Sipas sondazheve partia me prirje konservatore, Partido Popular (PP), mund të sigurojë së bashku me partinë e ekstremit të djathtë Vox shumicën absolute në Spanjë. Këto dy parti kanë formuar tashmë koalicione qeverisëse në disa rajone të vendit.
Kjo do të thotë se pas tetë vitesh kryeministri socialdemokrat Pedro Sánchez rrezikon të humbasë pushtetin. Partia e tij Socialiste (PSOE) ka fituar sipas sondazheve të fundit terren, por nëse ai do të arrijë të mbetet në detyrë pavarësisht parashikimeve, do të bëhet e qartë pas votimit.
Të drejtë vote kanë 38,7 milionë qytetarë spanjollë. Qendrat e votimit mbyllen në orën 20:00 dhe gjatë orëve në vijim priten rezultatet e para paraprake.
elezioni anticipate
Sipas radhës zgjedhjet parlamentare në Spanjë duhej të zhvilloheshin verën e ardhshme. Megjithatë Sánchez vendosi t'i shpallë më herët, pasi dy dekrete të paraqitura nga qeveria e tij e pakicës për rritjen e mbrojtjes së qiramarrësve nuk arritën të siguronin shumicën në parlament.
Qeveria e pakicës e Sánchezit qe vënë nën presion edhe për shkak të mënyrës së menaxhimit të krizës së migracionit në Ceuta, si edhe për shkak të akuzave për korrupsion të ngritura ndaj partisë së tij dhe bashkëshortes së tij. Si Sánchez, ashtu edhe bashkëshortja e tij i kanë hedhur poshtë këto akuza.
Një zë i rëndësishëm i së majtës në Evropë mund të heshtë
Një ndryshim i qeverisë në Madrid mund t'i kushtojë së majtës në Evropë një nga zërat e saj më me ndikim, thotë Javier Carbonell nga organizata kërkimore European Policy Centre në Bruksel për DW. "Ky zë mund të heshtë.”
Sipas Carbonellit Sánchez dallohet për qëndrimet e tij në tri fusha: gatishmërinë për t'u përballur me presidentin amerikan Donald Trump, mbështetjen për krijimin e një shteti palestinez dhe angazhimin e tij për migracionin drejt Evropës. Sánchez është një nga të paktët udhëheqës evropianë që vazhdon të argumentojë se migrantët ekonomikë ndihmojnë për plotësimin e mungesës së fuqisë punëtore, mbështesin popullsinë në plakje në Spanjë dhe Evropë dhe kontribuojnë për rritjen ekonomike.
Në fillim të këtij viti qeveria e tij nisi një program që synon t'u mundësojë migrantëve që jetojnë tashmë në Spanjë dhe plotësojnë kushtet e nevojshme të fitojnë status të ligjshëm qëndrimi. Mbi një milion vetë paraqitën kërkesë për t'u përfshirë në këtë program.
A do ta ashpërsojë Spanja politikën e migracionit?
Partia Popullore (PP), me orientim konservator, synon të forcojë kontrollet e migracionit, por njëkohësisht dëshiron të vazhdojë të lejojë hyrjen e punëtorëve të huaj në sektorët ku ka mungesë të fuqisë punëtore.
Nga ana tjetër Vox kërkon kufizime më të forta ndaj migracionit, dëbimin e një numri më të madh personash dhe ndërprerjen e procesit të legalizimit të statusit për të sapoardhurit. Gjithashtu kjo parti kërkon që qytetarët spanjollë të kenë përparësi në ndarjen e banesave sociale dhe përfitimeve të tjera sociale. / DW