Ngecin punësimet e parapara sipas Marrëveshjes së Ohrit

Maqedonia

Ngecin punësimet e parapara sipas Marrëveshjes së Ohrit

Më: 15 gusht 2010 Në ora: 10:08

Me kalimin e tremujorshit të tretë të këtij viti, Qeveria e Maqedonisë akoma nuk ka shpallur konkurset për pranimin e administratorëve shqiptar në bazë të planit të përfaqësimit sipas Marrëveshjes së Ohrit.

Me projekt-buxhetin për vitin 2010 janë paraparë për t`u realizuar 1.000 punësime të reja. Zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Abdilaqim Ademi me rastin e 9 vjetorit të kësaj marrëveshje premtoi realizimin e këtyre punësimeve.

“Në pajtim me strategjinë e Sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, aktiviteti kryesor edhe në të ardhmen mbetet realizimi i obligimit për përfaqësimin e barabartë të të gjitha bashkësive etnike në administratën shtetërore. Në këtë fushë, që është prioritet i qeverisë, ka një progres të mirë. Rreth 20 për qind lëviz numri i shqiptarëve në administratë shtetërore”, ka nënvizuar zëvendëskryeministri Ademi.

Probleme lidhur me përfaqësimin kanë krijuar mbi 600 administratorë të rinj shtetëror nga komuniteti shqiptar, që nuk janë të sistematizuar nëpër institucionet shtetërore dhe se ata përfitojnë rrogat mujore, duke ndenjur të pa angazhuar nëpër shtëpitë e tyre.

Sekretariati qeveritar për Marrëveshjen e Ohrit ka njoftuar se është në përfundim e sipër strategjia që parashikon sistemimin e të gjithë administratorëve që kanë fituar konkurset.

Deri tani nuk është dhënë ndonjë shifër e saktë lidhur me përfshirjen e shqiptarëve në institucionet shtetërore në Maqedoni. Në disa institucione dhe organe shtetërore akoma është numri i ulët i përfaqësimit.(ina)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat