Egjipt: Largohet presidenti Mubarak

Bota

Egjipt: Largohet presidenti Mubarak

Më: 11 shkurt 2011 Në ora: 16:10

Sipas njoftimit të bërë në televizionin shtetëror të Egjiptit, pushteti i tij do të kalojë në duart e këshillit të ushtrisë.

Ky njoftim erdhi ndërsa mijëra vetë qëndronin të grumbulluar në Kajro dhe qytete të tjera egjiptiane në ditën e 18 të protestave për të kërkuar dorëheqjen e zotit Mubarak.

Protestuesit reaguan me brohorima, valëvitje flamujsh, përqafime dhe buri makinash. "Populli ka rrëzuar regjimin," thirrën ata.

Suleiman tha se Mubarak kishte dorëzuar pushtetin tek komanda e lartë e forcave të armatosura.

"Në emër të Zotit mëshirplotë, qytetarëve, në këto rrethana shumë të vështira në të cilat po kalon Egjipti, Presidenti Hosni Mubarak ka vendosur të largohet nga posti i presidentit të republikës dhe ka ngarkuar komandën e lartë të forcave të armatosura për të administruar çështjet e vendit", tha ai.

Nuk ka detaje të tjera për mënyrën e qeverisjes në këtë periudhë tranzicioni. Gjatë ditës ushtria ka deklaruar se do të garantojë zbatimin e reformave dhe i bëri thirrje qytetarëve që t'i kthehen jetës normale.

Presidenti i Egjiptit Hosni Mubarak ka dhënë dorëheqjen, njoftoi zëvendëspresidenti egjiptian Omar Suleiman.

"Zoti ndihmoftë të gjithë".

Më herët, Mubarak ishte larguar nga Kajro dhe shkoi në pikën turistike Sharm-el-Sheikh në Detin e Kuq.

Qindra mijëra vetë vazhdojnë të qëndrojnë sërish në qendër të Kajros pas lutjeve të së premtes për të kërkuar dorëheqjen e presidentit Hosni Mubarak.

Por udhëheqësit ushtarakë të Egjiptit kanë përkrahur planet e tij për kalim paqësor në demokraci ndërsa ai është në pushtet.

Ata kanë garantuar heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme sapo të përfundojë situata aktuale, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Ndërkohë komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar për situatën në Egjipt.

Gjermania ka deklaruar se fjalimi i z. Mubarak nuk ishte hapi përpara për të cilin shpresohej, dhe se ai nuk do t'i ulte tensionet në vend.

Britania ndërkaq e ka përshkruar situatën si të rrezikshme dhe i ka bërë thirrje protestuesve që të vetëpërmbahen.

Më herët presidenti Obama i quajti hapat e qeverisë egjiptiane si të pamjaftueshme.

Por në Teheran, presidenti Mahmoud Ahmadinejad, i ka përshkruar protestat si valë zgjimi dhe ka deklaruar se Lindja e Mesme së shpejti do të çlirohet nga SHBA dhe Izraeli.

- - - - - -

Protestat zgjerohen, zemërimi rritet

Ushtria egjiptiane tha se do të garantojë zbatimin e reformave, por ka kërkuar kthimin e jetës normale pas më shumë se dy javë protestash anti-qeveritare.

Deklaratat e Këshillit Suprem vijnë pas fjalimit të së enjtes të Mubarakut, në të cilin ai përsëriti se do të largohet vetëm pas zgjedhjeve presidenciale të shtatorit.

Mubaraku, që është edhe drejtues i Këshillit Suprem nuk drejtoi mbledhjen e së premtes, e cila u kryesua nga ministri i Mbrojtjes, Husein Tantaui.

Pritjet se Mubaraku do të njoftonte largimin nga posti në fjalimin e së enjtes ishin shumë të madha. Gjasat që kjo të ndodhte ishin artikuluar dhe nga shefi i CIA-s, Leon Paneta. Ajo çfarë bëri Mubaraku ishin disa ndryshime kushtetuese dhe kalimi i disa përgjegjësive te zëvendëspresidenti Omar Sulejman.

Deklarata e Këshillit Suprem u lexua në televizion pak para faljes së të premtes.

“Këshilli ka garantuar zbatimin e rezolutës së mëposhtme: t’i japë fund shtetit të gjendjes së jashtëzakonshme kur rrethanat aktuale të mos jenë më, të vendosë përmes gjykatës lidhur me lëndët që kanë të bëjnë me zgjedhjet parlamentare, të kryejë ndryshimet e nevojshme legjislative dhe të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme bazuar në ndryshimet kushtetuese”.

Deklarata e lexuar në televizionin shtetëror, nuk i bindi masat të shpërndaheshin. Korrespondentët e pranishëm në sheshin Tahrir raportojnë se protestuesit nuk e lejuan një përfaqësues të ushtrisë që të lexojë deklaratën e Këshillit Suprem.

Protestuesit zgjeruan gjeografinë e tyre në Kajro. Mijëra vetë janë mbledhur gjatë ditës para televizionit shtetëror dhe pallatit presidencial.

Në ditën e 18 të protestave raportohet rritje e tensioneve dhe e trazirave sociale.

“Protestuesit po marshojnë nga sheshi Tahrir drejt pallatit presidencial në rrugën Al-Oroba. Tani njerëzit kanë arritur përreth pallatit presidencial si dhe kanë rrethuar ndërtesën e radios dhe televizionit shtetëror”, raporton Abdul Rauf Haraui, korrespondent i Radios Evropa e Lirë në Kajro.

Ushtarët me armatim të rëndë ishin në të gjitha rrugët që të çonin drejt televizionit dhe pallatit presidencial, por nuk i kanë penguar protestuesit.

Tensionet në Egjipt janë shtuar pas fjalimit të mbrëmshëm të Mubarakut.

Përfaqësues të ushtrisë me deklaratat se protestuesit do të marrin çfarë kërkojnë, kishin rritur pritshmërinë se Mubaraku të enjten do të deklaronte largimin e menjëhershëm.

Pasi kjo nuk ndodhi lumi i protestuesve në sheshin Tahrir hidhte këpucë në drejtim të ekraneve ku shfaqej Mubaraku.

Në mesin e protestuesve në sheshin Tahrir gjendej dhe ish-anëtari i parlamentit, Zakaria Ganaini.

“Mubaraku ofendoi gjyqtarët dhe gjithë juristët. Ai ofendoi edhe shoferët e kamionëve. Ai ofendoi gjithë popullin e Egjiptit, nga bujqit në ferma, të varfër e të pasur. Askush në Egjipt nuk dëshiron që ky regjim të mbetet, me përjashtim të atyre që kanë përfituar direkt prej tij”, thotë Ganaini.

Për shumë nga protestuesit veprimet e Mubarakut kanë vetëm një qëllim, shkatërrimin e Egjiptit.

“Atij nuk i bëhet vonë për popullin e Egjiptit. Ai gjithmonë na trondit. Mbrëmë mbajti një fjalim të korruptuar. Mubaraku dëshiron ta shkatërrojë Egjiptin”, tha Khalid Salah, një nga mijëra protestuesit që mëngjesin e së premtes ishte në sheshin Tahrir.

Ngjarjet e 24 orëve të fundit kanë shtuar spekulimet për një ndarje mes ushtrisë dhe qeverisë në Egjipt, e madje për ndarje edhe brenda sferave më të larta të ushtrisë.

Ky moment më shumë se gjithçka duket të jetë një provë për ushtrinë, pasi protestuesit kërkojnë prej armatës të ndërhyjë kundër Mubarakut.(i.b.)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat