Rizvanolli: Hyrja në fuqi e marrëveshjes me MCC-në, e vendosë Kosovën në rend të parë të zhvillimeve të energjisë

Aktuale

Rizvanolli: Hyrja në fuqi e marrëveshjes me MCC-në, e vendosë Kosovën në rend të parë të zhvillimeve të energjisë

Më: 30 prill 2024 Në ora: 18:52
Ilustrim

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se me hyrjen në fuqi të programit Kompakt me MCC-në, e vendosë Kosovën në rend të parë të zhvillimeve botërore të energjisë.

Ajo këtë e ka thënë në një postim në Facebook, pas nënshkrimit të marrëveshjes për hyrje në fuqi të programit me Cameron Alford, Zëvendëspresident në Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Rizvanolli ka thënë se Kosova do të bëhet shteti më kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori.

“Që sot hyn në fuqi programi Kompakt me MCC-në i cili vendosë Kosovën në rend të parë të zhvillimeve botërore të energjisë. Me rezerva prej se paku 340 MWh, Kosova do të bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë! Sapo nënshkruam marrëveshjen e hyrjes në fuqi të programit me Cameron Alford, Zëvendëspresident në Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC). Programin e kemi dizajnuar dhe përgatitjet intensive i kemi përfunduar me sukses së bashku ekipet e Kosovës e të MCC-së, në një partneriteti të shkëlqyeshëm.Ky partneritet do të vazhdojë me po të njëjtin përkushtim në mënyrë që të ndërtojmë infrastrukturën kyçe për një sektor modern e të pastër të energjisë, e njëkohësisht të sigurohemi që – të parët në rajon – të rinjtë e të rejat tona i aftësojmë e i përfshijmë në këtë sektor dinamik që do të krijojë vende të punës”, ka shkruar ajo.

Dy vite më parë në një ceremoni të organizuar në ambientet e Kongresin amerikan, ku morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeshefja ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice P. Albright dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nënshkruan marrëveshjen për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, prej të cilave 202 milionë dollarë sigurohen nga MCC dhe rreth 35 milionë dollarë nga Qeveria e Kosovës, kurse programi do të përqendrohet në projekte të energjisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat