Dhembja po kthehet në zemërim në Haiti

Bota

Dhembja po kthehet në zemërim në Haiti

Më: 15 janar 2010 Në ora: 02:35
Të mbijetuar të tërmetit që shkatërroi kryeqytetin haitian, Port Au Prince, kanë kaluar natën e tretë me radhë jashtë në mes trupave të vdekur që mbushin rrugët. Ndihmat kanë filluar të vijnë në aeroport dhe disa ekipe të kërkimit janë në terren duke sjellë ndihmën aq të nevojshme dhe ekspertizën.

Por ndërsa orët kalojnë, kufomat po shtohen dhe era e rëndë po mbush qytetin.

Shumë vetë deri më tani kanë treguar durim, por gjenda po ndryshon.

Shtrirja e dëmeve është e pamundur të llogaritet. Komunitete të tëra, shkolla dhe stacione policie janë zhdukur.

Dhe zërat që më parë dëgjoheshin nga nën gërmadhat tani kanë pushuar.

Misioni i OKB-së në Haiti

36 punonjës të OKB janë konfirmuar të vdekur dhe deri më tani 100 vetë nuk dihet se ku janë, midis tyre edhe shefi i misionit dhe zëvendësi i tij.

Ndihmës sekretari i përgjithshëm i OKB-së për operacionet paqeruajtëse Edmond Mulet duke folur nga kryeqyteti haitian tha se kjo kishte qenë një goditje e fortë për misionin e OKB në Haiti:

"Natyrisht është një moment shumë emocional për mua. Ne kishim një ndërtesë gjashtë katëshe që qëndronte pas meje dhe tani ajo çka mund të shohësh është një ndërtesë një katëshe. Dhe e dimë se 50-100 vetë janë nën gërmadha. Ne nuk dimë çfarë do të ndodhë."

Rindërtimi i Haitit

Qeveria franceze thotë se ka rënë dakord me SHBA, Kanadanë, Brazilin për një konferencë ndërkombëtare për rindërtimin e Haitit pas tërmetit.

Më vonë gjatë ditës se premte, aeroplanmbajtësja amerikane, Carl Vinson, do të arrijë në bregdetin haitian për të ndihmuar koordinimin e furnizimeve të ndihmës.

Anije të marinës amerikane dhe mijëra trupa janë nisur për në Haiti me presidentin Obama duke thënë se kriza është një moment për udhëheqjen amerikane.

**************************************

Shtetet e Bashkuara po japin një ndihmë fillestare prej 100 milionë dollarësh për operacionet humanitare në Haiti.

“Sot po njoftoj një fond të menjëhershëm prej 100 milionë dollarësh në mbështetje të operacioneve të ndihmës. Kjo do të jetë kryesisht në paisje për shpëtimin e jetëve, në ushqim, ujë dhe në barnat e nevojshme. Ky investim do të rritet gjatë vitit derisa do të hyjmë në një fazë rimëkëmbje nga kjo tragjedi e paimagjinueshme”, tha Obama. Ai shtoi se “jemi solidarë me fqinjët tanë në jug”.

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë edhe mijëra trupa në Haiti për të asistuar në operacionet humanitare pas tërmetit shkatërrues të së martës.

3500 ushtarë do të dërgohen në Haiti, 100 nga të cilët do të arrijnë në vendin e ngjarjes gjatë ditës së sotme.

2200 marinsa amerikane shtesë do të mbërijnë në Haiti për operacionet e sigurisë, të kërkimit dhe të shpëtimit. Trupat amerikane po ruajnë aeroportin e Porto Princit. Në aeroport kanë mbërritur aeroplanët e parë me ndihma nga Kina, Franca dhe Spanja.

Fondi Monetar Ndërkombëtar do të ofrojë 100 milionë dollarë ndihmë për Haitin. Kordinatori për Kryqin e Kuq të Haitit, Viktor Xhekson, tha se numri i të vdekurve nga tërmeti mund të jetë mes 45 e deri në 50 mijë njerëz. E njëjta organizatë ka vlerësuar se 3 milionë njerëz, ose një e treta e popullsisë së Haitit kanë nevojë për ndihma emergjente.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun tha se 100 milionë dollarë do të dërgohen menjëherë nga trupi më i lartë i botës.

Burimet e OKB-së thanë se 36 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse kanë humbur jetën, por shifrat mund të rriten ndërsa ekipet e shpëtimit po i kërkojnë të mbijetuarit në gërmadhat e ndërtesës shtatë katëshe të misionit.

Kreu i OKB-së Ban ki Mun tha se 150 punonjës të organizatës botërore llogariten si të humbur. Saktësisht 100 prej tyre ishin në ndërtesën e OKB-së në momentin që ajo u rrënua.

Ban ki Mun vlerësoi lart përgjigjen e menjëhershme të bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar. Ai shtoi se situata e sigurisë është relativisht nën kontroll.

“Siguria e përgjithshme dhe rendi publik po mbahen. Siç ju thashë kemi 3000 forca paqeruajtëse në vend. Ata vazhdojnë të patrullojnë, derisa detyrë kryesore kanë të shoqërojnë dhe ndihmojnë shpërndarjen e ndihmave humanitare”, tha Ban.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ish presidenti amerikan Bill Klinton, i cili tash është i dërguar special i OKB-së për Haitin, tha se përpjekjet fillestare janë fokusuar në shpëtimin e sa më shumë jetëve.

“Duhet të shpëtojmë sa më shumë jetë të jetë e mundur dhe t’u ndihmojmë të plagosurve. Duhet t’u japim ujë dhe ushqim”, tha Bill Klinton.

Tërmeti i fuqishëm prej 7 shkallë Rihter, më i rëndi në 200 vitet e fundit, shkaktoi shembjen e shumë ndërtesave në këtë vend të Karaibeve. (rel/bbc/bs)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat