Pikëpamjet e qeverisë amerikane rreth Murit të Berlinit

Bota

Pikëpamjet e qeverisë amerikane rreth Murit të Berlinit

Më: 9 nëntor 2009 Në ora: 14:16

Në orët e para të së dielës, 13 gusht 1961, policia e Gjermanisë Lindore dhe njësi të ushtrisë mbyllën kufirin, duke ndarë Berlinin në dy sektorë. Ata shkatërruan rrugët përgjatë pjesës lindore të kufirit, duke i bërë ato të pakalueshme për makinat, dhe vendosën tela me gjemba dhe gardhe përreth tre sektorëve të Berlinit Perëndimor si dhe përgjatë 43 kilometrave që e ndanë qytetin dhe popullsinë e tij për gjysmë. Me kohë, ata i zëvendësuan telat me gjemba me një mur betoni 3.6 metra të lartë dhe 1.2 metra të gjerë; duke krijuar gati një perde të hekurt që, për 28 vjet të ekzistencës së tij, ishte simboli më i dukshëm i Luftës së Ftohtë. Dita 9 nëntorit, shënon 20-vjetorin e rrëzimit të murit. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në 1945, katër kombe që ndihmuan në mposhtjen e Gjermanisë naziste, Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Bashkimi Sovjetik e ndanë vendin në katër sektorë administrativë. Tre fuqitë perëndimore, i bashkuan sektorët e tyre në një entitet, të quajtur Republika Federale e Gjermansë, dhe investuan seriozisht në infrastrukturën dhe ekonominë e saj. Situata në zonën sovjetike ishte ndryshe. Jeta, në atë vend, që shumë shpejt u quajt Republika Demokratike e Gjermanisë, mezi tregoi ndonjë përmirësim gjatë shumë viteve të luftës. Dhe si rezultat, deri në vitin 1961, 3.5 milion gjermano-lindorë, shumë prej tyre, njerëzit më të arsimuar të vendit, ikën për në Gjermaninë Perëndimore. Për të ndaluar këtë eksod, blloku lindor mbylli kufijt me perëndimin. Në vitin 1989, regjimet komuniste në mbarë Evropës Lindore u përmbysën, dhe më 9 nëntor, në presionin e popullit të shtypur, qeveria e Gjermanisë Lindore hapi pjesërisht kufirin për në Berlin. Një dyndje njerëzish vërshoi nga Lindja drejt Berlinit Perëndimor, dhe pas festimeve përgjatë Murit të Berlinit, e veçanërisht në pikëkalimet e tij, Muri i Berlinit filloi të shëmbej. Pas 11 muajsh, Gjermani Lindore dhe ajo Perëndimore u bashkuan në një shtet të vetëm. Ishte ky një moment dramatik, një moment që do të simbolizojë përgjithmonë triumfin e lirisë mbi tiraninë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat