Nis ndërtimi i kaskadës së Devollit

Maqedonia

Nis ndërtimi i kaskadës së Devollit

Më: 9 qershor 2009 Në ora: 01:58

Ka nisur ndërtimi i veprës më të madhe energjetike në Shqipëri kaskadës së Devollit, një projekt që do të realizohet nga dy gjigandët energjetikë të Evropës EVN nga Austria dhe Shtatkraft nga Norvegjia. Kryeministri Shqiptar Sali Berisha e ka cilësuar nisjen e kësaj vepre si fillimin e kthimit të vendit në një superfuqi energjetike.

“Jam i bindur se po përjetojmë një nga ditët e bardha, një nga ditët më të mëdha të historisë së këtij vendi. Sot ne hedhim themelet e shndërrimit të këtij vendi në një superfuqi energjetike” tha Berisha.

“Sëbashku me partnerin tonë norvegjez firmën Shtatkraft ne kemi paraqitur një koncept teknik ambicioz për ta kthyer Shqipërinë në një pikë të rëndësishme energjitike për rajonin” tha Burkard Hofer i “CEO EVN”.

“Projekti i Devollit është një projekt i rëndësishëm jo vetëm për kompaninë e Shtatkraftit dhe EVN, por dhe për gjithë njerëzit që jetojnë në këtë zone dhe gjithë shqiptarët” tha Bredo Ericsen nga Shtatkraft.

“Zoti kryeministër, dëshiroj t’ju falenderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur deri tani dhe dëshiroj t’ju siguroj nga ana jonë se do të vazhdojmë të mbështesim kompaninë austriake EVN për ta çuar deri në fund këtë projekt të rëndësishëm për Shqipërinë” tha guvernator i Austrisë së Poshtme Ervin Proll.

Kaskada e Devollit do të jetë investimi më i madh energjetik për momentin në Evropë. Ai përllogaritet të punësojë rreth 5 mijë veta. Pjesa e investimit janë 3 hidrocentrale të cilat planifikohet të kenë një fuqi prej 320 megavat. Parneri lokal në ndërtimin e kësaj vepre gjigante është kompania e njohur VEVE.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat