“Shpresa” e shpresave të aktrimit shqiptar - Bota Sot
“Shpresa” e shpresave të aktrimit shqiptar

Zvicra

E shtunë, 17 nëntor 2018

“Shpresa” e shpresave të aktrimit shqiptar

Nga: Sevdail Hyseni Më: 16 mars 2018 Në ora: 08:09
Shpresa Kastrati

Skena teatrore e Kosovës, ka vite që përballet me vështirësi të shumta të natyrës financiare e organizative.

Në mungesë të fondeve dhe projekteve kapitale, bota e teatrit shqiptar, vuan nga një strategji e mirëfilltë kombëtare, duke mos reflektuar madje në ngritjen e skenës teatrore alternative në Kosovë.

Duke parë këto mangësi të politikave të zhvillimit alternativ të teatrit në Kosovë, shumë të rinj e të reja, me prirje artistike, braktisin vendin për të gjetur rrugë në afirmimin dhe ngritjen  e tyre profesionale.

Në mesin e këtyre artistëve shtegtarë, është edhe Shpresa Kastrati, një talente e mrekullueshme e artit skenik, një mjeshtre e përkryer e karaktereve në rolet e shfaqjeve dhe një aktore e denjë për të folur në skenë jo vetëm shqip, por edhe gjermanisht.

Peja, një nga vendet më pitoreske të trevave shqiptare, e rrethuar nga Alpet shqiptare dhe e shtrirë përgjatë Luginës së Lumbardhit, është vendlindja e Shpresës, e cila qysh e vogël ka shfaqur prirje për aktrim dhe  pas luftës së Kosovës, u angazhua në skenën e teatrit.

Bota e aktrimit

“Për tre vjet rresht e tregova talentin tim gjatë ushtrimeve në aktrim, por, mjerisht e ndërpreva, nga se kushtet në Kosovë, nuk e jepnin mundësinë për zhvillimin, afirmimin dhe avancimin e të rinjve, në botën e aktrimit’, shprehet me hidhërim aktorja Shpresa Kastrati.

Si shumë aktorë të rinj me prirje dhe talent në fushën e artit dhe skenës së teatrit, Shpresa Kastrati, iku nga Kosova, pa dëshirën dhe vullnetin e saj, për të gjetur rrugë në ngritjen dhe promovimin e vlerave, që ka në fushën e skenës teatrore.

Në Zvicër Shpresa, takon miq e dashamirë të artit, të cilët kanë shije për kulturë dhe nuk kursejnë për të investuar në njerëz, që duan dhe kanë vullnet për tu marrë me kulturë, por në mungesë të fondeve dhe projekteve, detyrohen për mbijetesë të merren me punë, jashtë profesionit të tyre.

Shpresa alternative

Shpresa Kastrati, është një kosovare, me origjinë nga Peja, e cila e ka ndarë fatin e saj jetësor të punojë dhe veproj në diasporë. Fillimisht ka studiuar Shkencat e Aplikuara të Biznesit në Kosovë dhe nga viti 2007 gjendet në Zvicër, duke ushtruar veprimtarinë e marketingut.

Shpresa Kastrati, me aktrim ka filluar të merret që nga viti 2012, duke mbaruar disa kurse për aktrim, që sa do pak të ketë njohuri në këtë sferë të veprimtarisë kulturore.

“Shfaqja ime e parë ka qenë në vitin 2013, në teatër, në sallën Pistalozi në Cyrih, kur e kam lozur rolin e një femre të dhunuar e cila quhej Bjeshka, madje kemi vazhduar nëpër gjithë Zvicrën, duke ecur edhe në Paris dhe në Kroaci”, thotë Shpresa Kastrati.

 Në vazhdim, shton ajo se është e angazhuar edhe në disa projekte të regjisorit Halil Budakova, si dhe në disa projekte të vogla në gjuhën gjermane në Zvicër. “Si do qoftë ky është vetëm fillimi për mua kam shumë çka për të dhënë nga vetja sa i përket aktrimit, vetëm duhet të më jepet mundësia të punoj me njerëz që kanë vlerë në këtë drejtim”, thotë Shpresa, plot elan dhe energji kreative për të kontribuar në skenën teatrore, një art që i fle në shpirt dhe ka dëshirë të merret me të pa fund.

Arti i fjalës

Meqenëse teatri është art i fjalës së folur dhe regjisorët e publiku janë ata, të cilët i vlerësojnë cilësitë e karaktereve në rolet e shfaqjeve në skenën teatrore, Shpresa Kastrati, është një mjeshtre e cila sa do që me hapa të vegjël, po depërton në botën e pasur të kinematografisë evropiane.

Ajo, si shumë artiste të reja shqiptare, kanë nevojë për një mbështetje serioze të institucioneve dhe njerëzve vullnetmirë, për t’i ndihmuar në rrugën e afirmimit dhe ngritjes profesionale, ku do qofshin ata, ngase misioni i tyre është i shenjët dhe shumë i vlefshëm për shoqërinë tonë.

E Shpresa e shpresave të mëdha teatrore, në Zvicër dhe shtete të tjera Europiane, është zëri i artit shpirtëror, që bart me vete ngjyrat e origjinës së saj nga Peja, të cilën s’ka se si të mos e duam dhe të jemi krenarë, për sukseset e treguara në fushën e artit skenik.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test