Tetovë: Pritje madhështore për presidentin Topi

Maqedonia

Tetovë: Pritje madhështore për presidentin Topi

Më: 15 prill 2010 Në ora: 15:47

“Nuk ishte e vështirë të dalloje respektin dhe dashurinë që kanë për përfaqësuesin e shtetit shqiptarë që nga ana e vet sigurisht është shumë i ndjeshëm për të gjithë banorët , për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni”, tha presidenti z.Bamir Topi, duke shprehur emocionet e tij nga pritja e ngrohtë. Ai tha se kjo është tregues i asaj lidhjeje që ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë gjithmonë.

Duke folur për kushtet e reja dhe të volitshme të pranishme aktualisht, presidenti Topi ka vlerësuar lartë punën e dy vendeve për një regjim të lirë të komunikimeve.

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi nderojnë kujtimin e Nënë Terezës.

”Dëshirojmë që shumë shpejt, sikurse Maqedonia ashtu edhe Shqipëria, të ketë një mundësi të plotë ku qytetarët e saj të lëvizin në gjithë Europën, për t’u bërë qytetarë me të drejta të plota sikurse qytetarët europian”, tha Topi.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z.Bamir Topi, tha se e mbështesim dhe e inkurajojmë Maqedoninë të jetë anëtare e NATO-s , ndërsa theksoi se aty ku ka më shumë paqe dhe siguri aty ka edhe më shumë motivim për t’u marrë me biznes dhe do të ketë më shumë stabilitet të institucioneve dhe liri të të drejtave të njeriut . ” Ne punojmë çdo ditë për t’i garantuar të drejtat dhe liritë edhe të popullsisë shqiptare që jeton këtu në Maqedoni, e cila kontribuon ndjeshëm në stabilitetin dhe integritetin e këtij vendi mik të Shqipërisë”, tha ai.

Presidenti Topi i është referuar nevojës për zbatimin me korrektësi të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, e cila, sipas tij, është një marrëveshje bazale e ndërtuar mbi bazën e vullnetit të të gjitha forcave politike dhe vullnetit të popullit të Maqedonisë, pavarësisht nga përkatësia etnike, me dëshirën për të ndërtuar në qetësi jetën e tij.

Ai ka folur edhe mbi procesin e decentralizimit si një mundësi për investime dhe për të plotësuar nevojat që kanë qytetarët.“Politikat e decentralizimit tani më i kanë nxjerrë frytet e veta në Europë, kështu që unë nxisë edhe me tej për të pasur më shumë liri veprimi të komunës, nëpërmjet këshillit por edhe të këshillit regjional, të dini të administroni në territorin të gjitha frytet që jep karta e autonomisë lokale”, tha ai.

Presidenti Topi ka dhënë një mesazh për edukatorët e brezit të ri.“ Dua me më shumë përkushtim të edukojnë brezin e ri, për të jetuar në paqe dhe harmoni, sepse vetëm paqja dhe harmonia do të na japin shanse që të shfrytëzojmë hapësirat e lirisë dhe të mendojmë për ngritjen e standardit ekonomik dhe mirëqenies sociale”, tha presidenti Bamir Topi.

Kryetari i komunës së Tetovës, Prof.Dr.Sadi Bexeti e quajti nder të madh vizitën e presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi në Tetovë .” Kjo është hera e parë në historinë e Shqipërisë dhe tonën, për arsye se për herë të parë bëhet një vizitë zyrtare e kryetarit të Shqipërisë . Sipas tij, kjo vizitë do të mbahet mend dhe është shumë madhështore.

“ E falënderojmë presidentin Topi për mbështetjen që i jep Maqedonisë, që sa më parë ajo të pranohet në NATO, në Unionin Evropian dhe për mbështetjen ekonomike dhe politike”, tha kryetari Bexheti.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat