Osmani takon banorët e Çajlës

Maqedonia

Osmani takon banorët e Çajlës

Më: 10 janar 2011 Në ora: 19:23

Kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani takoi banorët e Çajlës, para të cilëve ai shpalosi të arriturat e komunës në periudhën e shkuar dhe planet për pjesën e mbetur të mandatit.

Para se kryetari t’u drejtohet bashkëvendësve të tij, këshilltari komunal nga ky vendbanim Vesel Memedi, shkurtimisht prezantoi projektet të cilat Komuna i ka realizuar gjatë 20 muajve të shkuar në fshatin Çajlë.

“U asfaltua rruga kryesore e fshatit, u ndërtua kanalizimi dhe ndriçimi publik në të njëjtën , duke i dhënë kështu fshatit një pamje urbane. U ndërtua rruga në drejtim të Balindollit, u vunë rrethoja të hekurta në dy lokacione. Janë bërë 20 punësime nga fshati Çajlë, si dhe janë angazhuar 7 kombistë”, theksoi mes tjerash Memedi.

“Kemi bërë shumë përpjekje për t’u rimëkëmbur, pastaj të ecim para dhe më pas të hapërojmë me hapa të shpejta. Gjatë fushatës premtuam se do qeverisim me nder, pa korrupsion dhe se do ta luftojmë mafinë urbane dhe të realizojmë qëllimin kryesor, të kthejmë besimin e humbur te politikanët”, tha në fillim të fjalimit të tij kryetari Osmani.

Duke folur për projektin kapital, rrugën Gostivar – Çajlë, Osmani theksoi: “Puna i takon atij i cili e paguan, prandaj kuptoni se merita për ndërtimin e rrugës Gostivar - Çajlë, i takon kësaj udhëheqësie komunale. Kemi bërë një pjesë të kanalizimit dhe kjo paraqet hyrje për zgjidhjen e problemit me kanalizimin. Me mjetet e siguruara nga Banka Evropiane Investicionale, çdo vit do të mund të harxhojmë nga 300 mijë euro për ndërtim të kanalizimit, ku me siguri do të investohet edhe në Çajlë”, potencoi Osmani, për të vazhduar: “Seriozisht mendojmë të ndërtojmë sallë sportive, të ndërtojmë lidhjen Forinë - Çajlë nga v.q. Juria, si dhe disa trase të reja të rrugëve, por nuk mund të them saktë se kur ato do të mund të realizohen, ndërsa punohet në hartimin e këtyre projekteve”.

Kryetari Osmani para banorëve të Çajlës, foli edhe për problemet me të cilat ballafaqohet Komuna e Gostivarit, sidomos në relacion pushtet lokal-pushtet qendror. “Jemi ballafaquar me shumë bllokada nga pushteti qendror. Ministri Jakupi premtoi projekt prej 4 milion eurosh për stacion filtrimi, e më pas tentoi që këtë projekt kapital ta zëvendësojë me një projekt minor prej 500 mijë eurosh. Ne nuk mund të lejojmë realizim të një projekti të këtillë i cili nuk paraqet zgjidhje të mirëfilltë”, nënvizoi Osmani.

Kryetari i komunës, foli edhe për ligjin e legalizimit të objekteve të egra, procesin e regjistrimit të popullatës si dhe kalimin e pronës shtetërore në menaxhim të vetëqeverisjes lokale. Në këtë kontekst, ai përmendi se këtë e sheh si një mundësi reale për hapjen e bulevardit Vll. Gjinoski dhe ndërtimin e stadiumit në fshatin Çajlë.

Në lidhje me idenë për formimin e një subjekti të ri politik, Osmani tha se tregu politik është si tregu ekonomik. “Duhet të dalësh në pazar dhe të konkurrosh. Nëse populli ta jep mandatin, t’i do të qeverisësh. Nëse ata nuk të votojnë, do të duhet ta urosh fituesin dhe duhet të tejkalohet përvoja e deritashme e shkeljes së votës së lire”, nënvizoi ai.

Në fund të këtij takimi, të pranishmit kryetarit të komunës i parashtruan pyetje të ndryshme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat