USHT nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim

Maqedonia

USHT nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim

Më: 23 gusht 2010 Në ora: 19:00

Universiteti Shtetëror i Tetovës sot nënshkroi Marrëveshje për bashkëpunim me Institutin për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni, me seli në Shkup. Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, e përshëndeti nënshkrimin e kësaj marrëveshje për bashkëpunim dhe shtoi se kjo ngjarje do t’i hap rrugë thellimit të punës kërkimore-shkencore, e cila është e nevojshme për avancimin e kulturës dhe historisë shqiptare në përgjithësi. Drejtori i Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, prof .dr. Ramiz Abdyli, tha se Marrëveshja që sot e nënshkruam është në interes të dyanshëm për zhvillimin dhe bashkëpunimin institucional në sferën e kulturës, arsimit dhe të hulumtimeve kërkimore-shkencore me interes të veçantë kombëtar.

Drejtuesit e dy institucioneve, para gazetarëve i prezantuan fushat dhe sektorët ku do të shtrihet bashkëpunimi shkencor. Palët do të bashkëpunojmë në përgatitjen dhe hartimin e projekteve me interes të përbashkët, që janë në funksion të zhvillimit dhe përparimit të kulturës dhe arsimit shqiptar në Maqedoni. Po ashtu, do të shkëmbejnë informata të ndërsjella për botimin e dokumenteve me karakter arsimor-shkencor dhe hulumtimeve shkencore për vendin, rajonin dhe më gjerë.

USHT dhe Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni do të organizojnë ekspedita të përbashkëta hulumtuese në terren, simpoziume, konferenca, punëtori të ndryshe, si dhe aktivitetet të tjera. Rektori, prof. dr. Agron Reka dhe Drejtori i Institutit, prof. dr. Ramiz Abdyli, konfirmuan se kuadrot shkencore, të cilët do të angazhohen në grupet e përbashkëta hulumtuese, do ta kenë si prioritet kulturën dhe historinë shqiptare në Maqedoni dhe me gjerë, ndërsa në këto projekte të rëndësishme do të angazhohen edhe studentë, asistentë dhe pedagogë kompetent nga fusha të ndryshme shkencore.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat