Sot është 28 Nëntori i Flamurit! Shqipëria duhej të festonte 114 vjetorin e pavarësisë së saj, të shtetit shqiptar! Por jo! Festoi vetëm Belinda Balluku me Zegjinenë. E akuzuara për korrupsion, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal, si dhe për një dëm prej miliardash, Belinda Balluku, me bekimin e Edi Ramës i sfidoi sot shqiptarët! Ajo ju tha qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë, se “vetëm të korruptuarit kanë të drejtë të bëjnë festë”! Ajo dukej se po u thoshte shqiptarëve se “Ju po protestoni kundër një zonje që i ngjan Marigosë”! Në fakt i ngjan fundit të një kusie të përdorur. Deshi të festonte në Vlorë edhe Edi Rama! Por disa protestues, sido që të pakët në numër, i kërkuan dorëheqjen. Ia ngrinë në buzë gazin dhe ia hoqën maskën. Këta qytetarë u morën më pas në pranga dhe u dërguan në polici. Pse? Sepse thanë “Rama jepe dorëheqjen”!
Intriga e festës që bëjnë liderët e korruptuar dhe anti-shqiptarë është neveritëse. Mezi presin Ditën e Flamurit që të na thonë se ata “janë patriotë”! Me flamurin maskojnë tradhtinë, me festën e pavarësisë fshehin ligjet për shitjen e saj. Me fjalimet që mbajnë na shpëlajnë trurin. Dhe ne akoma u besojmë këtyre klithmëtarëve anti-shqiptarë. E për fat të keq kësaj intrige i ndihëmojnë edhe liderët e Kosovës. Sot në Vlorën e shout patriotik ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Shiroka-Pula. Duan të duken si Isa Boletini. Por pavarësia atëherë nuk e çliroi Kosovën nga pushtimi serb. Përkundrazi, luftërat e Kosovës për çlirim kombëtar e sollën Ditën e Flamurit në Vlorë. Kosova mbeti nën Serbi për shkak të tradhtive të brendshme tonat. Tradhti që përherë u mbuluan me flamurin e shqipes.
E ndërkohë sot kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, ishte në luftë. Nuk pati festë. Mijëra protestues të revoltuar dhe me kërkesë dorëheqjen e kryeministrit Rama, vërshuan në Sheshin “Skënderbej” e më pas në Bulvardin “dëshmorët e Kombit”! Ishin shumë, aq shumë sa asnjëherë tjetër. Sot ishte dita e 182 e protestës së nisur si flamingo dhe e shndërruar si protestë e studentëve dhe e rinisë shqiptare. Edhe Tirana e protestës ishte sot krejt në ngjyrën kuq e zi të flamurit të Skënderbeut e të pavarësisë. Shqiptarët duan dorëheqjen e qeverisë së Rilindjes dhe të kryeministrit Edi Rama. Kjo qe edhe sot thirrja kryesore.
Megjithatë kësaj thirrjeje iu kundërvu me dhunë “Policia e krimit”! Policia i ndaloi protestuesit në bulevard diku aty te ish-Hotel “Dajti”, sot Banka e Përgjithshme e Shqipërisë, dhe përdori kundër tyre ujë me presion e me piper, gaz lotsjellës, shkopa gome dhe plumba gome. Pamë se si u tërhoqën zvarrë protestues të pa mbrojtur dhe u keqtrajtuan si në filmat e Gestapos, KGB-së apo skutave të Sigurimit të Shtetit komunist të Shqipërisë në kohën e djallit të rikthyer me qyrk. Pamë pastaj reagimin e të rinjve me gurë e mjete të tjera. Por reagimi i të rinjve erdhi pas dhunës së policisë, pas akteve të saj mizore ndaj rinisë shqiptare. Në studiot shqiptare në këtë moment që shkruaj moderatorët po thonë se “Protestuesit ishin përgatitur dhunë”! Eshtë sikur të thuash se “protestuesit kishin dëshirë të rriheshin dhe të torturoheshin. U përdor jo vetëm sheshi. Policia edhe nga ajri i sulmoi të rinjtë dhe qytetarët e Tiranës. Në Ditën e Flamurit. Madje me mjete dhune të mbuluara me Fëamurin e Pavarësisë!!!
U arrestuan me dhjetra. U plagosën po ashtu me dhjetra, ndër ta edhe pak policë. Një grua i sulmoi dhunuesit e korracuar me një çadër dore. Sepse nuk duroi më. U përlesh heroina me shumë policë. Ua vu thonjë në grykë. Sepse nuk e duronte atë dhunë shtazore kundër saj dhe vajzave të veta. Sepse i kishte ardhur shpirti në majë të hundës. U përball si luaneshë. Duke e ditur se edhe sikur jetën ta humbiste, ia vlente për lirinë. Po policia e krimit reagoi në grup, me dhunë, me shkopinj. E përcolli edhe me një spraj gazi lotsjellës kur ajo u nis të largohej. Pse? Në shenjë hakmarrjeje. Këtë polici ka Shqipëria. Në ndjekje të hakmarrjes, por jo edhe të kriminelëve.
Kurse kriminelja Belinda Balluku, (E akuzuar me prova si e tillë) përdhosi ditën e Flamurit në Vlorë dhe e ç’nderoi ditën e pavarësisë së Shqipërisë. Policia e mbrojti atë sot në Vlorë nga ndonjë reagim qytetar. Protestuesit që luftojnë për Flamurin, të drejtën, ligjin, shtetin e qytetarit, kundër mashtrimit, kundër grabitjes së vendit, kundër shpopullimit, kundër shitjes së atdheut, ata, ata dhunohen. Nga kush? Nga policia që shet “patriotizëm” me makinat e dhunës të veshura me flamurin e Pavarësisë, por që këto makina i përdor kundër atyre që luftojnë për atdhe e për flamur. Këta policë mbrojnë ata që janë në pushtet dhe e kanë turpëruar atdheun e flamurin e tij. Një nënë sot thoshte se “shkova të kërkoj punë, por më thanë se nuk e plotëson kriterin kryesor: - Nuk je nga Bangladeshi”! Mund të jetë metaforë. Por edhe si metaforë kjo që tha gruaja e rraskapitur prej padrejtësisë ishte një e vërtetë e dhimbshme. Një e vërtetë që as pushtuesit nuk na e kishin lënë si model.
Policia mund ta vazhdojë dhunën pa limit. Qeveria Rama nuk ka njohur asnjëherë limite, ndaj dhe Shqipëria është në revoltë, për t’i thënë mjaft kësaj qeverie. Por sa më shumë të shtyhet kjo hata e papame ndonjëherë, aq më keq do të jetë për Edi Ramën. Ai tashmë po shënon rekordet më të zeza në historinë e Shqipërisë. Rekordi i sotëm është fakti se për herë të parë në Shqipëri është bërë luftë në ditën e pavarësisë. Luftë kundër një populli që mbron atdheun. Edhe rasti kur në Tiranë u bë demonstrata e 28 nëntorit 1941 nën pushtimin italian nuk është i vlerfshëm për analogji.