​Krasniqi: Kosova është në agoni, zgjedhjet janë domosdoshmëri e jo dëshirë

Aktuale

​Krasniqi: Kosova është në agoni, zgjedhjet janë domosdoshmëri e jo dëshirë

Më: 13 maj 2024 Në ora: 22:05
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar që brenda muajit maj të shpërndahet Kuvendit i Kosovës për t'i hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Krasniqi pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, tha zgjedhjet e parakohshme janë nevojë dhe domosdoshmëri e qytetarëve të Kosovës.

Ai e dha si mundësi që zgjedhjet të mbahen në qershor dhe për një gjë të tillë shtoi se do të diskutojë edhe me partitë opozitare.

"Ne jemi të gatshëm që të gjejmë një dakordim me të gjitha partitë parlamentare për një datë të re të zgjedhjeve për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët. Unë kam punuar për këtë çështje pa dëshiruar të marrë flamurin e protagonizmit. Konsideroj më të rëndësishme që të arrijmë këtë moment sepse zgjedhjet nuk janë dëshirë e jona, por janë nevojë dhe domosdoshmëri për t'iu dhënë përgjigje këtyre çështjeve që i ngrita...Ka ende data që janë në disa javët e ardhshme që janë brenda kësaj kornize kohore. Shpresoj që të ketë darkodim edhe me partitë të tjera parlamentare të opozitës dhe do të mundohem që të arrijmë këtë", tha Krasniqi.

SIpas tij, në takim me Kurtin s'kanë diskutuar për dërgimin ose jo të draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse e akuzoi kreun qeveritar për dështim të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

"Nuk kemi diskutuar për tema konkrete të tilla për draft-statutin. Ne kemi diskutuar për tema që unë i thash. Kemi pas diskutime të mira nga pozicioni jo të njëjta. Sa i përket pozicioneve në Kuvend dhe ligjeve kemi diskutuar, do të ketë seancë të enjten, shpresoj që pas kësaj do të ketë seancë për t’u bashkuar për mocion për shpërndarje të Kuvendit... Është e domosdoshme që të ndodh brenda muajit maj sepse jashtë muajit maj nuk ka më kuptim. Në momentin që kalojmë në faza të mëvonshme, pasi 3-4 muaj para zgjedhjeve të rregullta s'ka asnjë kuptim", theksoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i gatshëm për zgjedhje të parakohshme, mirëpo ka theksuar nevojën e një konsensusi të gjerë edhe me partitë opozitare.

Lideri opozitarë, Krasniqi është i vetmi që ka pranuar ftesën për takim të kryeministrit Albin Kurti, ndërkaq kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kanë refuzuar ftesën, me arsyetimin se diskutimi për agjendën legjislative është në domenin e Kuvendit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat