera tha se: „Më lejoni ti falënderoj edhe njëherë e shumë hërë edhe këto shqiponja të Shoqërisë Kulturo Artistike Medvegja, prindërit e tyre dhe të gjithë ata që punuan dhe po punojnë, që kur po i shohim në skenë po kënaqemi. E di, se nuk e keni pasur dhe nuk e keni të lehtë të organizoheni, se krejt puna është vullnetare, por ju keni fluturuar si shqiponja, kur është përmend Medvegja. Ata të rinjë e të reja, që nuk janë më pjesë e kësaj Shoqërie, e që kanë kontribuar, është mirë të afrohen, dhe të tjerë të rinjë e të reja, e të jemi edhe ne faktorë për organizime e pjesmarrje nëpër festa të ndryshme që mbahen në Zvicër, sepse kemi talentë të shumtë dhe mundësit i kemi për përgaditje. Asesi nuk harroj për ti falënderuar të gjthë ata që kanë kontribuar pak sado pakë për këtë shoqëri. Shoqata jonë ka emër, ka emër se qe 32 vjet po shërben për atdheun me ato forca që i kemi, edhe kryesitë e mëhershme kanë kontribuar por e do të kontribuojnë edhe kryesitë që do të vijnë pas nesh. Jemi munduar që situatën aktuale në Medvegjë ta përcjellim nëpër shumë vende të europës e deri në SHBA, me personalitete të ndryshme me ndikim. Nuk ishim e as që jemi me ndoj parti politike, partia jonë është Medvegja, është flamuri kuq e zi, ajo tokë, që sytë i ka nga ne, sepse ne jemi të fortë dhe mundemi të bëjmë shumë paqësisht. Vëllezër e motra, afrohuni në shoqatë më shumë, e dini se këtu nuk ka rroga, por historia do ta dëshmoj, dhe besoj se do jetë mirënjohës për të gjithë që kanë kontribuar. Nuk dua të ju marrë kohë, të vallëzojmë e këndojmë dhe nesër ejani në turnir. I falënderoj edhe mediat që kanë kontribuar dhe të gjithë veprimtarët anë e mbarë Zvicrës, që ishin me ne, duke u nis nga ambasadorë, konzuj, kryetar shoqatash, partish, e intelektualë të pavaruar. 

Image

Edhe Medvegja është kuq e zi, perendia e bekoft Medvegjën, popullin shqiptarë, Zvicrën, SHBA-të dhe gjithë miqtë tanë ndërkombëtar.

Gëzuar, e ju pafsha mirë e bashkë për hatër të flamurit tonë kombëtar kuq e zi, për hatër të gjuhës sonë amtare, për hatër të të parëve tanë. Vallzoni e këndoni, si dikur në Medvegjën tonë“. Fjalën e mori edhe kryetari i komunës Fully, z.Eduar Felley, kuptohet duke potencuar, se ka respekt të veçantë për gjithë kryesinë e anëtarët e shoqatës, e padyshim edhe me kryetarin e kësaj shoqate z.Zenel Neziri. Edhe z.Janik Bytte, deputet në Parlamentin e Zvicrës nga partia e CVP i përshëndeti të pranishmit. Programi festiv vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit me këngë e valle, nga këngëtarë të njohur si Afrim Muçiqi dhe Hydajete Miftari. Z.Musa Neziri, Fadil Selmani, Zejnullah Namani, Mevlan Thaqi dhe e gjithë kryesia e shoqatës ishin shumë të kënaqur me ecurinë e këtij programi dhe i falënderojnë të gjithë ata që po ndihmojnë në forma të ndryshme që të mos harrohet Medvegja, si mediet, e po ashtu edhe veprimtarët e tjerë, si dhe prindërit. Është vërtet për ta përshëndetur këtë organizim të Shoqatës Humanitare “Medvegja” dhe nuk do të ndalet asnjëherë për të rinjtë dhe të rejat, pra për gjeneratën e tretë dhe për Medvegjën.

Një program të pasur sivjet e mbajti edhe dhe Ansambli Gëzuar Gjenevë, të cilët kishin ardhur enkas nga Gjeneva. Vërtet shkëlqenin me programin e shkëlqyeshëm. 

Ishin për ti marrur lakmi dhe duhet të krenohemi që të gjithë. Kjo prezencë e këtij ansambli, vërtetoi, se Medvegja, asnjëherë nuk do të jenë vetëm, por gjithmonë do të çmohen e respektohen nga treva të tjera shqiptare. Ansambli vallëzoi disa valle të bukura në mes të fushës së Fully, që të gjasonte se je diku në atdhe. Të gjithë i duatrokitën. Me mirënjohje u nderuan edhe z.Ismet Selmani, ish kryetar i SHH „Medvegja“, i cili prej ditës së parë e deri më sot kurrë nuk u ndal së kontribuari për këtë shoqatë për të mirën e përgjthshme. Gjithashtu me mirënjohje u nderuan edhe z.Zejnullah Namani, arkatar i SHH Medvegja, e ish kryetar i SHH „Medvegja“, që gjithmonë ishte afër shoqatës në çdo situatë. Me mirënjohje u nderuan edhe Hasan Pajaziti dhe Miftar Ajeti. Kontributi i tij është i madh dhe do të nderohet për jetë. Të gjithë veprimtarët rreth shoqatës janë të besës të cilët kanë sakrifikuar shumë, që vetëm e vetëm të vazhdoj jeta medvegjase edhe në diasporë. Kontributi i shoqatës është i madh, mjafton të lexohet monografia e SHH „Medvegja“, ku për 30 vjet, hiq më pak se mbi 5 milion franga kanë dhënë ndihma në tokat shqiptare. Me mirënjohje u nderuan edhe këngëtari Afrim Muçiqi si dhe këngëtarja Hydajete Miftari, që gjithmonë kanë qenë të gatshëm të japin kontribut modest për këtë shoqatë. Mirënjohje, kryesia e shoqatës i ndau edhe disa miqëve zviceranë, të cilët, gjithmonë kanë përkrahur këtë shoqatë dhe ka prej disa mërgimtarëve që punojnë edhe në firmat e tyre, por ata asnjëherë nuk kanë qenë të ngushtë, që të kontribuojnë me përkrahje shoqatën në fjalë.

Ndërsa ditën e nesërme, pra të dielën e 18 qershorit me një temperaturë 35 gradë, vazhdoi turniri në futboll të vogël, në të cilin morën pjesë mbi 26 ekipe nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe ekipe zvicerane.

Në orën 9:00 filloi edhe loja e parë në futboll të vogël dhe ndeshje pas ndeshje erdhëm deri në finale.Gjatë tërë ditës ishte kohë e mirë me diell. Lojërat u zhvilluan si edhe herave të tjera në formë fer play pa asnjë problem të vogël. Në finale u takuan Shkupi Ge me Rimoval Saxon dhe fitues doli Shkupi Ge. 

Vendi i parë Shkupi Ge, vendi i dytë, Rimoval Saxon, vendi i tretë Sijarina, i katerti Atletico de Martigny, ekipi fer play Tigny. Portieri më i mirë u zgjodh, Mirdijan Jahija i ekipit Rimoval, lojtari më i mirë Blendim Gashi nga ekipi Shkupi. 

Image

Edhe referët, por edhe të gjitha ekipet pjesëmarrëse u ndanë të kënaqura me organizimin dhe lojërat e zhvilluara fer, e pa asnjë lëndim dhe kacafytje, siç jemi të mësuar shpesh t’i shohim nëpër stadiume të ndryshme në atdheun tonë. Në fund të këtij turniri u ndanë kupat e medaljet, të cilat i ndanë komisioni sportiv, pastaj, Zenel Neziri, Fadil Selmani, Zejnullah Namani, Haviz Zeka etj. U falënderuan edhe sponzorët e këtij evenimenti. Kryetari i shoqatës Zenel Neziri edhe një herë bëri thirrje që Medvegja të ndihmohet edhe më shumë nga të gjithë shqiptarët duke e ditur se në çfarë situate është ajo dhe mbylli këtë jubile të 22 të këtij organizimi sa sportiv-kulturorë dhe humanitarë. Në fund, pas këtyre dy ditëve plot aktivitete e takime të gjithë u ndanë edhe të lodhur, sidomos organizatorët, por të kënaqur me mbarëvajtjen e koncertit dhe turnirit, duke shpresuar, se ky manifestim do të mbahet edhe vitin tjetër dhe nuk do të ndalet asnjëherë. 

Koncerti dhe turniri që organizoi kjo shoqatë, edhe njëherë dëshmon, se në këtë shoqatë, ka pasur, ka e do të ketë gjithmonë veprimtarë, që nuk dorëzohen çfarëdo fortune që vjen apo atakohen dhe me shpirt e zemër janë në Medvegjë e për Medvegjë. Këta veprimtarë rreth shoqatës, me vite e vite qëndruan bashkë e do të qëndrojnë edhe në të ardhmen, sepse gjithmonë i ka bashkuar Medvegja, i ka bashkuar flamuri kuq e zi dhe kurrë e kurrës nuk do të dorëzohen. Të gjithë veprimtarët besnikë, që kanë sakrifikuar me vepër njihen në këtë shoqatë, të cilët asnjëherë nuk kanë rrahur gjoksin por kanë punuar e do të punojnë edhe në të ardhmen. Ata njëzëri thojnë gjithnjë, se Medvegja ishte dhe do të mbetet shqiptare, kurrë nuk ka të ndalur. / Teksti dhe foto: Dashnim HEBIBI

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat