Opozita në Maqedoni refuzon rikthimin në Parlament

Maqedonia

Opozita në Maqedoni refuzon rikthimin në Parlament

Më: 31 janar 2011 Në ora: 09:11

Partitë opozitare në Maqedoni nuk do të marrin pjesë sot në takimin e thirrur nga kryeparlamentari Trajko Veljanovski për të diskutuar për tejkalimin e krizës parlamentare.

Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski ftoi sot shefat e grupeve parlamentare të opozitës që të marrin pjesë në takimin e rregullt bashkërendues për të diskutuar për të gjitha çështjet e hapura dhe për arsyet e bojkotit të punimeve të Parlamentit.

“Bojkoti nuk është mënyra e vërtetë për të vepruar dhe kjo është në kundërshtim me interesat nacionale të shtetit. Jam i gatshëm për të hapur dhe diskutuar të gjitha çështjet e hapura që nga opozita janë detektuar si problematike për kapacitetet demokratike të legjislativit”, deklaroi Veljanovski.

Partia më e madhe opozitare LSDM dje përsëriti qëndrimin se nuk do të marrë pjesë në punimet e Parlamentit.

“Ne e kemi bërë të qartë se nuk do të marrim pjesë në mbledhjet koordinuese por as edhe në të gjitha organet dhe punimet e tjera të Parlamentit. Nuk do ti japim legjitimitet këtij pushteti jodemokratik dhe antipopullor, që rrezikon demokracinë në vend”, theksoi nënkryetari i LSDM-së, Gordan Georgiev.

Nënkryetari i Parlamentit nga radhët e BDI-së, Rafis Haliti deklaroi se këtyre ditëve partia e tyre do të dal me qëndrim të qartë për bojkotin e Parlamentit nga opozita.

“Sigurisht se këto ditë kryesia do të analizojë situatën e krijuar politike. Interesi i Parlamentit nuk është që të punojë vetëm me partitë e maxhorancës”, deklaroi Haliti.

Në të njëjtën vijë me partitë maqedonase të opozitës lidhur me bojkotin dje vendosi edhe Demokracia e Re me katër deputetët e saj. Partia tjetër opozitare shqiptare PDSH me pesë deputetët e saj para gati dy viteve po bojkoton punimet e Parlamentit, në shenjë pakënaqësie për mospërfilljen e çështjeve që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Në Parlamentin e Maqedonisë mbetet edhe më tutje maxhoranca absolute me 63 deputetë të koalicionit “Për Maqedoninë së bashku” të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, 18 deputetët e BDI-së, por edhe katër deputetë të Liberal-demokratëve maqedonas dhe dy deputetët të pavarur.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat