Një hap drejt pranimit të Kosovës, ndërmjet shpresës dhe skepticizmit/ Këto kritere nuk janë përmbushur ende!

Politika

Një hap drejt pranimit të Kosovës, ndërmjet shpresës dhe skepticizmit/ Këto kritere nuk janë përmbushur ende!

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 30 prill 2024 Në ora: 18:00
Vjosa Osmani

Në ditët e para të muajit maj, pritet të vendoset për fatin e Kosovës, nëse do të pranohet në Këshillin e Evropës. Kanë mbetur edhe pak ditë derisa të dihet nëse Kosova do të jetë pjesë e këtij institucioni.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për mediat ndërkombëtare është shprehur se është optimist se Kosova do të jetë pjesë e KiE-së.

“Sipas renditjes organizatave prestigjioze ndërkombëtare ne kemi bërë progres. Kësaj i shtojmë edhe faktin që kemi kaluar me sukses në mbledhjen e ambasadorëve më 24 prill të vitit të kaluar dhe mbledhjen e parlamentarëve më 16 prill të këtij viti, dhe raporti nuk ka parashikuar parakushte apo kushte që nuk i kemi plotësuar. Unë jam optimist edhe për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës në mes të muajit maj për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, theksoi Kurti.

Zyrtarë politikë nga e gjithë bota kanë bërë thirrje që Kosova të anëtarësohet dhe që duhet të ndodhë një gjë e tillë. Sipas tyre, Kosova ka përmbushur tashmë kushtet për t’u pranuar në këtë institucion.

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, John Hoëel, tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk duhet të mbetet peng i përparimit në dialogun me Serbinë. Deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, Lulëzim Basha, deklaroi se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm që duhet të pranohet edhe nga Serbia. Kroacia, Turqia dhe Maqedonia e Veriut po ashtu bënë thirrje që Kosova të pranohet sa më shpejt në Këshillin e Evropës.

Nga ana tjetër, Serbia ende lobon dhe bën thirrje dhe kërcënon Kosovën se nuk duhet dhe nuk do të pranohet në këtë institucion.

Mirëpo, Kosovës ditët e fundit i është kërkuar edhe krijimi i Asociacionit të komunave. A do të ndërlidhet kjo kërkesë krahas pranimit të Kosovës në këtë institucion?

Prof.Dr. Ymeri: Republika e Dardanisë i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe e meriton plotësisht të pranohet në KiE

Image
Prof.Dr. Eshref Ymeri

Lidhur me këtë ҫështje, ka folur për ‘Bota sot’ Prof.Dr. Eshref Ymeri. Ai thotë se, Kosova i ka pranuar të gjitha kushtet që të pranohet në këtë institucion. Ndërsa ai thekson nëse Kosova kushtëzohet me Asociacion, atëherë do ta tregoj fytyrën e vërtetë.

“Së pari, Republika e Dardanisë i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe e meriton plotësisht të pranohet në KiE. Por nëse KiE do të vendosë si parakusht themelimin  e Asociacionit, atëherë do ta tregojë fytyrën e vërtetë, shoviniste, të Perëndimit evropian në qëndrimin jo vetëm ndaj Republikës së Dardanisë, por edhe ndaj mbarë kombit shqiptar që prej Kongresit famëkeq të Berlinit 1878 deri te Konferenca edhe më famëkeqe e Londrës 1913”, vlerëson ai.

Ai thotë se do të dëshmohet nëse Perëndimi është i vendosur kundër Rusisë dhe Serbisë duke pranuar Kosovën në KiE.

“Nëse Perëndimi evropian është i vendosur kundër Rusisë shoviniste dhe mashës së saj - Serbisë fashiste, Republikën e Dardanisë do ta pranojë në KiE më 16 maj. Personalisht jam më shumë optimist dhe më pak pesimist për vendimin që do të merret më 16 maj, duke pasur parasysh (me shpresë) se Uashingtoni do të ndikojë në KiE për pranimin e Republikës së Dardanisë”, thekson ai.

Burjani: Duhet angazhim i madh i Kosovës për të zbatuar disa ligje që janë në fuqi

Image
Blerim Burjani

Po ashtu për këtë ҫështje, ka folur edhe juristi dhe profesori, Blerim Burjani. Ai thekson se Kosova ka përmbushur kriteret, mirëpo ka mungesë tek zbatimi i aktgjykimeve të gjykatave.

“Konsideroj se Kosova me infrastrukturë ligjore i ka përmbushur kriteret, por ka mungesë në zbatim të aktgjykimeve të gjykatave, ka ndërhyrje në gjyqësi që ndalohet rreptësisht që degët e shtetit që janë të pavarura me njëra-tjetrën”, vlerëson Burjani.

Megjithatë, sipas tij, duhet angazhim i madh i Kosovës për të zbatuar disa ligje që janë në fuqi.

“Ende duhet angazhim i madh për të zbatuar ligjet në fuqi që kanë të bëjnë më të drejtat e njeriut, ku hyjnë zbatimi i skemës së sigurisë shëndetësore, pensionet dinjitoze, pra Kosova duhet të zbatoj kartën me të drejta sociale, pra me anëtarësim merr obligime të mëdha”, tha ai.

Burjani thotë më tutje se legjislacioni që njeh KiE duhet të zbatohet.

“Dinamika e zbatimit duhet të ndodhë shumë më shpejtë. Pra, ka shumë gjëra që me anëtarësim duhet të zbatohen siҫ është Kodi Civil”, thotë profesor Burjani për ‘Bota sot’.

Çfarë është Këshilli i Evropës?

Këshilli i Evropës është themeluar më 1949. Kjo organizatë ka realizuar fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë. Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, si dhe të kryejnë reformat e duhura gjyqësore. Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë. Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme. Dy trupat kyçe të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat