Presidenti Topi pritet nga Presidenti i Asamblesë së Republikës së Maqedonisë, Veljanoski

Maqedonia

Presidenti Topi pritet nga Presidenti i Asamblesë së Republikës së Maqedonisë, Veljanoski

Më: 14 prill 2010 Në ora: 16:56

Në mjediset e Selisë së Parlamentit maqedonas, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe delegacioni që e shoqëron, u prit sot nga Presidenti i Asamblesë së Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanoski.

Pasi e falënderoi për pritjen e ngrohtë e miqësore, Presidenti Topi vuri në dukje se vizita të tilla i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të gjithanshme mes dy vendeve dhe popujve tanë. Presidenti shqiptar, pasi pasqyroi ecurinë pozitive të disa prej reformave të rëndësishme që vendi ynë po realizon në përmbushje të standardeve integruese në familjen euroatlantike, nënvizoi faktin se ne mbështesim diplomacinë parlamentare, si një fushë shumë të rëndësishme bashkëpunimi.

Gjithashtu, Presidenti Topi theksoi në takim se shkëmbimet e ndërsjellta të përvojave sa i përket përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së marrin një rëndësi të veçantë në kuadër të prioritetit të përbashkët të dy vendeve dhe popujve tanë për integrimin evropian.

Gjatë takimit, Presidenti Topi dhe Presidenti i Asamblesë së Republikës së Maqedonisë, Veljanoski nënvizuan se bashkёpunimi rajonal dhe filozofia e integrimit rajonal ёshtё pjesё e integrimit euroatlantik tё të dy vendeve dhe rajonit. Në këtë kuadër, Presidenti Topi përshëndeti vendimin e Maqedonisë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, duke e cilësuar këtë akt si rikonfirmim dhe mbështetje ndaj fqinjit tonë më të ri, drejt realizimeve të sfidave të përbashkëta rajonale, integruese e globaliste.

Nga ana e tij, Presidenti i Asamblesë së Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanovski, duke vënë në pah rëndësinë e shkëmbimit të vizitave dhe përvojave të ndërsjellta, vlerësoi rolin pozitiv dhe moderator të Shqipërisë në shërbim të qëndrueshmërisë dhe paqes në rajonin e Ballkanit dhe shprehu gatishmërinë e Maqedonisë për të ofruar gjithë përvojën e saj integruese në drejtim të përafrimit dhe harmonizimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian dhe të fitimit nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në familjen e madhe evropiane.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat