Çka deklaroi para trupit gjykues serbi i akuzuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Lajme

Çka deklaroi para trupit gjykues serbi i akuzuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Më: 15 maj 2024 Në ora: 19:35
Oliver Ivanoviq

Në gjykimin për  vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, i akuzuari Nedelkjo Spasojeviq, në seancën e së mërkurës, gjatë dhënies së mbrojtjes tha se në vendin ku është gjetur i vrarë Ivanoviqi kishte vërejtur disa gëzhoja plumbash.

Fillimisht i akuzuari Spasojeviq ka sqaruar se ditën kritike kishin pranuar një informacion se Oliver Ivanoviq ishte gjetur në gjendje pa vetëdije pranë zyrës së tij, ku kolegët kishin thirrur ndihmën e shpejtë dhe Ivanoviq ishte dërguar në spital.

Më pas, ai tha se nga shefi i operativës kishte marrë urdhër që të shkoj tek zyra e Ivanoviq për të verifikuar se çfarë ka ndodhur dhe se rrugës kishte takuar kolegët Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq.

Ai tha se në të njëjtën kohë aty kishte arritur edhe personi me nofkën “Gisha”, i cili ka qenë pronar i një lokali në Mitrovicë, i cili tha se i kishte njoftuar se 20 minuta para ngjarjes ishte takuar me Ivanoviqin dhe i njëjti kishte qenë në gjendje normale fizike.

Tutje, ai tha se ishte afruar tek vendi ku Ivanoviq ishte gjetur dhe me telefonin e tij kishte fotografuar atë vend ku kishte vërejtur një gëzhojë të plumbit dhe më pas edhe 3-4 gëzhoja të tjera.

Pas kësaj ngjarje, ai tha se kishte tërhequr veturën zyrtare 10-15 metra mbrapa, duke vendosur shiritat, duke siguruar vendin e ngjarjes.

Ai tha se e gjithë procedura nga arritja e tij në vendin e ngjarjes deri të vendosja e shiritave ka qenë 3-4 minuta, e që më pas tha se kishte dorëzuar veturën zyrtare një kolegu tjetër.

“Në 8:53 është ndërprerë çfarë kompetence e imja në atë vend të ngjarjes, dhe vendin e ngjarjes e kanë ndërmarrë policët hetimor regjional”, ka thënë i akuzuari Spasojeviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se në veturën zyrtare për të cilën është ai i angazhuar mund të vozitin vetëm personat civil të cilët i dërgojnë në stacion policor për shkak të ndonjë ngjarje.

“Kurrë në jetë në veturë zyrtare nuk kam vozitë civil e që nuk kam marrë urdhër për këtë gjë, ose që nuk ka pas të bëjë me ndonjë rast të punës, e aq më pak nuk i kam dhënë veturën personit civil që ta vozis”, tha i akuzuari Spasojeviq.

I njëjti ka sqaruari se ai me 2 zyrtarë të njësisë regjionale të Mitrovicës regjionale i kanë vizituar kamerat dhe në afërsi direkte të vendit të ngjarjes ndërsa pas ardhjes së policëve hetues nga drejtoria e Prishtinës, ata tha se kanë shkuar nga vendi i ngjarjes rrugës deri të vendi ku është djegur vetura.

“Pra e kom fjalën për veturën e djegur e cila më vonë është konstatuar se është vetura që është kryer krimi”, tha i akuzuari Spasojeviq.

Kurse, tha se ditën kritike në hapësirat e korridorit të zyrës kishte parë vetëm Silvana Arsoviq.

Ndërkaq, të akuzuarit Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për tu mbrojtur në heshtje.

Ndërsa, mbrojtja për Silvana Arsoviq dhe Rade Basara do të vazhdojë në seancën e radhës.

Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës së 27 dhjetorit 2019 dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e tyre dhe çështja ishte kthyer në rivendosje dhe nga Themelorja u kërkua të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

Më pas, më 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, sipas së cilës, Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal, lidhur me veprat penale “Vrasje rëndë” nga neni 179, par.1.9 të Kodit Penal dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.2, nënpar.2.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq akuzohen se në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati dhe dy të pandehur tjerë të panjohur, duke vepruar si grup kriminal me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

I akuzuari Dragisha Markoviq akuzohet për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” nga neni 433, par. 2.1 të Kodit Penal. Markoviq po ashtu bashkë me Zharko Jovanoviq akuzohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje” nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar. 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, i akuzuari Jovanoviq ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal. Kurse, i akuzuari Nedeljko Spasojeviq ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat