Viktimat e dhunës seksuale pak shpresë për t’i parë fajtorët e dënuar

Lajme

Viktimat e dhunës seksuale pak shpresë për t’i parë fajtorët e dënuar

Më: 18 prill 2013 Në ora: 11:14

Gjykata Themelore në Mitrovicë e përbërë nga paneli i gjykatësve ndërkombëtar, i kryesuar nga gjyqtari Timo Vuojolahti, më 17 prill, 2013 shpalli aktgjykimin lirues për të akuzuarit Jovica Dejanoviq dhe Gjorgje Bojkoviq nga akuzat për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile nga neni 22 dhe 142 i Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (KPRSFJ) (Nenit 31 dhe 153 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës). I pandehuri Jovica Dejanoviq, më 14 prill 1999, në kapacitetin e oficerit të policisë serbe, akuzohej se kishte përdhunuar viktimën V.K. një femër shqiptare e Kosovës e cila ishte 16 vjeç në kohën e incidentit. I pandehuri Djordje Bojkovic akuzohej për dhunim të V.K., shqiptare e Kosovës e rrëmbye nga oficeri serb i policisë, Jovica Dejanoviq.
Në reagimin e Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë thuhet se në një arsyetimin e shkurtër pas shpalljes së aktgjykimit për pafajësinë e të pandehurit, kryetari i trupit gjykues ka deklaruar se përdhunimi ka ndodhur, megjithatë, trupi gjykues nuk ishte në gjendje për të vendosur nëse ishin Jovica Dejanoviq dhe Djordje Bojkoviq ata që e kishin kryer aktin, dhe kjo për shkak të mospajtueshmërisë së dëshmive të dhëna nga dëshmitarët e prokurorisë.
Të dy të pandehurit janë akuzuar gjithashtu për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve, të parashikuar dhe dënuar me nenin 374 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (paraprakisht të penalizuara sipas nenit 328 të Kodit Penal të Kosovës). I pandehuri Jovica Dejanoviq është liruar kurse i pandehuri Djordje Bojkoviq i akuzuar për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve, mori një dënim me kusht prej 1 vit e 6 muaj me periudhë pezullimi 2 vjeçare. Gjykata ka sjell vendim për lirimin e dy të pandehurit nga arresti shtëpiak.
FDH Kosovë thekson se kjo është aktakuza e dytë e ngritur për krime lufte të përdhunimit që nga fundi i luftës, edhe pse organizatat civile referente vlerësojnë se numri i grave të përdhunuara është jashtëzakonisht i lartë. Ngjashëm me aktakuzën e parë të ngritur për përdhunim gjatë luftës, aktgjykimi lirues i shpallur më 17 prill 2013, lë viktimat e tjera të dhunës seksuale gjatë luftës me pak shpresë për t’i parë autorët e këtyre akteve para drejtësisë dhe të dënuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat