Mbi 30 mijë vizitorë në Panairin e Librit

Kultura

Mbi 30 mijë vizitorë në Panairin e Librit

Më: 29 korrik 2009 Në ora: 14:19

Panairi i Librit që po zhvillohet këto ditë në qytetin e Ulqinit, është cilësuar si një prej evenimenteve më të rëndësishme kulturore, që janë zhvilluar këtë sezon turistik. Më shumë se 30 mijë pjesëmarrës llogariten, të kenë vizituar deri pasditen e së martës, edicionin e nëntë të Panairit të Librit Shqip. Ky edicion që është hapur në qytetin bregdetar të Ulqinit, me një popullsi prej 40 mijë banorësh, shumica shqiptarë, por që gjatë stinës së verës ky numër arrin deri në të paktën në 100 mijë vetë. Të paktën 60 shtëpi botuese nga hapësira mbarëshqiptare, kanë ofruar edhe këtë vit letërsi artistike të autorëve shqiptarë e të huaj, botime historike e enciklopedike, guida turistike e harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për zanate e profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh etj. Veç botuesve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, në këtë panair marrin pjesë dhe botues nga Mali i Zi, Bosnja e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike.

Vizitorët gjatë këtyre ditëve nuk kanë reshtur së pari librat e vendosur në stendat e ndërtuara sipas një stili tipik mesdhetar, përgjatë plazhit të vogël të Ulqinit, i konsideruar si një nga qytetet më të vjetra të pellgut të Adriatikut.

Më së shumti vizitorët kanë shfaqur interes për letërsinë artistike, enciklopedike, por edhe për fëmijë. Në këtë eveniment nuk kanë munguar dhe promovimet librave nga autorë të njohur shqiptarë. Kështu u promovua libri i shkrimtarit Ali Aliu, ndërkohë që përgjatë ditëve të Panairit të Librit në Ulqin, që do të qëndrojë i hapur deri në 2 gusht, organizatorët kanë planifikuar dhe takime të tjera me autorë dhe botues pjesëmarrës. Nuk mungon në këtë aktivitet mbarëshqiptar dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare, agjencia e vetme zyrtare e lajmeve në Shqipëri, e themeluar rreth 80 vjet më parë. Një stendë me foto të përzgjedhura nga arkiva e ATSH-së, foto të cilat tregojnë momente nga edicionet e kaluara të panaireve të librit, do të shoqërojë këtë aktivitet përgjatë ditëve në vijim.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat