Biden paralajmëron për kërcënimin rus ndaj rendit botëror dhe ndërhyrjes në zgjedhje

Bota

Biden paralajmëron për kërcënimin rus ndaj rendit botëror dhe ndërhyrjes në zgjedhje

Më: 18 janar 2017 Në ora: 12:53
Joe Biden gjatë fjalimit të sotëm në Davos të Zvicrës

Në fjalimin e tij, zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, tha se Rusia paraqet kërcënimin më të madh për “rendin liberal ndërkombëtar” dhe ka tërhequr vërejtjen se mund të priten përpjekje të mëtejshme ruse për ndërhyrje në zgjedhjet perëndimore.

Biden ka mbajtur fjalim më 18 janar në Forumin Botëror të Ekonomisë në Davos të Zvicrës, në kohën e dyshimeve se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane.

"Rusia dëshiron t’i rikthehet një bote ku të fuqishmit imponojnë dëshirat e tyre përmes fuqisë ushtarake, korrupsionit dhe kriminalitetit, derisa kombet e dobëta duhet të rreshtohen para saj”, ka thënë nënpresidenti amerikan, Biden.

Gjatë këtij muaji agjencitë amerikane të inteligjencës kanë konstatuar “me besim të lartë” se presidenti rus, Vladimir Putin ka “urdhëruar ndikimin në fushatën zgjedhore presidenciale amerikane gjatë vitit 2016”.

Ata gjithashtu e kanë akuzuar Putinin dhe qeverinë ruse “kanë pasur preferencë të qartë” për presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, në raport me rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton, në zgjedhjet e 8 nëntorit.

Derisa gjatë këtij viti, disa shtete evropiane zgjedhin parlamentet apo presidentët e ri, Biden ka paralajmëruar se “mund të priten përpjekje të mëtejshme nga Rusia për të ndërhyrë në proceset demokratike”.

"Por, nuk është vetëm SHBA-ja që është bërë cak. Evropa gjithashtu ka përjetuar sulme të ngjajshme në të kaluarën. Derisa shumë shtete në Evropë kanë për të mbajtur zgjedhjet gjatë këtij viti, ne duhet të presim përpjekje të tjera nga Rusia për ndërhyrje në proceset demokratike. Do të ndodh sërish, ju premtoj për këtë”, ka thënë Biden.

Moska e ka hedhur poshtë akuzën se ka ndërhyrë në votimet amerikane, ndërsa ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë një konference të djeshme ka thënë se pretendimet se Moska po planifikon sulme kibernetike për të ndërhyrë në zgjedhjet evropiane janë gjëra të tjerët po “i ëndërrojnë”.

Biden ka thënë se Kina dhe Irani gjithashtu “e masin suksesin e tyre me çarjen e rregullit liberal ndërkombëtar”, por ai ka nënvizuar se “kjo lëvizje në parim udhëhiqet nga Rusia”.

"Nën presidentin Putin, Rusia po punon me çdo mjet që e ka në dispozicion të gdhend skajet e projektit evropian, të gjejë gjëra që nuk funksionojnë brenda popujve perëndimor, dhe t’i rikthehet një politike që definohet nga sfera të ndikimit”, ka thënë nënpresidenti amerikan.

“Ne e shohim këtë në agresionin që e shfaqin kundër fqinjëve të tyre, duke dërguar të ashtuquajturit ‘njerëzit e vegjël jeshil’ përgjatë kufirit për të nxitur dhunë dhe separatizmin në Ukrainë”, ka thënë Biden.

Ai gjithashtu e ka përmendur “propagandën dhe fushatën e informacione të rrejshme” të Moskës, përdorimin e “energjisë si armë”, dhe ndërhyrjet kibernetike kundër partive politike dhe individëve në Shtetet e Bashkuara”.

Biden i ka bërë thirrje SHBA-së dhe Bashkimit Evropian që të “udhëheqin luftën” për tu përballur me Putinin dhe të mbrojnë vlerat liberale, derisa ka insistuar se NATO duhet të mbetët element kyç në marrëdhëniet transatlantike.

Pa përmendur një politikan të caktuar, Biden gjithashtu ka paralajmëruar kundër “dëshirës së rrezikshme për rikthim te agjendat nacionaliste, proteksioniste dhe izoluese që gjatë shekullit të fundit e kanë çuar botën drejt luftës”.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili inaugurohet pasnesër, ka vlerësuar se NATO-ja është e “vjetëruar”, duke e akuzuar se nuk ka bërë sa duhet në luftimin e terrorizmit. Megjithatë Trump ka pranuar se aleanca është ende “shumë e rëndësishme” për të.

Ai gjithashtu ka thënë se dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet e dëmtuara me Moskën.

Marrëdhëniet në mes të Moskës dhe Uashingtonit kanë rënë në nivele që nuk janë parë prej Luftës së Ftohtë si pasojë e aneksimit nga Rusia të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe përkrahjes që iu jep separatistëve në Ukrainën lindore dhe përfshirjen në luftën e Sirisë dhe çështjeve të tjera./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat