Nagavci: Do t’u drejtohemi organeve kompetente për dështimin e platformës 5.6-milionëshe

Aktuale

Nagavci: Do t’u drejtohemi organeve kompetente për dështimin e platformës 5.6-milionëshe

Më: 30 prill 2024 Në ora: 21:01
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar se do t’u drejtohet organeve kompetente për hetim të mëtutjeshëm për platformën 5.6-milionëshe për digjitalizimin e sistemit arsimor, e cila u nis para 10 vjetëve por nuk u funksionalizua kurrë.

Nagavci ka thënë se të martën e kanë pranuar zyrtarisht raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, i cili konstaton se buxheti i Kosovës u dëmtua me 5.6 milionë euro në periudhën 2014-2017 për projektin e modernizimit të sistemit arsimor.

Sipas ministres, asnjëherë nuk janë arritur qëllimet e këtij projekti.

“Si ministre e Arsimit, me të marrë detyrën, kam kërkuar auditim të këtij projekti për shkak se modernizimi i sistemit të edukimit është proces tejet i rëndësishëm. Ky projekt do të mundësonte krijimin e sistemit me dy module, për komponentin e mësimit elektronik dhe komponentin e digjitalizimit të provimit të maturës, si dhe serverët për vendosjen e sistemit të zhvillimit. Mirëpo, projekti në fjalë nuk është funksionalizuar asnjëherë, nuk janë arritur qëllimet e tij për e-edukimin dhe digjitalizimin e provimit të maturës dhe është dëmtuar buxheti i vendit për më shumë se 5 milion e 600.000 euro. Javën e ardhshme do t’i drejtohemi organeve kompetente për hetime të mëtutjeshme”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ish-ministri i Arsimit në periudhën 2014-2017, Arsim Bajrami, ka pranuar se projekti ishte pa planifikim paraprak dhe i pabazuar në situatën dhe mundësitë që ofron sistemi arsimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat