Shtëpia e Bardhë ka besim se BP do të arrijë të bllokojë rrjedhjen e naftës

Bota

Shtëpia e Bardhë ka besim se BP do të arrijë të bllokojë rrjedhjen e naftës

Më: 12 korrik 2010 Në ora: 12:04

Një këshilltar i lartë i Presidentit amerikan Barak Obama thotë se është i bindur që kompania British Petrolium do t’ia dalë mbanë në përpjekjen më të fundit për të ndalur rrjedhjen e naftës në Gjirin e Meksikës. Kompania BP thotë se po bën përparim në vendosjen e një kapaku mbi pusin nënujor nga ku ka rrjedhur naftë për gati tri muaj.

Këshilltari i zotit Obama, Dejvid Akselrod, tha se Shtëpia e Bardhë beson që me vendosjen e sistemit të ri nga kompania BP, do të shënohet përparim në ndalimin e rrjedhjes së naftës.

“Kur të vënë kapakun e ri, ata do të zgjerojnë kapacitetin për grumbullimin e naftës në 80 mijë fuçi në ditë”.

Akselrod i bëri këto komente në programin televiziv “Fox News Sunday”.

“Shpresojmë që nga fundi i korrikut të ndalojmë tërë naftën që po del nga ky pus. Por është e qartë se për ta mbyllur atë do të duhet më shumë kohë. Qëllimi është që të ndalohet rrjedhja e naftës në ujrat e Gjirit të Meksikës”.

Që prej fillimit të kësaj katastrofe për mjedisin më 20 prill, nafta ka ndotur sipërfaqe të mëdha në Gjirin e Meksikës, duke rrezikuar jetën e shpendëve dhe gjallesave të detit. Ajo është bërë pengesë edhe për turizmin, peshkimin dhe veprimtaritë e tjera rajonale. Deri sa të vendoset kapaku i ri, nafta pritet të rrjedhë nga pusi në sasi prej së paku 60 mijë fuçish në ditë.

Të shtunën, nëndetëset robotike hoqën kapakun e vjetër që ishte vendosur aty për të grumbulluar naftën në fillim të qershorit. Kapaku i ri që është më i sigurt, mund të vendoset qysh sot.

Këtë fundjavë, nënkryetari i kompanisë BP, Kent Uells, tha se ishte i kënaqur me përparimin e bërë. Por ai tërhoqi vërrejtjen se sfidat do të ishin të pranishme. BP thotë se shpreson që vendosja e kapakut të zgjasë nga tri deri në gjashtë ditë. Kompania gjithashtu po shpon dy puse të tjera për të ulur presionin e rrjedhjes në pusin kryesor. Puna në njërin nga këto puse pritet të mos përfundojë të paktën deri nga mesi i muajit të ardhshëm.

Ekspretët tërheqin vërejtjen se stina e uraganëve në Gjirin e Meksikës që zgjat deri në nëntor, do të pengonte përpjekjet për mbylljen e pusit. Shtëpia e Bardhë po i bën trysni kompanisë BP që të shfrytëzojë motin e mirë në rajonin e Gjirit dhe të vazhdojë punën për ndalimin e rrjedhjes së naftës që është më e madhja në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Në programin televiziv të rrjetit CBS, “Face the Nation”, Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Erik Holldër tha se po vazhdojnë hetimet për shkakun e rrjedhjes së naftës. Ai theksoi se mund të hetohet çdo kompani e përfshirë në hapjen e pusit të dëmtuar.

“Jemi në procesin e grumbullimit të dokumenteve dhe po marrim në pyetje dëshmitarë nga të dy palët, dëmtuese dhe e dëmtuar”.

Holldër tha se administrata e Presidentit Obama po punon për t’u siguruar që taksapaguesit amerikanë të mos paguajnë për pastrimin e Gjirit të Meksikës. Nën trysninë e Shtëpisë së Bardhë, kompania BP ka krijuar një fond prej 20 miliardë dollarësh për të mbuluar shpenzimet e shkaktuara nga rrjedhja e naftës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat