Berlin: U shënua 20 vjetori i rënies së Murit

Bota

Berlin: U shënua 20 vjetori i rënies së Murit

Më: 9 nëntor 2009 Në ora: 18:13
UPDATE- Me gjithë shiun e fortë, tek Sheshi i Parisit në Berlin u mblodhën qindra mijëra njerëz për të festuar së bashku me mysafirë nga mbarë bota ngjarjen që që më vonë do të ndryshonte hartën gjeopolitike të Evropës.

5,4,3,2,1... Numëron moderatori më i njohur i Gjermanisë, Thomas Gotschalk, dhe gurët e dominosë fillojnë e rrëzohen. Sërish rrëzohet muri në Berlin. Por këtë radhë ai është prej stereopori. 1000 figurat e dominosë të pikturuara nga nxënës nga e gjithë bota ishin vendosur përgjatë një segmenti që 20 vjet më parë ndante Berlinin Lindor nga ai Perëndimor, ndërmjet sheshit Potsdam dhe Portës së Brandenburgut.

Kremtimet për 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit mbrëmë kulminuan me rënien simbolike të një muri, 2 km të gjatë të ngritur me domino. Murin e rrëzoi ish presidenti i Polonisë, Leh Valesa.

Përpara kësaj të fundit pak më parë kishin mbajtur fjalime patetike dhe të ngjashme për nga përmbajtja kryebashkiaku i kryeqytetit Klaus Wowereit, presidenti francez Nikola Sarkozy, ai rus, Dmitrij Medvedjev, kryeministri britanik Gordon Brown, kancelarja Angela Merkel dhe ministraj e jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, e cila i befasoi qindra mijëra të pranishmit e mbledhur në shesh me një mesazh me video të presidentit amerikan, Barack Obama:"Le të mos e harrojmë kurrë nëntorin e vitit 1989 dhe as sakrificat që do ta mundësonin atë. Dhe le të punojmë që miqësia transatlantike të mos prishet kurrë. Dhe le të mbajmë të gjithë së bashku të ndezur dritën e lirisë për të gjithë ata që jetojnë në errësirën e tiranisë", bëri thirrje Obama përmes ekranit.

Presidenti amerikan Barak Obama bëri një lidhje të papritur me video përmes satelitit. Ai tha se nuk ka goditje më të rëndë të tiranisë dhe afirmim më të madh për lirinë se sa rënia e Murit të Berlinit.

Nikola Sarkozy vlerësoi rolin e rënies së murit për hapjen e mëtejshme të Evropës: "Ishin berlinezët ata që e shkatërruan murin e turpit, pikërisht atë mur, të cilin të gjithë e konsideronin të pashkatërrueshëm dhe u hapën rrugën vendeve të tjera, Bullgarisë, Çekosllavakisë, që gjithashtu u çliruan nga tirania," do të thoshte Sarkozy, i cili do të përfundonte në gjermanisht me fjalët: "Ne jemi vëllezër, ne jemi Berlin".

Edhe Brown u thurri lavde berlinezëve. "Ky mur nuk u rrëzua nga krerët dhe as nga pushteti ushtarak, por atë e rrezoi forca më e madhe e shpirtit të grave dhe burrave të Berlinit", tha kryeministri britanik.

Presidenti rus, Medvedjev, paralajmëroi që të mos harrohet roli që kishin luajtur më parë vendet e tjera ish-socialiste, e sidomos Bashkimi Sovjetik: "Ne nuk duhet të harrojmë se rënia e murit ishte paralajmëruar që më parë. Ajo u përgatit nëpërmjet ndryshimeve që ndodhën në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera. Roli i Bashkimit Sovjetik në atë periudhë ishte vendimtar për bashkimin paqësor të Gjermanisë", tha ndër të tjera presidenti rus.

Angela Merkel iu falënderua në fjalën e saj të gjithëve, si forcave aleate, perëndimore, Franca, SHBA-të dhe Britania e Madhe, ashtu edhe Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të lindjes. Por ajo i paralajmëroi gjermanët, se 9 nëntori, nuk është vetëm dita e gëzimit, por edhe e paralajmërimit: "Por për ne, gjermanët, 9 nëntori është edhe një ditë paralajmëruese. Si sot, 71 vjet më parë, në "Natën e Pogromit të Rajhut" u hap kapitulli më i errët i historisë gjermane, ai i përndjekjeve dhe vrasjeve sistematike të hebrenjve dhe shumë të tjerëve. Këtë ne nuk e harrojmë as në një ditë si kjo e sotmja. Të dyja na dëshmojnë se liria nuk lind vetvetiu, për të duhet luftuar."

Më pas fjalën e morën edhe figura të rëndësishme të historisë, ish-disidentë që kishin punuar heshtur për afrimin e 9 nëntorit, por edhe politikanë të kohës, që krijuan kushtet e përshtatshme për bashkimin paqësor të Gjermanisë, si ish-udhëheqësi i ish-Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov, apo ish ministri i jashtëm, Hans Dietrich Genscher. Një figurë shumë e rëndësishme mungonte: Ish kancelari i Gjermanisë Helmut Kohl, i quajtur ndryshe edhe "Babai i bashkimit", i cili që prej shumë muajsh është në një gjendje shëndetësore kritike.

--------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, gjatë ditës së sotme ka vizituar kalimin e dikurshëm kufitar ndërmjet pjesës lindore dhe perëndimore dhe ka vlerësuar se ia ka vlerë angazhimi “për shkak të gjeneratës së re”, që është mishëruar në Bashkimin Evropian.

Kancelarja Merkel, në këtë vend historik, në të cilin edhe vetë si banore e Republikës Demokratike të Gjermanisë, kishte kaluar natën që ra Muri i Berlinit, kishte ardhur e përcjellë nga rreth 200 disidentë gjermano-lindorë dhe luftëtarë për të drejtat e njeriut.

Në këtë pjesë të kremtimit të rënies së Murit të Berlinit ishin edhe ish-lideri sovjetik, Mihael Gorbaçov, dhe ish-lideri i “Solidaritetit”, Leh Valensa.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u është falënderuar gjatë një fjalimi të shkurtër që e ka mbajtur para qindra vetave.

Ajo u është falënderuar Gorbaçovit dhe Valenses për rënien e Murit të Berlinit dhe për bashkimin e Gjermanisë.

“Jemi mbledhur këtu që të gëzohemi për atë që u bë e mundur të ndodhë në nëntorin e 1989-ës. Ajo ishte rezultat i historisë së gjatë të tiranisë dhe luftës kundër tiranisë”.

“Ne në Gjermani nuk ishim të parët që luftuam kundër komunistëve. Por, ishim këtu kur mori fund Lufta e Ftohtë. Prandaj, është kënaqësi dhe nder i veçantë që emrat si Mihail Gorbaçov dhe Leh Valensa të jenë me ne këtu”, tha Merkel.

Kancelarja Merkel tha se tash po rritet gjenerata e re që është e mishëruar në Bashkimin Evropian.

Janë prononcuar edhe liderë të tjerë të tashëm dhe të mëparshëm rreth rënies së Murit të Berlinit.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, gjatë ceremonive, mëngjesin e sotëm, deklaroi:

“Jam shumë e gëzuar që gjendem në Berlin për këtë ngjarje historike. Në qytetin që do të thoshte aq shumë jo vetëm për popullin gjerman, por edhe për evropianët, amerikanët dhe gjithë botën. Gjej rastin të uroj kancelaren jo vetëm për rastin e sotëm, por për punën që ajo dhe qeveria e saj po bëjnë”, tha Klinton.

Nga kapërcimi i ndarjes në qendër të Evropës, simbol i së cilës ishte Muri i Berlinit, kanë fituar të gjithë, deklaroi lideri i fundit sovjetik, Mihail Gorbaçov.

Ai tha se Muri nuk u rrëzua nga qielli dhe për këtë vendim udhëheqësisë sovjetike i duhej guxim i madh, për të shtuar se heronjtë kryesorë të bashkimit të Gjermanisë janë rusët dhe gjermanët.

Gorbaçov, të cilin jo rrallë herë e kritikojnë se nuk vuri kushte më të ashpra për bashkimin e Gjermanisë, i bëri këto komente për agjencinë ruse Itar-Tass, ku shprehu bindjen se drejtësia historike është në anën e tij.

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, tha se ndjen “nostalgji” për ish-Gjermaninë Lindore, ku në kohën e komunizmit në Dresden ka punuar si agjent i KGB-së.

Putin tha në një intervistë për televizionin NTV se ai ka kujtime të mira nga vitet 1985-1990 nga ky qytet, si mësimin e gjermanishtes, ekskursionet nëpër male dhe kontaktet me homologët e tij gjermano-lindorë.

Por, Putin tha se është i lumtur se Rusia dhe Gjermania e bashkuar kanë “marrëdhënie mbi baza të reja”.

“Kuptohet, kjo e vë nostalgjinë në vend të dytë”, tha kryeministri rus.

Manifestimi qendror me rastin e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit është emërtuar “Festivali i lirisë”, që mbahet te dyert e Brendenburgut në qendër të Berlinit.

Pjesa më atraktive e manifestimit është rrënimi simbolik i pllakës gjigante të bërë nga dominotë. (rel/dw/bs)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat