Premiera e dramës “Burrnesha” jepet në Bern të Zvicrës

Zvicra

Premiera e dramës “Burrnesha” jepet në Bern të Zvicrës

Më: 28 prill 2018 Në ora: 18:09
Premiera e dramës “Burrnesha” jepet në Bern të Zvicrës

Premiera e dramës “Sworn Virgin / Burrnesha” e autorit kosovar Jeton Neziraj do të jepet me 1 maj, nga ora 19:00, në Bern, në teatrin Schlachthaus.

Regjinë e shfaqjes e ka bërë regjisori i mirënjohur zviceran Johannes Mager, kurse luajnë: Albana Agaj, Gunther Kaindl, Johanna Dähler e Marisa von Weissenfluh.

Në dramën e Nezirajt “Sworn Virgin”, burrnesha Sose takohet me Edith, një antropologe angleze, dhe bashkë me të udhëtojnë në Londër, në një seri të prezantimeve publike në London University. Gjatë kësaj vizite, Sose bëhet pjesë e një queer performance që është duke u përgatitur nga transvestiti Julian, që është Drag-Queen më e njohur në Londër.

Pos premierës me 1 maj, shfaqja do të ketë edhe 4 repriza të radhës me datë 3, 4, 5 dhe 8 maj, po në teatrin Schlachthaus të Bernit. Në vjeshtë ndërsa do të shfaqet në Lucern, Zürich, Winterthur e qytete të tjera të Zvicrës.

Rolin e burrneshës Sose e luan aktorja me origjinë nga Kosova, Albana Agaj. Ajo, vitin që shkoi, ka realizuar një udhëtim hulumtues në Shqipëri, për të kuptuar më shumë rreth burrneshave dhe mënyrës së tyre të jetesës.

Për shfaqjen “Sworn Virgin”, dramaturgu Neziraj  thotë se bëhet një ndarje në mes të botës së civilizuar dhe asaj të pa civilizuar.

“Perspektiva e hulumtimit të fenomenit të burrneshave ka qenë kryesisht ekzotik, pra, një shikim i “botës së civilizuar” ndaj asaj “të pacivilizuar”. Ka pasur poashtu njëlloj ekspoloatimi të llojit të vet që i është bërë këtij fenomeni dhe i cili është shfrytëzuar dhe përdorur nga të gjithë, veçanërisht nga Mediat ndërkombëtare por edhe nga hulumtuesit e fushave të antropologjisë, sociologjisë, etnografisë e kështu me radhë. Ai lloj intimiteti që këtyre burrneshave u ka garantuar akti i të kthyerit në burrneshë, krejt përnjëherë u është ekspozuar Mediave dhe publikut, dhe i cili ekspozim nuk u ka sjellur ndonjë përfitim burrneshave, përkundrazi, në shumë raste ato janë portretuar në dritën e primitivizmit dhe si ‘relikte’ të një shoqërie ekstremisht patriarkale. Por për shumë nga këto gra, të vishesh si mashkull dhe të bëhesh burrneshë ka qenë një akt emancipues. Ato e lidhin këtë akt me idenë e “lirisë”. Dave King e ka quajtur këtë fenomen si “migrim gjinor”, duke e krahasuar me migrimin gjeografik”, shprehet ai.

Shfaqja është bashkëprodhim teatror i forever productions, Schlachthaus Theater Bern, Theater Winkelëiese Zürich, Kleintheater Luzern dhe Kellertheater Winterthur.

Skenografinë e shfaqjes e ka bërë Hugo Ryser & Optickle, kompozimin muzikorë: Dominik Blumer, dizajnin e dritave: Lorenz Gurtner, kurse producente ekzekutive është: Annette von Goumowns.

“Sworn virgin – Burrnesha” është bashkëpunimi i dytë i autorit kosovar Jeton Neziraj me kompaninë forever productions. Para dy vitesh ata kan bashkëpunuar në shfaqjen “Kosovo for dummies” e cila pos në Zvicër, është shfaqur edhe në Gjermani, Kosovë, Maqedoni e Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat