Nëntë vjet nga Marrëveshja e Ohrit

Maqedonia

Nëntë vjet nga Marrëveshja e Ohrit

Më: 13 gusht 2010 Në ora: 11:11

Sot mbushen plot nëntë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit me të cilën iu dha fund konfliktit në vitin 2001 dhe u vendos kornizë për bashkëjetesë ndëretnike dhe perspektivë euroatlantike të vendit.

Edhe nëntë vjet pas kësaj, Marrëveshja e Ohrit edhe më tej e ka përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe të pjesës më të madhe të partive të bllokut politik maqedonas dhe atij shqiptar, si një kornizë e vetme për zhvillim të vendit.

Dokumentin, pas harmonizimit disaditor në Ohër, në Shkup e nënshkruan presidenti i atëhershëm i shtetit Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe lider i VMRO-DPMNE-së, Lubço Georgievski dhe lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski, i PDSH-së, Arben Xhaferi dhe i PPD-së, Imer Imeri. Në cilësi të garantuesve, dokumentin e nënshkruan edhe përfaqëuesit e posaçëm të BE-së dhe të SHBA-së, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju.

Zëvendëskryeministri i angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit Abdilaqim Ademi në deklaratën për MIA-n vlerëson se deri tani rrjedh si duhet implementimi i marrëveshjes, pas të cilës qëndron bashkësia ndërkombëtare dhe kontribuon drejt integrimeve euroatlantike të Maqedonisë.

Në pajtim me strategjinë e Sekretariatit për implemetimin e Marrëveshjes së Ohrit, theskoi ai, aktiviteti kryesor edhe në të ardhmen mbetet realizimi i obligimit për përfaqësimin e barabartë të të gjitha bashkësive etnike në administratën shtetërore.

"Në këtë fushë, që është prirotet i qeverisë, ka një progres të mirë. Rreth 20 për qind lëviz numri i shqiptarëve në administratë shtetërore. Nga komunitetet e tjera vetëm serbët dhe vllehët janë më tepër të punësuar nga ajo se sa janë të përfaqësuar komunitetet. Më pak të përfaqësuar janë bashkësia rome dhe turke dhe prandaj jemi të fokusuar për punësimin e personave të këtyre komuniteteve në administratën shtetërore", tha Ademi

Ai paralajmëroi se Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit së shpejti do të miratojë edhe një plan aksional për implementimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili gjithashtu është një nga prioritetet. Plani aksional e përgatit grupin e punës me përfaqësues të inkuadruar nga të gjitha insitucionet shtetërore dhe nga BNJPL-ja.

Sektretariati punon edhe në koordinimin për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pas miratimi të të cilit, thotë, të gjitha institucionet shtetërore kanë obligim ta zbatojnë, posaçërisht pushtetin vendor.

Risi të cilën këtë vit e planifikon Sekretariati është edhe bashkëpunimi me organizaat joqeveritare në funksion të avancimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe të promovimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Qeveria edhe sivjet organizon pritje solemne me rastin e përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Në pritjen që do të organizohet sot në hotelin ‘Aleksandar Pallas’, janë të ftuar kreu shtetëror, funksionarë qeveritarë, kori diplomatik, partitë politike dhe përfaqësues të sektorit të OJQ-ve. Praninë e tyre deri tani e kanë konfirmuar presidenti i shtetit Gjeroge Ivanov dhe disa ambasadorë.

Sipas programit të përgatitur nga Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit sot do të organizohet edhe tribunë e titulluar: "Marrëveshja e Ohrit sot dhe në perspektivë" në të cilën do të marrin pjesë presidenti Ivanov, nënkryeministri i angazhuar për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit Abdilaqim Ademi dhe dy profesorë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat