PDSH akuza ndaj zyrtarëve të PDK-së në Kosovë

Maqedonia

PDSH akuza ndaj zyrtarëve të PDK-së në Kosovë

Më: 29 tetor 2010 Në ora: 16:44

PDSH në një konferencën e mediat ka drejtuar akuza në adresë të kreut të PDK-së, ndër të cilët edhe ushtruesin e detyrës së presidentit në Kosovë, Jakup Krasniqi, pas deklaratave të tyre në mbrojtje të kreut të BDI-së për dosjet.

"Dje ndodhi ajo që shumë shqiptarë e mendonin, që realisht edhe pritshim, që një grup i mbeturinave marksist-leniniste dhe DBK e Maqedonisë të sinkronizuara dhe koordinuara mirë dolën në mbrojte të tradhtisë, në mbrojtje të turpit dhe të krimit që kanë bërë bashkëpunëtorët e SDB të Jugosllavisë e më vonë të Serbisë si IBAR, MAMA, STRELAC, UJAK e deputeti 13FAQE. Është për të ardhur keq që këta xhelat të shqiptarëve që pas vete kanë lënë varre e dhimbje, burgje e tortura tentojnë në këtë mënyrë të mbijetojnë ende në skenën politike. Robertsoni e Solana në vitin 2001 i quanin kriminel e hajdutë, keqbërës e satrap, e keqja mos të ngelet me kaq, këta kishin qenë tradhtarë e xhelat të popullit të tyre, duke e vrarë e plaçkit, duke tentuar që përgjithmonë t’ju mbyllet ardhmëria e shqiptarëve këtu në Maqedoni. Se shqiptarët janë ende këtu, se Partia Demokratike Shqiptare reziston dhe vepron kjo me të drejtë i tmerron si ata që dolën me dosje.Shqiptarët edhe njëherë e shohin se me kë ka të bëjë PDSH-ja. PDSH zhvillon një betejë të pabarabartë me DBK e Maqedonisë dhe SDB e Serbisë. PDSH bën betejë me këta struktura shtetërore policore si të Maqedonisë ashtu edhe të Serbisë që shqiptarët të jenë më të mbrojtur, të jenë dinjitoz e krenarë", theksoi anëtari i kryesisë së PDSH-së, Imer Aliu.

Sipas tij, PDSH është e fortë se me të janë shqiptarët, sepse siç nënvizoi ai "me PDSH-në është e drejta, PDSH-ja lufton tradhtinë prandaj edhe do të kemi sukses sado që beteja është e vështirë dhe e rëndë".

"Disa fjalë edhe për atë grup marksist-leninist që u renditën në të njëjtën orë, në të njëjtën minutë përkrah DBK të Maqedonisë për ta shpëtuar IBAR.Një pyetje për ju marksist-leninist – Pse e përjashtuat nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shokun tuaj IBAR siç e quanin atëherë, apo Ali Ahmeti sot? Këtë duhet të ja sqaroni opinionit, me aq sa dimë ne, të përjashtohet njeriu nga Shtabi Ushtarak nuk është punë e vogël. Këtë e dini edhe ju, po këtë e dimë edhe ne. Dhe përfundimisht këtë e dinë edhe shqiptarët. Ju bashkë me ata marksist-leninist që na keni qenë në një lëvizje pa adresë paskeni mashtruar. Ju keni adresë e ajo është SDB në Beograd te Bozhidar Spasiçi", theksoi Aliu.

Reagimi i ashpër i PDSH-së vjen pasi dje krerët e PDK-së, Xhavit Haliti, Jakup Krasniqi, Nait Hasani dhe Fatmir Limaj publikisht dolën në mbrojtje të Ali Ahmetit dhe kreut të BDI-së, pasi për këta të fundit dolën dosje të cilat i ngarkonin për bashkëpunim me UDB-në në periudhën e lëvizjes popullore dhe diasporës që vepronte. (INA)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat