Krizat janë bërë sot normaliteti i ri: kriza klimatike, kriza qeveritare, kriza energjetike, lufta në Ukrainë, lufta me Iranin, lufta në Gaza. Në shoqërinë e informacionit, askush nuk mund t'i shmanget më forcës së debateve mbi përgjegjësinë dhe rrugëdaljet. Kësaj i shtohen shqetësimet për rritjen e kostos së jetesës, shpërthimin e qirave, arsimin dhe vendet e punës, si edhe fuqinë në rritje të inteligjencës artificiale.
Shkenca e quan polikrizë këtë perceptim të pandërprerë të krizave: kriza të njëkohshme, pa fund dhe pa kufij, të cilat e forcojnë njëra-tjetrën. Ato prekin shoqëritë evropiane po aq sa Shtetet e Bashkuara, Indinë, Japoninë, Amerikën Latine apo vende si Nigeria. Gjermanët madje krijuan një fjalë të veçantë për të përshkruar ndjenjën e tyre kolektive të jetës: "Krisenmodus" - modus krize. Në vitin 2023, ajo u zgjodh "Fjala e Vitit”. Në arsyetimin e saj, Shoqëria Gjermane për Gjuhën deklaroi se gjendja e jashtëzakonshme ishte shndërruar prej kohësh në gjendje të përhershme: "Ndjenja të tilla si pasiguria, frika, zemërimi, pafuqia dhe mungesa e kontrollit karakterizojnë jetën e përditshme të shumë njerëzve. Të gjesh një mënyrë të përshtatshme për t'u përballur me këto situata të vazhdueshme të jashtëzakonshme, mes apatisë dhe alarmizmit, është e vështirë.”
Dëshira për shkatërrim
Edhe në vitin 2026, gjendja e quajtur "modus i krizës” vazhdon në shumë vende. Dhe kjo ka pasoja: sociologët vërejnë se diçka po ndryshon në shoqëri sa më gjatë që zgjat kjo gjendje. Sipas tyre, po rritet prirja dhe tërheqja ndaj sjelljeve shkatërruese.
Javier Milei dhe Elon Musk, me paraqitjet e tyre simbolike me sharrë elektrike në Argjentinë dhe Shtetet e Bashkuara, janë bërë simbole të kësaj prirjeje për shkatërrim. Në Gjermani dhe në Evropë, kjo pasqyrohet në suksesin e partive të ekstremit të djathtë, të cilat premtojnë një ndryshim rrënjësor të politikës. Të gjitha këto forca përhapin idenë se rendi ekzistues është i destinuar të shembet.
Në Gjermani, këtë retorikë e përdor partia Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cilësuar pjesërisht si ekstremiste e djathtë. Kryetarja e partisë dhe e grupit parlamentar të saj në Bundestag, Alice Weidel, e përshkroi këtë skenar të rënies pikërisht të mërkurën në fjalimin e saj para parlamentit: "Migrimi masiv nga e gjithë bota po i mbingarkon sistemet tona sociale dhe po i çon kostot për ruajtjen e paqes së brendshme, e cila po bëhet gjithnjë e më e brishtë, në nivele që nuk mund të kontrollohen më.” Jo më shumë, se një javë më parë, të njëjtin mesazh e përcolli edhe një nga ideologët më me ndikim të AfD-së, Björn Höcke nga dega e partisë në Turingi. Në një takim me qytetarët ai paralajmëroi: "Gjermania jonë është një vend që ndodhet në buzë të greminës.”
Edhe kur Donald Trump kandidoi për t'u rizgjedhur si president i SHBA-së në vitin 2024, ai paraqiti një skenar të ngjashëm katastrofik: "Nëse i humbim këto zgjedhje, ndoshta nuk do të kemi më një vend”, u tha ai mbështetësve të tij në formë paralajmërimi.
"Politika e Apokalipsit"
Sociologu Ulrich Bröckling e quan "politikë e apokalipsit" këtë dëshirë për shembjen e rendit ekzistues. Një studim i fundit gjerman e analizon këtë prirje drejt shkatërrimit dhe rënies, duke arritur në përfundime domethënëse. "Studimi i Autoritarizmit i Leipzigut 2026" është një kërkim i rëndësishëm në fushën e shkencave sociale mbi qëndrimet politike të gjermanëve dhe marrëdhënien e tyre me demokracinë. Veçantia e tij qëndron në faktin se studiuesit mbledhin të dhëna të gjera që prej vitit 2002, dhe këtë e bëjnë çdo dy vjet.
Studimi më i fundit, i publikuar në nëntor 2026, tregon një rritje të dukshme të qëndrimeve të ekstremit të djathtë në shoqëri, si edhe një dëshirë në rritje për ndryshime të thella shoqërore. Me pohimin e autorëve të studimit se "nevojitet diçka radikale që gjendja aktuale të ndryshojë", 60 për qind e të anketuarve ranë dakord haptazi ose në mënyrë të tërthortë. Sipas rezultateve të studimit, kjo shoqërohet me rritje të antisemitizmit në shoqëri, mbështetje më të madhe për prirjet autoritare dhe një tërheqje në rritje ndaj ideve shkatërrimtare.
Sipas rezultateve të studimit, përfituesja kryesore e kësaj prirjeje është e djathta ekstreme: "Ajo ushqen një apokalips aktivist, ku i shërben ideja e një beteje vendimtare, sepse agresioni duket i justifikuar kur synohet shkatërrimi i asaj që ekziston dhe është e vjetër, në favor të një rendi të ri.”
Afd: "agresione autoritare"
Sipas autorëve të studimit, në Gjermani këtë rol luan AfD. Sipas analizës, në kohë stagnimi ekonomik, partia reagon ndaj "humbjes së besueshmërisë së premtimit për prosperitet ekonomik”, pra ndaj premtimit se njerëzit do të gëzojnë më shumë mirëqenie përmes rritjes ekonomike, rritjes së produktivitetit dhe ekonomisë së tregut. "Nga njëra anë, ajo (AfD-ja) e ripërtërin premtimin e rritjes ekonomike me programin e saj neoliberal dhe antisocial; nga ana tjetër, përmes ndarjes së shoqërisë në ‘të mirët' dhe ‘të këqijtë', legjitimon agresione autoritare”, thuhet në "Studimin e Autoritarizmit të Leipzigut 2026”.
Laut Forschern "analiza jonë nxjerr në pah një element të krizës dhe apokalipsit që shpesh neglizhohet: ajo që njohim duhet të marrë fund, në mënyrë që të mund të fillojë një kohë më e mirë. Dëshira shkatërruese për rrënim është e lidhur ngushtë me mallin për një fillim të ri.” Një nga përfundimet më të rëndësishme të studimit duket të jetë se krizat në vetvete nuk janë shkaktari i drejtpërdrejtë i kësaj prirjeje për shkatërrim. Ato thjesht rrisin prirjen e shoqërisë drejt qëndrimeve autoritare. Dhe janë këto qëndrime autoritare që nxisin një tendencë drejt destruktivitetit.
Autorët e Studimit të Autoritarizmit tregojnë gjithashtu rrugë për një përballje më konstruktive me krizat. Sipas tyre, është me rëndësi thelbësore që politika dhe shoqëria t'i marrin seriozisht ndjenjat e njerëzve, si frika dhe ndjenja e humbjes, dhe t'u krijojnë atyre hapësirë për t'u përpunuar.
Sipas autorëve, lëvizjet dhe partitë demokratike nuk duhet ta mohojnë faktin se ndryshimet shoqërore sjellin edhe kosto. Ata theksojnë se është e rëndësishme të krijohet një kulturë politike në të cilën ka vend për t'i emërtuar dhe trajtuar humbjet, në mënyrë që ato të marrin një drejtim konstruktiv dhe të shërbejnë për një politikë që nuk bazohet në nevoja autoritare.”
Me fjalë të tjera, sipas studiuesve, demokracia mund të përballet më mirë me krizat kur njerëzve u jepet mundësia të shprehin hapur shqetësimet, humbjet dhe pasiguritë e tyre, në vend që këto ndjenja të shndërrohen në zemërim, dëshirë për shkatërrim ose mbështetje për zgjidhje autoritare.
Autorëve të studimit nuk u intereson aspak një mbrojtje e pakushtëzuar dhe jokritike e rendit ekzistues. Edhe pse aktualisht detyra më e rëndësishme është mbrojtja e demokracisë, ata argumentojnë se vetë demokracia mbetet ende një ideal për t'u arritur plotësisht dhe nuk është e përfunduar. Arsyeja është se jo të gjitha premtimet e saj janë realizuar plotësisht në jetën e përditshme. Kjo vlen, për shembull, për të drejtën themelore të trajtimit të barabartë, pavarësisht gjinisë, racës, gjuhës, origjinës ose fesë. Sipas autorëve, vetëm nëse shoqëria lufton me sukses për realizimin e plotë të këtyre premtimeve demokratike, mund të kapërcehen edhe prirjet dhe dëshirat autoritare. / DW