Robert Elsie, sërish thesare për kulturën shqiptare

Kultura

Robert Elsie, sërish thesare për kulturën shqiptare

Nga: Bruna Merko, BOTA SOT Më: 5 qershor 2009 Në ora: 15:06

Është prezantuar për herë të parë në Panairin e Librit, “Prishtina 2009”, një katalog i veçantë me dhjetëra fotografi me ngjyra të shqiptarëve në vitin 1913, ndërsa mban si autor një nga kontribuuesit më të mëdhenj të historisë dhe kulturës shqiptare, albanologu Robert Elsie. Botimi i rrallë vjen nga shtëpia botuese “Skanderbeg Books” , e shkrimtares, përkthyeses dhe drejtueses Flutura Açka. Katalogu titullohet “Shqipëria dhe Kosova në ngjyra, 1913”, fotografi të arkivit të Planetit, në Francë, në vitin 1909, nga Alber Kan, me qëllim dokumentimin një herë e përgjithmonë të aspekteve, praktikave dhe zakoneve njerëzore, kështu që ai dërgoi fotografë në mbarë sipërfaqen e globit të populluar dhe transformuar prej njeriut, nga fillimi i shekullit të XX. Kështu që Shqipëria, e vitit 1913 u bë pjesë e këtij projekti madhor. Ndërsa misioni i parë i planifikuar nga fotografi Zhan Bryn, ishte në Ballkan, edhe pse nuk dihet qartë, udhëtimi i tyre drejt Kosovës, u krye në maj të 1913, ku u bënë autokroma në Prishtinë, Graçanicë, Lipjan dhe Prizren. Ndërsa drejt Shqipërisë u nisën në vjeshtën e po atij viti, më 16 tetor, 1913, në Durrës, Tiranë, për të vazhduar në Shkodër. Misioni francez në Ballkan u zhvillua në një kohë shumë interesante dhe të trazuar të historisë shqiptare. Sipas Elsies, arti i Ogyst Leonit dhe Bryn, është i pakrahasueshëm në një periudhë trazirash. Autokromat e mahnitshme të koleksionit Kan, me 97 fotografi të hershme me ngjyra të Shqipërisë dhe 94 fotografi të Kosovës, nga të cilat autori ka bërë një përzgjedhje, e cila paraqitet për herë të parë, janë unikale në historinë e fotografisë shqiptare dhe ballkanike. Ato shkëlqejnë si xhevahire të paçmueshëm në ëndrrën shumëngjyrëshe të Alber Kanit, në Arkivat e Planetit.

Disa fotografi e shprehin më së miri atë periudhë në të cilën po kalonin trojet shqiptare, si disa mure të shtëpive të shkatërruara në Shkodër nga malazezët, portret të femrave, burrave malësorë etj. Fotografët kanë shkruar mbresa të pashlyeshme nga ky udhëtim, ku lugëtarët shqiptarë që çliruan Shkupin, dhe që ishin zotër të vendit, ai i sheh me simpati dhe kundërshtonte ata që i cilësonin si “rebelë”.

Në këtë botim të rrallë për historiografinë e artit të fotografisë shqiptare, studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie, shkruan se fotografitë më të hershme në Shqipëri, janë bërë dikuat nga vjeshta e vitit 1863, nga albanologu Johan Georg von Han. Koleksioni i të cilit përfshin rreth 50 fotografi të Shkodrës, Prizrenit, Ohri dhe Manastirit. Për të vazhduar me fototekën e të famshme Marubëve, rreth 150.000 fotografi.

Mijëra autokrome janë sot një pasuri e madh për njerëzimin, dhe në veçanti për kulturën tonë, pasi pas gati një shekulli ato ruajnë të gjalla imazhe që kurrë njerëzimi nuk do të mund t’i rikrijonte. Dhe imazhet për shqiptarët përbëjnë padyshim një thesar të rrallë për historinë tonë. Kështu që sot breza të tërë mund t’i shohin ato në këtë katalog pamje të paraardhëseve të tyre, copëza nga jeta dhe historia e tyre, vetë jetën e një populli.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat